Nga Jak Simoni

Viti i ri akademik po fillon thuajse i përgjysmuar. Në shumë programe studimi, kryesisht në universitetet e rretheve, numri i kuotave të paplotësuara është tepër i lartë. Programe klasike studimi si historia, gjeografia, gjuha, letërsia, matematika, fizika, kimia, filozofia etj. janë me numër tepër të vogël studentesh. Kryesisht në programet e lartpërmendura kriteri arbitrar dhe antikushtetues i notës mesatare, ka lënë mjaft të rinj, ndoshta dhe të pasionuar në një lëndë të caktuar, jashtë dyerve të universiteteve. Çfarë mund t’u thuhet maturantëve që mund të jenë të pasionuar në histori apo letërsi, të cilët mund të kenë pasur vështirësi në matematikë, fizikë, kimi apo edukim fizik? Mund t’ju thuhet: shko në shkollë profesionale ose provo fatin jashtë. Këtë të dytën e kanë ndërmend vetë dhe nuk kanë pse të nxiten. Të rinjtë, duke gjetur portat e tempujve të dijes të mbyllura në vendin e tyre, e fillojnë jetën me zhgënjim. Ata gjejnë përpara në fillimet e rrugës së tyre botën e të mëdhenjve “të maturuar” që nuk gjënë kënd tjetër për të ndëshkuar në gjirin e saj, por ndëshkon këto të rinj për ndonjë notë jo të mirë të fillimmaturës së tyre apo për një paaftësi për të kopjuar në fundmaturën e tyre.

Lexo po ashtu:  Një statujë e princ Vidit si respekt për historinë e shtetit

Të çudit fakti se një kriter të tillë e vendos një qeveri që mbahet për e majtë, e cila, nisur nga tradita e të majtave, do të ishte në mbështetje të të drejtës së studimit. Të paktën e tillë është tradita e të majtës në vendet e Evropës perëndimore; e majtë e frymëzuar dhe e formuar në lëvizjet studentore të viteve gjashtëdhjetë. Por në vendin e tonë ndodh dhe kjo: të majtët bëjnë politikë të djathtë, ndërsa të djathtët politikë të majtë. Paradoksalisht, e majta me këtë politikë për arsimin po mitizon punën, jo formimin njerëzor; teknikun, profesionistin e njëanshëm për ta mbërthyer në zinxhirin, e cilësuar nga kritikët frankfurtianë të shoqërisë, prodhim-konsum. Tekniku chaplinian i Kohëve Moderne, ku mekanizmi i veprimit paraprinë verbërisht atë të arsyes, vijon të promovohet dhe pas thuajse një shekulli, duke i dhënë akoma më shumë përjetësi këtij interpretimi të famshëm.

Shkencat humane, dhe jo vetëm, në Shqipëri po zbehen tërësisht. Meqenëse për të studiuar histori, gjeografi, letërsi, filozofi, matematikë, fizikë nuk vijnë studentë me mesatare të lartë, atëherë le të mos studiohen fare këto lëndë. Shqipëria nuk ka vuajtur vetëm për teknikë dhe profesionistë, por më shumë për njerëz të formuar që të kuptojnë përgjegjësitë shoqërore dhe institucionale. Nuk kanë rëndësi vetëm “materiali” njerëzor për ndërmarrjet por dhe ai për institucionet e shoqërisë. Faktikisht gjithë kjo situatë e ka një shkak që nuk mund të anashkalohet. Shkaku është tek inflacioni i diplomave jo cilësor të universiteteve tona, por nuk ka pse të kalohet nga ekstremi në ekstrem: në vend të mbushjes pa kriter të programeve të studimit boshatisja e tyre. Pragu i notës mesatare nuk është zgjidhje. Ka disa mënyra për të përmirësuar situatën i cilësisë në universitete dhe të inflacionit të diplomave si p.sh. provim pranimi, ngritje të standardëve të vlerësimit të dijeve dhe të diplomimit në universitete. Nuk është e thënë se të gjithë të regjistruarit të diplomohen, sepse para diplomimit ka dhe një formim që i korrespondon dhe që jo domosdoshmërisht është i kurorëzuar me diplomë.
Viti i ardhshëm akademik do të jetë akoma më keq. Edhe pse interesi i trupës a akademike të universiteteve në këtë rast përkon me interesin e të rinjve, e për rrjedhojë të shpresës së vendit, ajo përgjithësisht hesht. Lënia e të rinjve në mëshirë të fatit, të cilët ndjejnë se vendi i tyre po i përbuz, e për rrjedhojë largohen, përkeqëson këtë plagë të rendë që po vuan prej dekadash vendi ynë. Bota akademike nuk është pa përgjegjësi për këtë.

Lexo po ashtu:  Problemet e dhunës nuk i zgjidhin viktimat …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *