Një studim i ri tregon se mbi gjysma e të rinjve norvegjezë të moshës 13-18 vjeç konsumojnë pije energjike në mënyrë të rregullt, ndërsa një pjesë e tyre raportojnë se e përdorin çdo ditë. Këto pije, të cilat përmbajnë përqendrime të larta të kafeinës dhe sheqerit, lidhen me pasoja të dëmshme shëndetësore, si probleme me gjumin, shqetësime nervore dhe rritje të rrezikut për varësi.
- Këto janë produkte që mund të kontribuojnë në probleme me gjumin dhe efekte të tjera negative për shëndetin. Prej kohësh jemi të shqetësuar për normalizimin që ka ndodhur vitet e fundit. Kur do të ndërhyjë qeveria për të vendosur kufizime dhe për të miratuar një rregullore që mbron fëmijët dhe të rinjtë? – pyet drejtoresha Inger Lise Blyverket nga Këshilli i Konsumatorëve, citon MekuliPress agjencionin e lajmeve norvegjeze, NTB.
Autoritetet kanë një rol kyç në vendosjen e rregullave që mbrojnë të rinjtë nga efektet negative të këtij produkti, i cili tashmë është bërë pjesë normale e kulturës së konsumit në vend. Përvoja ndërkombëtare sugjeron që një kufi moshe për shitjen e pijeve energjike është një masë urgjente. Për fat të keq, ndërsa diskutimet për rregullimin e këtij tregu janë të vazhdueshme, zbatimi konkret i një moshe minimale për konsumatorët ende mungon.
Industria e pijeve energjike ka përfituar nga mungesa e kontrollit, duke rritur marketingun agresiv në platformat sociale dhe duke ofruar produkte që targetojnë drejtpërdrejt fëmijët dhe të rinjtë. Pijet ofrohen në shije të shumta dhe me dizajne që i bëjnë ato veçanërisht tërheqëse për grupmoshat e reja. Rritja e shitjeve me 22% në vitin e fundit tregon qartë shkallën e problemit dhe kërkon veprim të menjëhershëm.
Qeveria norvegjeze dhe institucionet përkatëse duhet të ndalojnë marketingun agresiv që synon fëmijët dhe të sigurojnë masa për reduktimin e qasjes ndaj këtyre produkteve. Gjithashtu, prindërit dhe shkollat kanë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e konsumit të pijeve energjike. Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e brezit të ri.