Fragment i shkëputur nga ‘Viti i mbrapshtë’ i Ismail Kadaresë

Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet.

S’dihej kryeqyteti, se një qyteti i kërcente në krye sot të shpallej i tillë, e tjetrit i shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë.

Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, po njëri tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqte shenjat natën.

Këtu është Shqipëri, thoshte njëri, dhe bamb i binte tokës me këmbë. Jo Shqipëri, po Greqi, ia priste tjetri, dhe bamb edhe ai me këmbë. As Shqipëri, as Greqi, po Serbi, që i paçim uratën, hidhej i treti dhe bamb edhe ai, jo me këpucë, po me çizme. Ti me çizme me gozhdë, unë me opingë me xhufkë, hidhej i pari, se është Shqipëri e s’luan. Dhe duart në kobure të tre, dhe gjëmë e zezë pastaj.

Lexo po ashtu:  Vetting-u shkarkon 50% të magjistratëve – Në dy vite u përjashtuan nga sistemi 83 gjyqtarë e prokurorë në shkallën e parë, 11 në apel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *