Kosti Deti komentohet si një instrumentist shumë i talentuar në piano. 2021-shi ishte pa dyshim viti i sukseseve për të, duke “rrëmbyer” plot 10 çmime të rëndësishme në këtë fushë.

Kosti Deti është një artist entuziast dhe shumë modest. Ai është një artist i mirëfilltë, që po bën shumë “zhurmë” në skenat e Vjenës dhe më gjerë.

Korça, qyteti i kulturës dhe artit

Kosti Deti është vetëm 25 vjeç, i lindur dhe rritur në Korçë. Që në moshën 4-vjeçare i lindi dëshira për të luajtur me piano. Rrjedh nga një familje artistësh dhe ndihet me fat që është një djalë korçar.

“E quaj veten me fat, sepse përpos faktit që vij nga qyteti i kulturës dhe artit, unë jam lindur në një familje artistësh. Mamaja ime është Laxarela, këngëtare e serenatës dhe këngës qytetare korçare. Që kur nisa të luaj me pianon në moshën 4-vjeçare, nuk e kam ndaluar as sot e kësaj dite”, shprehet ai.

Çdoherë e më shumë Kosti po thellohej në njohjen e muzikës në piano, duke vazhduar studimet edhe në shtetet e tjera, për të qenë një histori suksesi.

Lexo po ashtu:  Droga më shkatërroi jetën

Italia, pikënisja e parë e depërtimit në tregun evropian dhe jeta profesionale në Vjenë

Italia i shërbeu Kostit për formimin e tij intelektual, profesional dhe etik për piano, e kjo i hapi rrugë të depërtojë edhe në tregun austriak, në “shtëpinë e muzikës botërore”.

Italia që është një vend me një mentalitet të hapur ku mblidhen artistë nga i gjithë globi, e ndihmoi Kostin të ngrihet profesionalisht dhe të fitojë shumë konkurse. Ai ka studiuar në konservatorin “G.Tartini”,Trieste, në Itali, për 5 vjet, dhe më pas fitoi bursë për të ndjekur studimet në Vjenë.

Rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ishte i lehtë, ndërsa formimi i tij me perspektivë profesionale të një niveli tjetër, në Austri, sapo kishte filluar.

“Në fakt, në Vjenë kam vetëm një vit që studioj. Gjendem mjaft mirë dhe i përshtatur, sepse më duhet të them që kam pasur një eksperiencë goxha të plotë artistike më përpara dhe Vjena është një kurorëzim, le të themi, për t’u masterizuar drejt perfeksionit që sigurisht do të dojë kohën e vet të nevojshme”, tregon ai.

Lexo po ashtu:  A duhet ndrydhur dëshirat?

Kosti, aktualisht studion në “Universitetin e Muzikës” në Vjenë, për piano, me theks të veçantë, performancën, nën drejtimin e Markus Prause.

Artist në shumë skena të rëndësishme të botës

Skenat ku ka performuar Kosti janë të shumta. Ai tregon për albinfo.at se numri i skenave më të njohura të shteteve ku ka interpretuar është relativisht i madh. “Janë shumë në fakt, mund të përmend Shqipërinë, Austrinë, Italinë, Francën, USA, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Slloveninë, Kroacinë, Maltën, Spanjën, Portugalinë, Poloninë, Lituaninë Estoninë etj”.

I pyetur se cila është skena (eventi) që i ka dhënë më shumë emocion, Kosti pa hezituar tregon se Korça i ngjall rrahje të tjera të zemrës dhe ndjesi të veçantë.

Fitues i 40 çmimeve

Edhe pse ende djalë i ri, Kosti gjatë karrierës së tij ka shënuar rezultate të larta si profesionist përgjatë viteve, duke qenë fitues i mbi 40 çmimeve të rëndësishme.

“Gjatë karrierës time mbaj mbi 40 çmime të fituara deri tani, ndërsa vetëm në vitin 2021 kam fituar 10 çmime. Disa nga çmimet më të rëndësishme që do t’i veçoja janë “Grand Prix ne Valetta International Piano Competition”, në Maltë, çmimi i parë në “Maria Caffa Rigeti”, Itali/Francë, çmimi i dytë në “Franz Liszt International Piano Competition”, Spanjë dhe çmimi i parë në Toronto “International Piano Competition”, Kanada për nder të pianistit Arthur Rubinstein, tregon ai.

Lexo po ashtu:  “Një derr dhe një zog nuk ulen kurrë bashkë për të ngrënë”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *