Norvegjia krijon mekanizma kontrolli për pushtetarët, shqiptarët çfarë presin?
Juristja dhe zbuluesja e korrupsionit Eva Joly mendon se çështja Epstein zbulon mangësi serioze në shoqërinë norvegjeze. “Vetëkontrolli nuk mjafton më,” thotë Joly. “Ne kemi nevojë për një organ që kontrollon funksionarët e rangut të lartë dhe ministrat,” deklaron Joly për NRK. Sipas saj, mënyra se si mediat norvegjeze kanë trajtuar dokumentet e Epstein-it tregon se ka ardhur koha për të krijuar një organ të ri, të pavarur kontrolli.
“Duhet të krijojmë një institucion që mbikëqyr këtë grup. Një institucion që pyet: Cila është pasuria jote kur fillon një post drejtues dhe cila është kur largohesh? Nëse nuk mund ta shpjegosh këtë ndryshim, atëherë është vepër penale,” thekson Joly.
Hetuesja e pensionuar e korrupsionit mendon se Norvegjia nuk ka kontroll të mjaftueshëm mbi elitën dhe se u beson atyre më shumë sesa duhet.
Eva Joly është një politikane franko-norvegjeze, juriste dhe ish-gjyqtare hetuese. Ajo u bë e njohur ndërkombëtarisht për luftën e saj kundër krimit ekonomik.
Në vitet 1990 ajo u specializua në hetimin e çështjeve të mëdha të korrupsionit dhe fitoi nofkën “gjuetarja e korrupsionit”. Ajo zbuloi korrupsion dhe shkelje të tjera ekonomike ku ishin përfshirë drejtues të njohur biznesi dhe politikanë të rëndësishëm.
Tani shtrohet pyetja: A kanë nevojë hapësirat politike shqiptare për një gjuetar të korrupsionit që synon prejardhjen e pasurisë së elites politike?
Deklaratat e gjuetares së njohur të korrupsionit, Eva Joly, pas çështjeve Epstein nuk janë reflektim vetëm mbi Norvegjinë. Ato janë një pasqyrë brutale e asaj që prej vitesh ndodh në hapësirat shqiptare; pa fije turpi, pa frikë dhe pothuajse pa pasoja.
“Vetëkontrolli nuk mjafton më”, thotë pra norvegjezja Joly. Paçka në Shqipëri dhe Kosovë, vetëkontrolli nuk ka ekzistuar kurrë, hiq dhe asnjëherë, apo jo?
Shumica, më shumë se 80% të politikanëve shqiptarë nuk futen në politikë për ti shërbyer popullit të shkretë, por për t’u pasuruar. Fusin njëherë këmbën në pushtet dhe dalin me villa, kompani, toka, banesa luksoze dhe llogari bankare që nuk përputhen me asnjë rrogë shtetërore. Pyetja është e thjeshtë: kush i kontrollon politikanët shqiptarë? Përgjigjja është po aq e thjeshtë: pothuajse askush hiq, asnjeri.
Në letër, ne kemi plot institucione kontrolli. Në praktikë, kemi ZERO, kemi sall fasadë. Deklarimi i pasurisë është kthyer në një ritual formal, ku askush nuk shkon deri në fund. Rritja e pasurisë marramendëse arsyetohet me “dhurata familjare”, “kursime”, “kredi” apo “biznese të bashkëshortes”. Askush nuk skuqet më; s’ka turp, s’ka marre.
Modeli që propozon Eva Joly është i frikshëm vetëm për ata që kanë diçka për të fshehur. Prishtina dhe Tirana kanë nevojë për një organ të pavarur që kontrollon pasurinë e zyrtarëve të lartë nga dita e parë deri në ditën e fundit të pushtetit. Nëse nuk e dëshmon rritjen e pasurisë; ti ke kryer vepër penale. Pa arsyetime bajate politike. Pikë!
Në hapësirat shqiptare, një organ i tillë do të trondiste themelet e sistemit politik. Sepse korrupsioni nuk është devijim: është sistem dhe mentalitet. Është mënyra se si funksionon politika dhe pushteti. Dhe bash për këtë arsye, rezistenca ndaj një kontrolli real është aq e fortë nga opozita në Prishtinë dhe nga politika në Tiranë.
Por nëse Norvegjia, një shtet me nivel të lartë besimi publik, e sheh të domosdoshëm një kontroll më të rreptë mbi elitën, atëherë për ne shqiptarët kjo punë nuk është luks; është nevojë urgjente e kohës.
Sepse korrupsioni nuk vjedh vetëm para. Ai vjedh shpresën, drejtësinë dhe të ardhmen. Dhe për sa kohë politikanët shqiptarë (katundarë e qytetarë) vazhdojnë të hyjnë në politikë si “shërbyes publik me brekë të çkyera” e të dalin si milonerë, demokracia në hapësirat shqiptare mbetet vetëm një fjalë e bukur.
Konsekuent deri në fund: Kur politikanët dalin milionerë nga politika/pushteti dhe askush nuk i prekë me dorë, mos pyesni më a ka korrupsion; pyesni kush dreqin do ta ndëshkojë këtë bandë që të ka kapur ty e shtetin. #MekuliPress.com
