Prej më shumë se tre vitesh shqiptarët i blejnë qeset plastike nëpër shitore kur duan të tbartin produktet e blera, por duket se kjo nuk ka ndaluar përdorimin e tyre në vend.

Nisur nga kjo, qeveria vendosi që të ndalojë tërësisht përdorimin e qeseve plastike nëpër shitore duke ndryshuar ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Sipas këtij ligji, duke filluar nga dita e sotme, 1 qershor 2022, supermarketet dhe çdo dyqan lagjeje e ka të ndaluar që të japë qese plastike për klientët, në të kundërt rrezikojnë të gjobiten.

Konsumatorët që shkojnë në markete do të duhet që të marrin me vete edhe trajsat, në të kundërt duhet që t’i blejnë aty kundrejt një çmimi shumë herë më të shtrenjtë se qeset plastike.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë ndikimi i këtij vendimi në mbrojtjen e ambientit në vend, pasi burimet e plastikës janë të ndryshme dhe qeset plastike janë vetëm një formë e ndotjes me plastikë.

Ndërkohë që ligji i kaluar është pak i njohur për qytetarët, të cilët rezultojnë të painformuar në lidhje me pasojat që do të kenë në rast të përdorimir të qeseve plastike.

Lexo po ashtu:  Rusia nuk ndryshon qëndrim rreth Pavarësisë së Kosovës

Sipas ligjit çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) Lekë dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara. Nëse shkelja është e ripërsëritur gjoba shkon në 1.5 mln Lekë dhe dënohet me revokimin e lejes dhe licencës së prodhimit të qeseve.

Cilat qese do të ndalohen të prodhohen?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka thënë disa ditë më parë për ‘Monitor’ se nisma ligjore nuk merr përsipër të ndalojë gjithë plastikën, as të ndalojë të gjitha llojet e qeseve, por ndalon vetëm qeset plastike mbajtëse; qeset e lehta plastike mbajtëse; qeset shumë të lehta plastike mbajtëse dhe qese plastike mbajtëse oxo-degradueshme ose oxo-biodegradueshme.

“Bizneset që operojnë në këtë fushë, nuk prodhojnë vetëm këto lloje qesesh, por një gamë shumë të gjerë produktesh plastike. Nisma ligjore është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha hallkat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që u ka mundësuar bizneseve të përshtasin planet në bazë të kuadrit të ri”, thekson ministria.

Lexo po ashtu:  Tallet Rama: Taksat e naftës nuk do të hiqen, s’ka protestë me iPhone dhe X5 që i zhbën

Por, sipas kryetarit të Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, Vullnet Haka, qeveria “po fshihet” pas diskutimit teknik që po heq nga përdorimi qeset njëpërdorimshme. Ndryshimet ligjore do të ndalojnë përdorimin e plotë të qeseve në Shqipëri. “Sot është në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, të miratuar në vitin 2018, për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme që konsiderohen qeset nën 35 mikronë.

Për ndalimin e tyre, edhe ne si grup interesi kemi dhënë dakordësinë. Për këtë ndryshim, fabrikat përshtatën industritë e tyre. Çfarë ndryshimi ligjor do të bëjë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për një produkt që është ndaluar që në 2018-n? Edhe nisma e miratuar në 2018 nuk po gjen zbatim, pasi duhen të ngarkohen me ligj institucionet monitoruese dhe gjobat të jenë proporcionale. Ministria publikisht shprehet se po ndalon prodhimin e qeseve njëpërdorimshme, ndërsa drafti synon të ndalojë përdorimin e plotë të qeseve plastike në Shqipëri.

Në relacionin e projektligjit thuhet se ndryshimet kërkojnë ndalimin e qeseve të ripërdorimshme, me trashësi mbi 35 micron/anë. Me këto përcaktime teknike konsiderojnë si qese të ripërdorueshme ato mbi 35 micron dhe mbi 50 micron/anë ato shumëpërdorimshe. Nuk jemi kundër kësaj, pavarësisht adoptimeve shtesë që do të na duhen të bëhen në makineri. Por me ndryshimet ligjore bëhet ndalimi e plotë i qeseve, si atyre shumë të lehta 15 micron/anë, të lehta 35 micron/anë dhe qeset e rënda mbi 50 micron/anë.

Lexo po ashtu:  Punëtorët e Telekomit ultimatum Qeverisë: Keni 72 orë për ta zgjidhur çështjen e xhirollogarive

Në ndihmë të industrisë, Shqipëria nuk duhet të ndalojë përdorimin e qeseve mbi 50 micron”. Z. Haka veçon se nisma nuk është konsultuar nga MTM, me grupin e interesit, për adresimin e shqetësimeve të tyre. “Kur ne kërkuam konsultimin për draftin e paraqitur në vitin 2020, nga ish-ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u tha që ky është vendim politik i mazhorancës dhe grupet e interesit të depozitojnë shqetësimet e tyre në komisionet parlamentare./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *