“Shenjtëria Juaj,

Ashtu si miliona shqiptarë, kam ndjekur me ngazëllim interesimin tuaj për fatin e popullit tim. Si At i shenjtë i kishës së krishterë, ju keni nën vështrimin tuaj gjithë popujt e botës, por ka diçka tepër prekëse, e tepër unikale, në qëndrimin tuaj ndaj kombit të shqiptarëve. Kjo vjen nga fakti se, të veçanta dhe unikale, kanë qenë raportet e këtij kombi me fenë në përgjithësi, e me fenë e krishterë, në veçanti.

Shqipëria e vogël, një nga vendet e para të krishtërimit, do të merrte mbi vete një nga njollat më të rënda të historisë: të ndalonte fenë. Për këtë mëkat të rëndë, një nga më tragjikët, që shkaktoi komunizmi në këtë vend, populli shqiptar, ne të gjithë, kemi pritur ndëshkimin.

Për fat të mirë, kjo turbullirë nuk vazhdoi gjatë dhe Shqipëria po i kthehet prapë zonave të shpirtit prej nga është larguar, duke dëshmuar kështu besimin e vjetër njerëzor se errësira, pavarësisht nga triumfi i përkohshëm, s’mund ta mposhti dritën.

Për fatin e saj të keq, Shqipëria ka qenë gjatë shekujve një fushë ndeshjesh e feve të ndryshme, gjersa u gdhi në shekullin XX, me tri fe. Ishte ky, një nga faktorët kryesorë, që i ndihmoi komunistët për të goditur besimin në përgjithësi. Por, ndërsa u sulën kundër tri feve, zelli kryesor i komunistëve ka qenë drejtuar në radhë të parë kundër krishtërimit katolik, sepse ishte pikërisht ai, që e lidhte këtë vend, me Europën e krishterë.

Lexo po ashtu:  Safete S. Juka, një figurë e madhe kombëtare

Tani, e gjithë kjo, i përket një ëndrre të keqe. Por ashtu si pas një lëngate të rëndë, pas shembjes së diktaturës, kanë mbetur shumë brenga e boshësi në shpirtin e këtij populli të lodhur. Si asnjëherë tjetër, ai ka nevojë për besim, purifikim dhe lartësim shpirtëror. Askush më mirë se ju, nuk mund ta kuptojë dhe nuk mund të ndihmojë, për këtë ringjallje shpirtërore.

Kalvari, nëpër të cilën kaloi kombi shqiptar, e ka brenda edhe zinë, por edhe dritën e triumfit. Ndodhën gjëra të tmerrshme, u rroposën në humnerë njerëz dhe ide, por prapë që nga humnera u ngritën të rrëzuarit. Një shkreti e krizë e madhe shpirtërore pushtoi shpirtrat, po mu midis asaj, shkëlqeu fisnikëria njerëzore dhe ndodhën akte të mëdha, të rralla në këtë botë.

Kështu për shembull, gjatë rihapjes së kishave, u përdëllyen e dhanë ndihma myslimanët njësoj si krishterët, kurse djemtë dhe vajzat shqiptare, filluan të mbanin shenjën e kryqit, pavarësisht se cilës feje i përkisnin.

Ka një personazh sublim në historinë e shqiptarëve, i cili mishëron fatin ciklik të Shqipërisë, Ky është Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ashtu si Shqipëria, ai ishte në fillim i krishterë, ashtu si një pjesë e shqiptarëve, ai u kthye përkohësisht në fenë islamike, dhe së fundi, ashtu si një pjesë e shqiptarëve té sotëm, ai u kthye prapë në fenë e Krishtit, për t’u pagëzuar si “atlet i Krishtit” dhe mbrojtës i krishtërimit europian.

Lexo po ashtu:  Pamje të rralla: Ushtarët e UÇK’së me anë të bojlerit hedhin në ajër autoblindën me ushtarët serbë

Pas kalvarit që kaloi, pas rrugës së kryqit, kombi shqiptar është i përgatitur për ta kthyer në një kështjellë të qytetërimit europian. Ndoshta ky mendim, mund të zgjojë buzëqeshje ironike te dikush, por për shumë të tjerë ai është i natyrshëm, siç janë shpesh të natyrshme faktet që duken paradoksale.

Europa e krishterë është treguar shpesh herë e pavëmendshme ndaj këtij “kombi plangprishës”. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm se shpesh e ka merituar një ndëshkim, por jo të asaj shkalle, siç e ka marrë. Sepse, nëse ka merituar ndëshkimin, aq më shumë ka merituar faljen.

Ndërsa shpresojnë se keqkuptimet midis tyre dhe botës janë duke marrë fund, shqiptarët për herë e më tepër i kanë drejtuar sytë nga Ju, Shenjtëria Juaj. Gjysma e tyre, ata që ndodhen brenda kufijve të shtetit Jugosllav, përjetojnë ende skëterrën komuniste.

Me këtë rast, lajmet që vijnë që andej janë të trishtueshme e të frikshme: një masakër e madhe po përgatitet kundër tyre. Në qoftë se ajo nuk ndalohet me kohë, gjaku i derdhur do ta turbullojë për një kohë të gjatë gjumin e njerëzimit mbarë.

Lexo po ashtu:  Napolon Zerva: Do vdes i qetë, pasi masakrova shqiptarët, gjuha e tyre nuk do flitet më

Si gjithë shqiptarët, kam shpresë se ju, Shenjtëria Juaj, nuk do të mungoni të drejtoni vëmendjen Tuaj nga ky popull martir. Si gjithë njerëzit, që duan paqen dhe harmoninë në botë, shpresoj se ju do të bëni gjithçka, që ky komb te gjejë më në fund edhe ai paqen dhe qetësinë e tij.

Pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e respektit dhe konsideratës sime më të thellë.”

– Ismail Kadare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *