RILINDËSI I SHEKULLIT NJËZET NË KOSOVË 

Deri te njohja e librit – abetare si enigmë

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

Nga zhurmat e shumta të vetëlavdëruesve egocentrikë të sotëm na dalin prej kujtese të mirët e të mirat. Fatkeqësisht, sot fshihet edhe imazhi i prindit nga mëria e një dinamizmi kohor absolut. Mbetesh pa evokuar edhe mikun më të dashur nga formalistët paradistë e improvizionistë. Desha të them, ç’mu soll ndërmend në këto ditë dhjetori, thash, që harrohen do kohë e do njerëz nga e kaluara pa të drejtë. Edhe në çast m’u shfaq portreti i Lilës, bariu i dikurshëm më i vjetër i asaj ane (më vonë jurist i dipl.), me një fyell dhe me një libër në dorë. Aq bukur e pastër e mbante atë libër, për të cilin nuk dija çfarë ishte. Ai çdoherë ishte me shtagën, fyellin dhe librin pas deleve. Sa pata mësuar të lexoja, një ditë ia mora nga duart Lilës dhe e shfletova. Ky e kishte një vend të shënuar, ku ishte duke lexuar. Ishin ca këngë popullore, si ajo: “O mullinxhi…”, edhe ndonjë tregim, që më rrëfeu diç për te, por që nuk më kujtohet saktë. Dalëngadalë, në moshë më të pjekur, m’u shfaq edhe imazhi për doajenin dhe vazhduesin e Rilindjes Kombëtare në Kosovë – Esat Mekuli, krijuesin e këtij libri. I lindur gjatë Luftës së Parë, saktësisht, në dhjetor të 1916-ës, në Nokshiq, rrethi i Plavës. Më vonë do ta lexojmë edhe me pseudonimet: Sat Nokshiqi, Sat Hoxha, në veprimtarinë e tij të hershme letrare. Po, atëherë, kur nuk është shkruar në gjuhë shqipe asnjë varg në pjesët e banuara prej shqiptarëve në viset nën regjimin jugosllav, të atyre mbretërive që planifikonin të digjnin edhe tokat shqiptare. Para Luftës së Dytë u shkollua në Beograd. Dhe si student nis të publikojë vargje. Botoi nëpër të përkohshmet në gjuhën serbe, si në Venac, e atë të Sarajevës, Behar, etj. me pseudonimet e përmendura më lartë. Pas mbarimit të Luftës, Esati si luftëtar, që ishte në radhët e partizanëve, për çlirimin edhe të trojeve shqiptare nga fashizmi dhe sundimi sllav, gjithnjë me shpresë se do të vijë çasti, kur pas këtij “çlirimi” do t’i bashkonin tokat shqiptare e do t’i vetëqeverisnin. Kjo nuk ndodhi. Shqiptarët në Jugosllavi mbetën të sundohen nga i njëjti padron, veç me emër pak më ndryshe. Fati deshi që disa shkolla filluan me entuziazëm të madh në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi…

NJERIU I URTË, I VETËDIJSHËM PËR ARDHMËRINË

Lexo po ashtu:  Si u dërguan tre telegramet e rrejshme Londrës në emër të shqiptarëve. Nikolla Pashiq (1912) urdhëron oficerët serbë të shkruajnë telegrame të rreme Londrës në emër të përfaqësuesve të shqiptarëve.

Kosova dhe pjesët tjera nën sundimin jugosllav kishin mbetur shumë prapa të tjerëve. Nëse Shqipëria ishte disa decenie pas fqinjëve, Kosova ishte disa decenie pas Shqipërisë: në ekonomi, shkencë, arsim, letërsi e kulturë. Këto vise me shqiptarë kishin nevojë dhe etje të madhe për një arsimim në gjuhën amtare. Esati përveç tjerash, iu përkushtua letërsisë me ngulm. Ishte njeri i qetë me rrethin. Shihej se në veten e tij fshihte shumëçka nga e kaluara e përjetuar. E kishte parasysh dhe e përjetonte rëndë jetën e vështirë të qytetarit tonë. Ai sikur bartte barrën e hamallave, e të lypësve jo pak të qyteteve tona. Dëshironte që të arrihet një qytetërim te shqiptarët i shpejtë dhe të mos ikin ” te bren miza hekur” nga vendi i tyre. Pra, si njëri prej njohësve të letërsisë merr guxim me shokë që të themelojë, pas gazetës Rilindja, një revistë letrare. Dhe kjo u realizua, e lindi në vitin 1949, redaktor përgjegjës i të cilës ishte vetë Esat Mekuli, deri në vitet e tetëdhjeta. Ishte i kujdesshëm në veprimtarinë botuese, kur bëhej fjalë për revistën, që të mos dëmtohet askush përreth. Shih, krejt kjo më vonë u verifikua se, libri që mbante në dorë dikur bariu n’ato male, ishte revista letrare “Jeta e re”. Dhe Esati ishte njëri prej veteranëve të letërsisë sonë kombëtare në Kosovë. Një prej etërve dhe kryesori, nga i cili të gjithë të tjerët kanë dalë në diell e nën këtë qiell letrar të atyre kohëve. Njëri, i cili ua ofroi shqiptarëve edhe shkrim leximin me dymujoren, e cila për çdo numër pasurohej me autorë të rinj e me punime letrare artistike shumë cilësore. Shkurt, këtë do ta njihnim përfaqësues në vijim i Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë. Më vonë, Esati ishte iniciues për themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i së cilës ishte. Ai bëri edhe shumë punë të tjera të vlershme.

NGA VEPRIMTARIA LETRARE E ESATIT

Duke kujtuar edhe më atë kohë të shkuar, më ngacmoi edhe leximi i disa poezive të njeriut të njohur, gati të harruar tashmë. Ato vargëzime në dialektin gegë ëmbël, atë e kisha harruar gati dhe sikur nuk dija ta lexoja mirë. Sikur po kthehesha në fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ky ishte edhe përkthyes i mirë, sidomos nga gjuhët sllave dhe anasjelltas. Ai shkruante (publikonte) shumë rrallë krijimet e veta, ngase ishte i përkushtuar me revistën dhe bashkëpunëtorët. Në faqet e kësaj dymujoreje botoheshin punimet nga të gjithë shqiptarët e të gjitha viseve jugosllave, si nga Mali i Zi, Maqedonia, nga Arbëreshi i Zarës, nga shqiptarët e Sarajevës, të Beogradit, por edhe nga arbëreshët e Italisë. Vepra më e njohur e tij na mbeti në vargje Për ty, simbolikisht kushtuar popullit. Është njëra prej atyre përmbledhjeve të asaj kohe që përshkruan dhe e paraqet vuajtjet e bashkëqytetarëve e bashkëkombësve të vet. Diskriminimi i tyre si popull e racë. Janë të njohura poezitë me një vel krejtë- sisht social, për një kore buke të shqiptarit të atëhershëm, si: “O vlla me sharr në krah”. Zëri i Esatit, thamë, që nga vitet e tridhjeta, të shek. XX, si djalë i ri, në kohën e sundimit të Mbretërisë SerboKroato-Sllovene, gumëzhinte për fatin e njeriut tonë. Pjesa më e madhe e poezisë së tij është përmbledhur në “Brigjet”, poezi të fillimit kryesisht, por edhe të pas LDB. Rruga dhe karriera e Esatit nis dhe mbaron me “Malli për të pambërrijtshmen”. Atë e frymëzoi jeta sociale e njerëzve të rrugës, përkatësisht lypësit: “Ata janë fëmijt e mashtruem t’shpresave t’jetës s’pshtjellueme/që për’ i kore buke vuejnë e enden kot”[…]” – Oh, plot sish janë rrug’t e shtigjet e paanë – /kryet e secilit duket si thumb i zi./Jeta i mashtron përvajshëm…litar’ hekri kanë/ mbi qafat e tyre t’holla e t’pafuqi” (1935, Brigjet, 27). Ndoshta, mund të thuhet, se ky ishte një Migjen i kësaj ane. Ai e kishte vërejtur herët dhe ishte i preokupuar gjithnjë me hamallet, lypësit, sharrëxhinjtë shqiptarë; urinë e barkcullakëve nëpër kasolle. E shohim si fsheh përdëllesën dhe mllefin që ndrynte në vete me këto vargje: ” – Dashunija e ime/e mjera dashuni -/t’kam ndry/thellë/në zemër/që kurrkush t’mos i shohë vuajtjet tona/…(1933, Brigjet, 17). Shumë i vetëdijshëm se, nuk kishte forcë të shpërthente ndryshe. Një kohë e vështirë politike po kalonte edhe pas LDB, atëherë kur i thuhej “liri” për shqiptarët. Ndjekja e tyre bëhej në mënyrë të vazhdueshme. Në një rast bën thirrje, të mos na quajnë me emër të huaj. Një tjetër e portretizon në “I varuri…” nga presioni e diskriminimi politik. Esati bëri edhe një shenjë me shkrim me këtë rast praktikisht: “Po, s’jemi turq, nuk jemi!/Jo kurr’! Ta dinë të tanë: Shqiptarë dhe t’parët i kemi. Feja prej kombit s’na ndanë!” (1954, Brigjet, 80). Ky tashmë ishte i lidhur me të gjitha viset shqiptare: “Jusuf Jusufi, mësues nga Tetova, nuk e mori “Jetën e re”. Ajo u kthye në Redaksi me shënim: ‘Shpërngulë në Turqi’. Ishte ajo kohë kur me mija shqiptarë, aty për aty ndërruen kësulën, braktisën vatrat stërgjyshore.” (Brigjet, Dhimbje,83). Njëra prej atyre poezive nga përmbledhja e këtij doajeni, “Shqiptari këndon”, është moto për rigjallërim dhe krenari të këtij populli: “Shekujt mbi ne e në ne e mbushën jetën plot vnerë -“, me keqardhje se ishim të ngarkuar prej të tjerëve, me epitete të ndryshme, për të na njollosur sa më shumë: “Qemë – jo njerëz, po robë: pa bukë, liri – n’uzdajë;/në votrën tonë pa shtëpi në plangun tonë – argatë!” etj. Me këtë tregon se të gjithave u kemi përballuar, edhe etiketave nënçmuese: “Qemë – turq, dreqën me bishta, qemë – rajë,/që t’hiqet në vargoj të mjerimit të përbuzun – sh i f t a r ë!” Megjithatë, jemi ende gjallë: “Pse lirinë e fituem me gjak – kurrkush s’na e fali,/tue luftue errësinë u bamë t’vetëdijshëm edhe na!” (aty, 72). Herë-herë, moto e tij ishte edhe përshkrimi i natyrës së ashpër i këtyre trojeve, por edhe bukuritë e shumta dhe dashuria e atdheut e e vendlindjes së tij: “Po ju rikthehem, liqeni i dashur, syve t’tu malorë – zanave tuaja shërimtare,/të lidh, për shëndet, në rremzen e njomë pishe pejzën e kuqe që zanat e mbara të na ndihmojnë/të mos frigohem ma nga vrasjet, nga zor-zullumi, nga kryqimi…” (Plavë, 1937), Në liqenin e zanave, 88. Kështu prej, diku 115 poezive, të zgjedhura në përmbledhjen “Brigjet”, do të gjejmë imazhe të tipit sociologjik e patriotik të kohës së tij. Ai ishte shumë kritik, por edhe për një ardhmëri shpresë-dhënëse. Disa herë e ka potencuar në vargëzimet e tij një vendosmëri për të dalë nga gjendja, e cila e kaplonte në vazhdimësi popullin e vet, të pa ngritur në pikëpamje arsimore. Me trashëgimi të përzier nga kulturat e huaja. Në shkrimet e veta, nuk shpërtheu asnjëherë me dhunë emocionesh. Por shqetësimet e tij ishin evidente e me zërin artistik të një letrari. 

Lexo po ashtu:  Çfarë e bëri Napoleon Bonapartin, aq të suksesshëm?

RASTI I ESATIT

Pastaj, më tingëlloi nga largësia kohore, sikur fluturova. Dhe nëpër këtë farë udhë- timi tjetër fare, si në ëndërr, ndjehem i kënaqur. Sikur takohem me atë figurë nga e kaluara. Më kujtohet edhe përshëndetje, apo biseda të rastit: “- Çfarë thua baci Cat, kur një njeriut i botohen vjershat, si ajo …?” “- Eh, bacit, duhet të jeni shumë të vetëdijshëm ju të rinjtë! Mos u merrni me artin e pshurrtë e të dhimë!…” Ishte kjo porosi disi kështu shkurt, nga ato vitet e shtatëdhjeta, e cila ndoshta do të duhej të respektohej, si gjest kulturor. Ka kaluar do kohë.   /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *