Nga rruga “113” në Manhattan te sekretet e Odesës: Zbulimi i rrjetit tregtar e diplomatik shqiptar që e harroi Tirana e Prishtina
Qazim Zeqaj, New York
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Këtu në Morningside Heights, vetëm disa hapa larg shtëpisë sime në Rrugën 113 midis Broadway-t dhe Amsterdam Avenue, gjendet një nga arkivat dhe bibliotekat kërkimore më të mëdha të botës akademike: biblioteka “Butler” e Universitetit Columbia. Shfletimi i dokumenteve të vjetra dhe regjistrave detarë të shekullit XIX në këtë mjedis kërkimor të përball me një të vërtetë sa magjepsëse, aq edhe hidhur për historiografinë tonë kombëtare.
Teksa kërkoja të dhëna mbi praninë e shqiptarëve në rajonin e Detit të Zi, dokumentet e kohës zbulojnë një kapitull krejtësisht të pashkruar: një elitë të fuqishme tregtare, financiare dhe proto-diplomatike shqiptare që kontrollonte nyjet kryesore të Odesës dhe tregtisë detare.

Përderisa tekstet shkollore dhe punimet akademike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë (Dardaní), i bien shkurt duke e përmbledhur praninë shqiptare në Perandorinë Ruse vetëm te “Batalioni Shqiptar” apo te figura ushtarake si Kapiten Athanas Gjinokastra (Athanas Shqiptari), arkivat e Odesës dhe regjistrat e portit flasin për një realitet edhe më të gjerë. Prapa kuintave të luftëtarëve si Athanasi, vepronte një rrjet i tërë sipërmarrësish e diplomatësh që financonin dhe mbronin faktorin shqiptar në Evropën Lindore.
Dëshmia e fshehur në harta dhe regjistrat e Odesës
Në regjistrat e periudhës pas vitit 1794, vërehet se pas shkatërrimit të Voskopojës, Janinës dhe Himarës, një pjesë e elitës tregtare shqiptare nuk u tret, por u vendos në qendrat e reja tregtare të Detit të Zi.
Në hartat e vjetra të Odesës, bien menjëherë në sy dy rrugë kryesore që e ruajnë këtë emërtim edhe sot: “Velyka Arnautska” dhe “Mala Arnautska” (Rruga e Madhe dhe e Vogël e Shqiptarëve). Këto nuk ishin thjesht taborre ushtarake ku stërviteshin burrat e Athanasit, por qendra të shtëpive tregtare ku operonin familje si Burda, Pampuri apo eksponentë të ardhur nga fshatrat shqiptare të Karakurtit.
Mbrojtja konsullore dhe “Diplomacia e Fshehtë”
Ajo që e bën këtë zbulim edhe më interesant është se si këta tregtarë shqiptarë përdornin diplomacinë private. Përmes dokumenteve konsullore austriake, veneciane dhe ruse, ata pajiseshin me patenta mbrojtëse. Kjo u mundësonte atyre paprekshmëri pasurore, liri lundrimi në ujërat e Perandorisë Osmane dhe statusin e ndërmjetësve gjeopolitikë midis Evropës Lindore dhe Ballkanit.
Përmes këtij kapitali, ata financuan fshehurazi dërgimin e librave, letërkëmbimeve kulturore dhe mbështetjes financiare për shkollat shqipe, dekada përpara se të shpërthente Rilindja Kombëtare.
Një thirrje nga Nju Jorku për Tiranën dhe Prishtinën
Kjo përvojë kërkimore këtu në Nju Jork tregon se sa e cunguar dhe e ngulfatur është narrativa zyrtare e historisë sonë, e cila e sheh shqiptarin vetëm si “trim me pushkë në dorë”, duke anashkaluar shqiptarin si financier, diplomat dhe udhëheqës tregtie ndërmjetëse.
Kjo gjetje duhet të shërbejë si një apel i drejtpërdrejtë për Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe Institutin e Historisë në Prishtinë: është koha që kërkuesit tanë të dërgohen me projekte shkencore në Arkivin Shtetëror të Odesës (GAOO) dhe arkivat konsullore evropiane. Rrjeti tregtar i Odesës është një faqe e artë që pret të shkruhet plotësisht.




