Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku ka thënë se vendimet e sotme të qeverisë janë të mirëseardhura.

“Vendimet sot kanë qenë vendime që vijnë pas një kohe tepër të gjatë, pasi shumë keqpërdorime ishin bërë dhe ishte krijuar njëfarë rehatie. Ky është një fillim shumë i mirë, dhe duhet të kemi besim se ky takt i ditëve të para të jetë standard për qeverisjen”, ka thënë ai. “Nuk besoj se të gjitha këto veprime janë ndërmarrë për me trajtuar një rast specifik. Megjithatë, kjo ka qenë një formë e domosdoshme dhe janë vendime mëse të natyrshme për të funksionalizuar ministritë e reja”.

Ai ka shtuar se ka një dinamikë të punës së qeverisë, dhe sipas tij kjo është e mirë edhe kur mund të ketë edhe mospajtime pasi nuk kërkojnë unanimitet për çdo vendim.

Sipas tij gjithçka duhet të tejkalohet me votë.

“Tanimë qeveria është një trup dhe kur ka mospajtime duhet të zgjidhë brenda saj, e nuk e shoh në rrafshin e partive tani. Bllokada që u krijua në raport me mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë është tejkaluar dhe nuk kam mendim të prerë për këtë”, ka thënë Çeku.

Lexo po ashtu:  Dritan Abazoviçit merr vendimin e parë si kryeministër i Malit të Zi

Ai thotë se vendimi për shkarkimin e Bordit të Telekomit ka ardhur në bazë të raportit të Auditorit.

“Në vendim citohet raporti i Auditorit që tregon parregullsi të panumërta në Telekom, asgjë e re. Ky raport dhe me ligj i takon Qeverisë për të vlerësuar punën e bordeve të ndërmarrjeve dhe besoj se është një vendim shumë i drejtë. Bordi i Telekomit simbolikisht ndoshta ka qenë pjesa më e kalbur për të zhvatë buxhetin e shtetit. Ky është vetëm hapi i parë, por tani duhet të bëhet edhe llogaridhënie. Se ndryshe do t’i bie njëlloj amnistie, nëse ata shkojnë veç në shtëpi. Ka filluar me Telekomin, duhet të vazhdojë më tutje, për mua nuk mjafton me këtë. Dhe vetëm kur të kompletohet njëlloj vettingu, atëherë do të jem i kënaqur me punën e qeverisë”, ka thënë Çeku.

Ai thotë se nuk do të ketë emërime partiake në bordin e ri të Telekomit, pasi duhet të bëhen duke u bazuar në meritokraci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *