Igli Tola

Festimi i Vitit të Ri e ka zanafillën qysh nga epoka e Çezarit. Ishte Julius Caesar (Jul Çezari), në vitin 46 p.e.s., ai që krijoi Kalendarin Julian. Në këtë kalendar diellor, ardhja e Vitit të Ri u bë që të përkonte me festën e Janusit (Giano, Iano: Zoti i fillimeve materiale e jo materiale. Hyjni i Romës antike), nga emri i të cilit e ka prejardhjen Janari. Më vonë ndër shekuj ky kalendar u zëvendësua nga ai Gregorian dhe u vendos që Viti i Ri të jetë më 1 Janar. (për kuriozitet ortodoksët vazhdojnë të ndjekin ende kalendarin Julian dhe Vitin e Ri e festojnë më 14 janar.)

Një festë me zanafillë shumë të lashtë, mileniale; ku në thelb të gjithë celebrojmë një moment magjik në të cilin i themi lamtumirë vitit të vjetër, për të filluar një vit të ri me shpresën që të jetë më i mirë.

E ajo që shpreson gjithësecili prej nesh në rrafshin personal apo profesional varion; ama si Shqiptarë ‘ëndrrat’ kësaj here i kemi disi të kufizuara, sepse paradoksalisht kemi 30 vite që zhgënjehemi, na premtohet dhe serviret ‘sapuni për djath’. Andaj gjatë këtyre 365 ditëve të 2022 e në vijim na mjafton që:

  1. ‘Zarfi’ dhe vjedhja nëpër tendera/koncensione/PPP të shkoj të paktën 20%, aq sa ishte disa vite më parë. ‘Është bërë deti kos’ duke shpikur lloj-e-soj ‘yçklash’ e marifetesh që e kanë kthyer përmbys raportin 20:80; ‘zarfi’ është fryrë në mbi 80% të vlerës së projektit dhe ngelet që nga ai 20% të hidhet ndonjë lopat zhavor.

Pavarësisht se nuk reagojmë, ose reagojmë me hope; nuk jemi budallenj dhe e kuptojmë se po e paguajmë kilometrin e rrugës sa ‘frëngu pulën’, pastrimin dhe incenermin e mbetjeve sa ‘arabi ujin’ etj.

Lexo po ashtu:  Grenell, si provokator në shërbim të mitit serb

Duke zhvatur pronën dhe paratë publike për mëse 3 dekada: mjaft syresh janë bërë milionera, për pak veta thonë se i kanë kaluar edhe 1 miliardë euro nëpër ‘Off-shore’. Uleni pak ritmin se kështu do t’Ia kaloni edhe Elon Musk duke rendur drejt trilionit të dollarëve.

 

  1. Dakort nuk del hesapi ti rrisni rrogat e administratës se aq është buxheti, kurse privati i cakton vetë në marrëveshje me punedhënësin dhe sipas kërkesë-ofertës; por të paktën mos u tallni kështu barbarisht me mundin dhe dinjitetin e qytetarëve. Një ushti me këshilltarë lokal, që zorr se e merr vesh për çfarë japin mend dhe a kanë shkuar ndonjë ditë të vetme në punë, paguhen sa 2-fishi i një mësuesi. Atij mësuesi që mund të japi mësim edhe në ndonjë fshat të harruar, të bëj nja 2 orë rrugë në borë e shi për të vajtur në shkollë.

Boll me trajtimin ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Të duket sureale dhe ndjen neveri kur sheh se ka ca Institucione ku shoferat (këto mbase ish-pilota të Formula 1), apo sanitaret (ndërsa këto mbase me master në Harvard), marrin nga  1 milion e kusur në muaj. Mos të flasim për shefat dhe drejtorat e tyre. Kurse, inxhinierët, ekonomistët, mjekët që së paku kanë nga një karton diplome firmosin në bordo për 600-800 mijë lekë.

Nqs ka një vend të dytë në këtë planet ku ndodh kjo, qoftë Zimbabve apo Honolulu na thoni, mos të ngelim injorant.

Lexo po ashtu:  Policia është e Kosovës

 

  1. Fjala ‘Eurobond’ mbase tingëllon ‘trandy’, por e kemi kuptuar tanimë që është si puna e ‘dardhës që e ka bishtin prapa’; borxh që duhet ta paguajmë cent-për-cent e plus madje me ca interesa të majme. Prandaj, shtrëngohuni pak dhe mos na emetoni nga 2 obligacione brenda 16 muajve, me vlerë mbi 1 miliard euro. Historia ka dëshmuar me dhjetra herë që shtete shumë më të mëdha i ka kolapsuar borxhi dhe korrupsioni.

Sikundër termi ‘Eurobond’, rrishtazi në fjalorin tonë u futën edhe termat ‘Arbitrazh’ dhe ‘vendime të Gjykatës së Strasburgut’, veçse edhe këto vetëm sa na e rëndojnë barrën që bartin përditë në kurriz. Falë këtyre ‘3 strumbullarëve’ borxhi publik de-facto i tejkaloi 90% të PBB-së. E aq më keq kur paratë kanë vajtur dhe janë harxhuar për projekte që ose kanë ngelur në letër-3D, ose kanë ngelur ‘rrugëve’ është për të dhënë alarmin SOS.

Për të bërë një krahasim të thjeshtë: vërtetë çdo bebe që lind merr 400 mijë lekë shpërblim, 800 mijë i dyti dhe i treti 1.2 milion; por marrin edhe një çek prej 4800 deri në 5200 euro borxh. Ne do të paguajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër; fundja për të mirën tonë merren ato borxhe.

“Eh sa shume gjëra bëhen në emrin tënd o popull” – Sandër Prosi.

 

  1. Sistemi gjyqësor të mos harxhoj shumë energji duke menduar dhe folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Mbase, për to duhen të tjera rrjeta, apo karema-grepa; por të paktën këto ‘peshqit e mesëm’, sardele e cironka ti shohin një herë. U duket vetja Zeus që lëshonte vetëtima: ligjin e shkelin me të dyja këmbët pa iu trembur syri, duke mbajtur veshur mantelin e ‘arrogancës’. Që me të ardhurat e deklaruara nuk justifikojnë dot karburantin për makinën luksoze që bredhin lartë-e-poshtë, jo më makinën vet, rrobat firmato etj.
Lexo po ashtu:  Nëse shqiptarët në administratën shtetërore të MV nuk bëjnë punë kur gjenden artefakte me origjinë ilire, më mirë mos jenë aty fare

Kjo është forma më e thjeshë e Vetting-ut, pa kosto të shumta administrative e gjumë mbi dosje voluminoze; thjesht duke bërë një xhiro nëpër rrugët e qytetit.

 

  1. Të ndalojmë për ca kohë ‘prodhimin’ e VIP-ave, se edhe pak do të kemi më shumë VIP-a se njerëz (jo për gjë, por me dhjetra mijëra shqiptarë po vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit: azilantë, studentë, klandestinë etj). Kurse, VIP-at nuk ikin, se nuk gjejnë dot punë andej, se Europa dhe bota kanë mjaftueshëm VIP-a për vete.

VIP, nuk është akronimi i “unemployed, and very lazy person”/njeri përtac dhe i papunë ; por i “very important person”/njeri shumë i rëndësishëm. Edhe ndodh të bëhesh VIP se ha fara në Tik-Tok, por jo të gjithë që hanë fara aty janë VIP-a.

Antivlerat kurrsesi në afatgjatë nuk mund të jenë Vlera, sado të përmbyset piramida shoqërore.

 

 

. . .

Edhe diçka të fundit, kjo më shumë në formën e lutjes. Mirë që po jetojmë në një “Big Brother” të madh (George Orwell këtë realitetin tonë kishte në mendje kur shkroi romanin “1984”): me lista pagash, borxhesh, tualetesh që kemi në shtëpi shëprndarë vërdallë si mall pazari ; të paktën na vendosni edhe një Premio – 100 milionë lekë të motivohemi tamam dhe shijojmë lojën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *