Besimtarët myslimanë do të hyjnë më në fund në xhaminë e Namazgjasë, ku do të kenë ambjente të përshtatshme dhe një hapësirë të bollshme e dinjitoze që garanton kushtet e përshtatshme për të kryer ritet fetare. Por dhurata e Turqisë nuk vjen pa “gozhdën e Nastradinit”. Ditën e enjte, kur në xhami të kryhet ceremonia e inaugurimit në prani të presidentit turk Rexhep Erdogan, ritet do të udhëhiqen nag një imam turk, të cilit Ministria për çështjet fetare në Turqi i ka caktuar Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.

Fakti që një ministri e Turqisë merr vendim për atë që do të ndodhë në Tiranë, është një anomali, e cila buron nga shtrija e konfliktit të brendshëm politik mes turqve deri në Shqipëri. Në njërën anë qëndron presidenti Rexhep Taip Erdogan, ndërsa në anën tjetër imami Fetullah Gylen. Në mes, kësaj radhe ishte godina e xhamisë së Namazgjasë, e përfunduar, por me derën kyçur për besimtarët shqiptarë.

Meqënëse xhamia u pagua me paratë e qytetarëve turq, presidenti Erdogan refuzoi për disa vite rresht t’ia japë çelsat Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pasi gjithnjë i ka shmangur drejtuesit e tij nga ceremonitë me natyrë fetare që ka zhvilluar në Tiranë. Caktimi i një imami nga Turqia për xhaminë e Namazgjasë ka qenë pjesë e një marrëveshjeje, që godina të mos mbetet më e shkretë siç ka ndodhur këto vite.

Lexo po ashtu:  Nën qytet zbulohet minerali i çmuar, 100 mijë banorët e tij do të zhvendosen

Imami turk quhet Enes Bastur. Ai është nga Bursa dhe e ka njoftuar vendimin ministrisë turke nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante se i është besuar drejtimi Xhamisë Qendrore Namazgja në Tiranë.

“Të dashur miq me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruajti ai.

Shpërfilljen që i bën Turqia duke i refuzuar klerikët shqiptarë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka gëlltitur për të pasur më në fund një ambjent të përshtatshëm për besimtarët. Institucioni zyrtar që njeh shteti shqiptar për administrimin e xhamive doli me një njoftim ku sqaroi se xhamia do të administrohet nga dy palë dhe se përfaqësues i tyre do të jetë Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja.

“Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej” thuhet në njoftim.

Importi i klerikëve të huaj është fenomen i njohur për shqiptarët. Prej dekadash kisha ortodokse drejtohet nga kryepeshkopi Janullatos që erdhi dhe u zhvendos nga Greqia ne vendin tonë. Po aq, klerikët italianë kanë qenë vazhdimisht prezentë në rolet drejtuese në hierarkinë e kishës katolike në Shqipëri.

Lexo po ashtu:  Fati yt/ Horoskopi, e mërkurë 18 Nëntor 2020

Ardhja e klerikëve të huaj në vitet 90 justifikohej me nevojën që kishin institucionet fetare për eksperiencën dhe dijen e tyre. Por pas 30 vitesh, këta mbetën ende në krye të institucioneve fetare të Shqipërisë duke treguar se nuk erdhën për të ndihmuar, por për të sunduar. Ndërkohë që të tjerë klerikë të huaj imponohen me lehtësi nga jashtë, thjesht përkeqësojnë imazhin e shqiptarëve si një popull me probleme në vetëorganizim dhe të paaftë për t’i ndërtuar dhe për t’i respektuar institucionet e tij./