MekuliPress
Në zemër të Shoshit të Dukagjinit, në një trevë ku lahuta dhe fjala e bukur janë pjesë e frymës së përditshme, ka lindur poeti dhe tekstshkruesi Nikolin Guri. Prej vitesh, ai dhe familja e tij jetojnë në qytetin bregdetar të Lezhës, ku arti dhe tradita e malësisë ndërthuren natyrshëm me freskinë e detit.
Thonë se “dardha bie nën dardhë”, dhe kjo fjalë e urtë i përket plotësisht historisë së Nikolin Gurit. Dashuria e tij për poezinë dhe muzikën është një trashëgimi e rrallë që buron nga rrënjët e thella të një familjeje artistësh.
Nikolin Guri është stërnipi i vajtores legjendare Zojë Mustafa, emri i së cilës mbetet simbol i artit vajtor në mbarë trojet shqiptare. Ai është gjithashtu nip i rapsodit të njohur Gjergj Marku, një prej pionierëve të folklorit shqiptar që ka përfaqësuar denjësisht vendin në qindra festivale brenda dhe jashtë kufijve, bashkë me vëllain e tij, Kolë Markun. Nga kjo linjë e artit e shpirtit buron edhe Artisti i Popullit, “Mjeshtri i Madh” Mhill Çuni, si dhe këngëtari i talentuar Bardhok Lucaj; dëshmi e një gjaku ku muzika dhe poezia janë trashëgim shpirtëror.
Qysh në bankat e shkollës, Nikolin Guri nisi të shprehte ndjenjat e tij në vargje. Poezitë e tij, të mbushura me emocion dhe sinqeritet, tërhoqën vëmendjen e këngëtarëve, të cilët i kthyen në këngë që sot dëgjohen e duartrokiten në mbarë trojet shqiptare. Kështu, fjala e tij poetike mori krahë përmes zërit të artistëve dhe u bë pjesë e shpirtit të muzikës popullore shqiptare.
Fama e tij si poet dhe tekstshkrues ka kaluar kufijtë. Sot, tekstet e tij interpretohen nga emra të njohur të skenës, si Rifat Berisha, Gëzim Ahmetaj, Gjon Frroku, Halit Gashi, Gjovalin Prroni, Bardhok Prebibaj, Martin Gojani, Shkumbin Sadiki, Valentin Laçi, Jeton Nreca, Blinor Gashi, Kolë Martini, Fatmir Berisha, Pavlin Kola, Kolë Aramdhi, Zef Nika, Gazmend Marku, e shumë të tjerë.
Krahas krijimtarisë letrare, Nikolin Guri mbetet i lidhur fort me jetën artistike të qytetit të Lezhës. Ai është pjesë aktive e Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, si dhe anëtar i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Besa Shosh”, duke sjellë kontribut të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore të Dukagjinit dhe më gjerë.
Sot, Nikolin Guri gëzon reputacionin e një poeti të ri në moshë, por të pjekur në krijimtari. Me dhjetëra këngë të realizuara mbi vargjet e tij, ai po ndërton me përkushtim një urë midis traditës dhe modernes, duke mbajtur gjallë emrin e familjes Guri dhe nderuar rrënjët e trevës së tij të dashur, Dukagjinit. /MekuliPress.com/

