Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën është një iniciativë qytetare e promovuar nga organizata të shoqërisë civile dhe një grup profesionistësh në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën. Ky grup ka nisur një iniciativë të përbashkët për të hartuar dhe aprovuar një sërë parimesh që do të informojnë dhe udhëzojnë akterët politik dhe publik se si të trajtojnë viktimat, të mbijetuarit/at, të kaluarën e dhimbshme dhe narrativat historike. Kjo nismë synon të parandalojë diskursin dhe veprimet e dëmshme në lidhje me trashëgiminë e konfliktit dhe do të shërbejë si një dokument referues, ku secili/a që shkel parimet e tij/saj duhet të mbahet moralisht përgjegjës.

Preambula

Duke u mbështetur në punën shumëvjeçare dhe në bazë të përgjegjësisë sonë etike, humane dhe profesionale për të promovuar një qasje konstruktive, të kujdesshme dhe kritike ndaj të kaluarës që ndihmon në arritjen e shërimit, paqes dhe pajtimit;

Të vendosur/a për të mbrojtur dinjitetin e të gjithë viktimave dhe të mbijetuarve/ave të së kaluarës sonë të dhimbshme dhe të vendosur për të vepruar në çdo kohë në interesin e tyre më të mirë;

Të shqetësuar/a nga keqtrajtimi (i qëllimshëm ose i paqëllimshëm) i viktimave dhe të mbijetuarve/ave dhe keqpërdorimi e keqinterpretimet e së kaluarës; si dhe duke vënë në pah mundësinë që konfliktet të acarohen më tej nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme të akterëve politik dhe publik;

Të vetëdijshëm/me për ndikimin e dëmshëm dhe negativ që këto deklarata ose veprime kanë mbi viktimat, të mbijetuarit/at dhe proceset e përgjithshme të Ballafaqimit me të Kaluarën në Kosovë;

Duke nënvizuar nevojën për një kornizë referuese për ‘Ballafaqimin me të Kaluarën’ që duhet të përdoret nga akterët politik dhe publik;

NE,

Angazhohemi që t’i zbatojmë këto parime dhe t’i respektojmë vlerat dhe ndjenjat që ato mishërojnë për të siguruar që viktimat dhe të mbijetuarit/at të mos dëmtohen dhe se veprimet tona për ballafaqim me të kaluarën do të kontribuojnë në procesin e shërimit dhe pajtimit;

U bëjmë thirrje akterëve politik dhe publik të respektojnë këto parime dhe të respektojnë vlerat që ato mishërojnë; ne e bëjmë këtë në pritje që viktimat dhe të mbijetuarit/at të mos dëmtohen dhe të parandalojmë dominimin e narracioneve të njëanshme;

Lexo po ashtu:  Ministri grek i Mbrojtjes: Turqia nuk mund të kërkojë dialog duke provokuar

Inkurajojmë akterët politik dhe publik të veprojnë me kujdes, profesionalizëm dhe transparencë në diskursin dhe veprimet e tyre në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën;

Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën në kontekstin e Kosovës

1) Viktimat dhe të mbijetuarit/at e konfliktit të armatosur duhet të trajtohen me integritet dhe dinjitet

Shoqëria duhet të pranojë vuajtjet e viktimave dhe t’i trajtojë me respekt dhe dinjitet. Stigma dhe paragjykimet e dëmshme duhet të kundërshtohen në të gjitha nivelet. Kjo është thelbësore për të mbështetur viktimat në riintegrimin e tyre në shoqëri. Shoqëria në Kosovë duhet t’i trajtojë në mënyrë të barabartë gratë, burrat dhe fëmijët që kanë vujatur gjatë konfliktit. Përmes përfshirjes së tyre në shoqëri, përvojat e tyre njihen dhe respektohen.

2) Viktimat dhe të mbijetuarit/at duhet të jenë në qendër të të gjitha aktiviteteve dhe diskursit publik të BmK

Të gjitha nismat e Ballafaqimit me të Kaluarën, formale dhe joformale, jo vetëm që duhet t’i përfshijnë viktimat dhe të mbijetuarit/at, por duhet t’i vendosin në qendër të procesit. Kontributi dhe fuqizimi i viktimave dhe të mbijetuarve/ave është vendimtar në të gjitha aktivitetet e ballafaqimit me të kaluarën. Pa pjesëmarrjen e tyre, proceset e ballafaqimit me të kaluarën nuk mund të jenë plotësisht të suksesshme.

3) Identiteti i viktimave dhe të mbijetuarve/ave dhe familjarëve të tyre duhet të mbrohet

Duhet siguruar që viktimat dhe të mbijetuarit/at mbrohen në mënyrë efektive nga stigma, frikësimi dhe presionet që mund të pësojnë. Nuk duhet të ketë zbulim publik të identitetit të viktimave dhe të mbijetuarve/ave, as familjarëve të tyre, përveç nëse ata/ato japin pëlqimin e tyre. Privatësia e tyre duhet të mbrohet plotësisht dhe të respektohet në çdo mënyrë.

4) Barazia, gjithëpërfshirja dhe pajtimi duhet të promovohen nga të gjithë

Përfshirja e viktimave dhe të mbijetuarve/ave shpesh bazohet në gjininë, moshën, përkatësinë etnike ose racën. Për të arritur pajtimin, shoqëria në Kosovë duhet të krijojë një qëndrim të përbashkët që individët të tregojnë njohje, respekt dhe pranim të ndërsjellë, si dhe ndjeshmëri ndaj nevojave dhe interesave të palës tjetër.

Lexo po ashtu:  Izraeli suspendon policin që shtiu mbi 16-vjeçaren palestineze

5) Qasja e bazuar në gjini duhet të jetë pjesë e të gjitha proceseve të BmK

Një qasje e bazuar në gjini duhet të ndërtohet në themel të të gjitha nismave të Ballafaqimit me të Kaluarën. Ata/o që kanë mandat dhe mision për të punuar me gra dhe burra që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore dhe dhunë seksuale gjatë konfliktit në Kosovë, duhet të synojnë të përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e tyre. Stigma ndaj të mbijetuarve/ave të dhunës seksuale nga konflikti duhet të kundërshtohet në të gjitha mënyrat e mundshme.

6) Personat që janë dënuar për krime në lidhje me konfliktin nuk duhet të mbajnë pozita publike ose të trajtohen si heronj kombëtarë

E drejta për garantimin e mos-përsëritjes, si shtylla e katërt e Ballafaqimit me të Kaluarën, thotë se ata/o që janë të dënuar për krime lufte në lidhje me konfliktin nuk duhet të mbajnë asnjë detyrë institucionale, as nuk duhet të kenë qasje në informacione të ndjeshme në lidhje me sigurinë shtetërore dhe publike. Trajtimi i të dënuarve për krime lufte si heronj cenon dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve/ave. Për më tepër, lavdërimi dhe mbajtja e të dënuarve për krime lufte në një pozicion publik do të dëmtonte seriozisht procesin e rivendosjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, veçanërisht për komunitetin e viktimave. Në një afat më të gjatë, lavdërimi i të dënuarve për krime lufte do të shtrembëronte narrativat historike për brezat e ardhshëm.

7) Keqbërjet dhe krimet e luftës nuk duhet të atribuohen kolektivisht

Keqbërjet dhe krimet e luftës nuk duhet t’i atribuohen kolektivisht një grupi ose etnie, por janë individët që duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre që lidhen me konfliktin. Përderisa është e rëndësishme të luftohet mosndëshkueshmëria dhe të kërkohet drejtësi për viktimat përmes gjykimeve penale për t’i mbajtur ata persona përgjegjës për krimet e ndodhura, është po ashtu e papranueshme që të fajësohen pjesë të caktuara të një grupi apo bashkësie etnike për këto krime. Përgjegjësia penale është individuale, prandaj, vetëm individi mund të ndiqet penalisht. Atribuimi i krimeve të luftës në mënyrë kolektive ndaj një grupi ose etnie do të parandalojë procesin e vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe do të pengojë procesin e pajtimit. Nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga një komb i tërë nëse qeveria e tij urdhëroi akterë shtetëror dhe jo-shtetëror të kryejnë krime lufte kundër civilëve të paarmatosur.

Lexo po ashtu:  Sami Lushtaku dënohet nga Gjykata për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

8) Diskursi publik mbi BmK duhet të jetë i bazuar në prova

Diskursi publik i përdorur në kontekstin e Ballafaqimit me të Kaluarën duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe informacion të verifikuar. Çdo pretendim apo supozim i gabuar ose lajm i rremë mund të dëmtojë rëndë përpjekjet për të krijuar një kuptim të saktë të asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Kjo mund të çojë në keqinterpretime të së kaluarës, mohim të krimeve ose akuza të pabaza. Gjithashtu, kjo do të përkeqësojë më tej tensionet dhe ndjenjat negative midis anëtarëve të një bashkësie ose ndërmjet bashkësive. Prandaj, informacionet që kanë të bëjnë me konfliktin, viktimat dhe dëmet në veçanti, duhet të verifikohen para se të bëhen publike.

9) Gjuha e urrejtjes duhet të kundërshtohet në çdo nivel

Gjuha e urrejtjes është kërcënim për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, stabilitetin shoqëror dhe paqen. Prandaj, ajo duhet të kundërshtohet në të gjitha nivelet. Kundërshtimi i gjuhës së urrejtjes nuk shkon kundër lirisë së shprehjes. Përkundrazi, heshtja mund të tregojë indiferencën ndaj fanatizmit dhe jotolerancës. Gjuha e urrejtjes mund të përshkallëzohet në diçka më të rrezikshme, veçanërisht në nxitje të diskriminimit, armiqësisë dhe dhunës, e cila është e ndaluar në bazë të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

10) Identiteti i dëshmitarëve duhet të mbrohet

Shoqëria kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj rreziqeve të zbulimit të identitetit të dëshmitarëve në rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Masat mbrojtëse (afirmuese dhe ligjore) duhet të synojnë të kufizojnë ekspozimin e dëshmitarit ndaj kërcënimeve të mundshme dhe duhet të sigurojnë veprime të duhura (përshtatshme) ndaj kërcënimeve të jashtme.

Ky projekt implementohet me mbështetjen gjeneroze të Ambasadës Zvicerane në Kosovë, Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *