Nga Gëzim Mekuli
Ne kemi nevojë akute për një gazetari profesionale

Sa shumë gazetarë e gazetare kanë shqiptarët sot. Por, shtrohet pyetja se sa janë të mirë këta. Dihet se gazetaria përballet me shumë pasiguri dhe me shumë kërkesa. Gazetaria sot është nën presionin e komercializimit dhe nga fuqia e kompanive të mëdha.

Gazetaria, sot është nën presionin dhe nga monopoli i burimit të lajmit. Gazetaria është nën presionin edhe nga kompromiset dhe nga marrëveshjet e shumta interne. Me këtë dua te them se mediat janë duke u industrializuar. Por, gazetaria nuk duhet të jetë industri.

Ja disa momente me përgjigje të përkohshme: Gazetaria profesionale shpeshherë po bëhet nga amatorët të internetit. Pra, sot, ne mund të jemi edhe gazetarë e edhe redaktorë të vetvetes.

Vazhdimisht është duke u eksperimentuar me mediat e reja, ku shfrytëzuesit dërgojnë përmbajtjen dhe ku lexuesit janë vetë gazetarët. Pa dyshim se kjo është kohë e përshtatshme, me mundësi të reja për t”u shprehur, por edhe arenë, po ashtu e re, për të ndërtuar dhe ndihmuar demokracinë.

Lexo po ashtu:  Gjashtë të vdekur e disa të lënduar nga të shtënat në masë në Gjermani

Por, a është kjo e mjaftueshme?

Ne kemi nevojë akute për një gazetari profesionale, për një gazetari që mund “të gatuajë” dhe sigurojë një informacion të cilësisë të lartë. Ne jemi të uritur për një informacion që është brumosur në përputhje me kërkesat e rregullave gazetareske. Ne kemi nevojë për një gazetari që është kritikëhapur ndaj burimit të informacionit dhe standardeve etike.

Të besosh se të gjithë janë gazetarë e gazetare vetëm e vetëm se publikojnë ndonjë shkrim në internet apo gazetë, është budallallëk i madh. Kjo do të ishte e njëjtë sikur të besosh se ne të gjithë jemi mjekë vetëm e vetëm nëse çdo ditë pyesim njëri-tjetrin: “Si je me shëndet? A po të dhemb barku sot? A je më mire?”

Gazetaria është profesion intelektual

Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kanë aftësi e mprehtësi intelektuale për të analizuar, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për reflektimin vetanak. Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët me gjithë mend e kanë lexuar dhe e respektojnë kodin moral të gazetarisë, “atë prishtinase e tiranase”, ku, ndër të tjera, pa dyshim, duhet të ceket se “obligim i gazetarisë është që të hulumtojë se si mediat vetëpërmbushin rolin dhe detyrat e tyre në shoqëri”. “Jemi lazëm, shumë lazëm” për një gazetari që nuk është vetëm kritikë, por edhe vetëkritikë.

Lexo po ashtu:  Ministri i Jashtëm i Turqisë vjen në Shqipëri! Arsyeja e vizitës

Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kuptojnë jo vetëm rolin e tyre në media, por edhe fuqinë dhe pushtetin që këta e “fitojnë” prej mjeteve të informimit. Këta, medoemos duhet të kuptojnë lojën e tyre për fuqinë dhe se çfarë kuptimi ka për të tjerët në shoqëri “dramaturgjia dhe teatri” që këta e administrojnë. Në këto ndryshime të mëdha që gjendet populli shqiptar, ne kemi nevojë për gazetarë të cilët i kuptojnë kufijtë e tyre, që kuptojnë politikën ekonomike moderne të mediave. Sot, siç po duket, gazetaria jonë po rrëshqet drejt “gazetarisë së LEK-ut”.

Kemi përsëri nevojë për gazetarë e gazetare që e mirëkuptojnë publikun e vet, që mund të shikojnë përmbi paragjykimet klishe për konsumuesit e tyre. Kemi nevojë për gazetarë e gazetare, të cilët janë qind për qind të sigurt me opinionet e tyre rreth asaj se çfarë dëshiron ky popull i mjeruar e ende i pushtuar.

Kemi nevojë për gazetarë e gazetare që kanë të zhvilluara mirë njohuritë për zhanrin gazetaresk dhe që kanë vetëbesim për atë që shkruajnë. Pra, ne kemi nevojë të madhe për gazetarë e gazetare që dinë diçka, që dinë më shumë sesa të bëjnë vetëm pyetje të zbrazëta e të mbajnë mikrofonin në dorë. Por, ne nuk kemi nevojë për gazetarë e gazetare që investojnë në egon e tyre dhe që rreziten nën shkëlqimin e luksit të mediave.

Lexo po ashtu:  Për herë të parë në histori, bota ka më shumë pleq sesa fëmijë

Edhe më pak, ne shqiptarët nuk kemi nevojë për gazetaruc e gazetaruce që janë prodhim ideologjik i UNMIK-ut apo prodhim i klaneve partiake. Ne fare nuk kemi nevojë për media që vetëquhen “qind për qind të pavarura”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *