Pas gjendjes ekonomike të krijuar si pasojë e pandemisë COVID19, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një komunikate u kërkon të gjitha institucioneve të Kosovës, ekzekutivit dhe legjislativit, por edhe partive politike, që të shmangin luftën e brendshme politike dhe të ndjekin një agjendë dinamike të veprimeve që do të mundësonte ndërhyrjen e shpejtë të shtetit për ndërmarrjet dhe punonjësit e rrezikuar.

Përndryshe sipas tyre vendi rrezikon të shkojë në kolaps ekonomik.

“Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron se në rast të vonesës së mëtejme të përkrahjes për sektorin privat, muajt në vijim do të shpërfaqin pasojat reale të pandemisë COVID19 në ekonominë e vendit, që do të rezultojnë me kolaps masiv të ndërmarrjeve, rritje të papunësisë dhe varfërisë, zvogëlim të të hyrave buxhetore dhe reduktim të aftësisë së shtetit për të ofruar shërbime publike dhe investime kapitale”, thuhet në komunikatë, përcjell Zëri.

Oda Amerikane thotë se Kosova mund të humbasë hapin në rimëkëmbjen ekonomike dhe në ofrimin e një perspektive më premtuese për qytetarët e saj.

Lexo po ashtu:  "Qeveria Kurti" fillon punën të hënën - Vjosa Osmani Kryeparlamentare, Glauk Konjufca MPJ

“Moszbatimi deri në fund i masave të Pakos Emergjente Fiskale dhe vonesa në aprovimin e një programi të rimëkëmbjes, edhe për shkak të vonesës së aprovimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të rishikimit buxhetor dhe marrëveshjeve të kredive ndërkombëtare, të cilat janë kyçe për zbatimin e masave të ndërhyrjes shtetërore, përbëjnë kërcënim serioz për dhjetëra mijëra vende të punës”, potencon OEAK, shkruan Zëri.

Ndërsa thekson se shqetësimet e organizatave që përfaqësojnë interesin ekonomik të sektorit privat nuk u kanë bërë përshtypje vendimarrësve shtetërorë dhe partive politike.

“Derisa të gjitha deklaratat e Odës Amerikane dhe të organizatave të tjera që përfaqësojnë interesat e sektorit privat në vend kanë folur për kufizime dramatike të aktivitetit ekonomik, e të konfirmuara edhe nga të dhënat e autoriteteve tatimore e doganore, të njëjtat shqetësime duket se nuk kanë alarmuar vendimmarrësit shtetërorë dhe partitë politike, të cilët fatkeqësisht u kanë dhënë prioritet çështjeve politike duke zgjedhur të theksojnë mospajtimet e tyre”, shkruan Oda Ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *