Po cila është e vërteta për qëndrimin tim ndaj mbajtjes së portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës, në të vërtetë në një institucion partiak dhe në një institucion administrativ të Kosovës? Nuk është e vërtetë se jam ngritur me “nervozizëm” kundër mbajtjes së portretit të shenjtores, Nëna Tereze, në institucionet e Kosovës; e vërtetë është, vetëm, se jam ngritur dhe ngrihem pa nervozizëm kundër përdorimit politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së misionares dhe humanistes, Nëna Tereze, prej disa fundamentalistëve fetarë dhe disa koniunkturistëve politikë gjithnjë për interesat e tyre fetare – në rastin e parë dhe pushtetore – në rastin e dytë. Të them se menjëherë pas vdekjes së saj, për Nënën Tereze kam botuar një sprovë dhe kam dhënë dy deklarata: njërën të kërkuar prej BBC-së e tjetrën prej medieve të Prishtinës. Qëndrimi im ndaj emrit dhe portretit të Nënës Tereze sot nuk mund të mos jetë i kushtëzuar nga përdorimi  fundamentalist fetar dhe politik i atij emri dhe atij portreti. Mbas gjithë asaj që është bërë dhe po bëhet rreth Nënës Tereze, domethënë mbas gjithë këtij përdorimi e shpërdorimi politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj si misionare dhe humaniste, nuk e quaj kombëtarisht të mençur mbajtjen e portreteve të saj qoftë në institucionet politike e shtetërore të Kosovës, qoftë në institucione politike e shtetërore të Shqipërisë shtetërore.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Jo. Është tejtheksuar se veprimtaria prej humanisteje e Nënës Tereze është e pandarë, madje, e kushtëzuar, nga veprimtaria e saj prej misionareje katolike. Papa Gjon Pali i Dytë ka shpallur disa qindra të shenjtë, gjithsesi, thonë njohës të tij, më shumë se të gjithë papët para tij. Ndër shenjtorët dhe shenjtoret që ka shpallur Ai dhe që kanë shpallur papët para tij natyrisht se nuk ka ortodoks, hebre, hindus, mysliman. Të gjithë janë shpallur shenjtorë dhe shenjtore sepse ishin të jashtëzakonshëm si katolikë. Është e kuptueshme se prej të gjithë atyre që e shikojnë portretin e Nënës Tereze, kudo qoftë i vënë ai, që e shikojnë shtatoren e saj kudo qoftë e ngritur ajo, që e lexojnë emrin e saj kudo qoftë i shkruar ai, Nëna Tereze perceptohet si shenjtore katolike. Kot përpiqen të na e mbushin mendjen përdoruesit fetarë dhe politikë të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj humaniste, se Nëna Tereze meriton të jetë portreti, shtatorja, mbishkrimi mbizotërues në institucionet politike e shtetërore, në institucionet kulturore të qyteteve shqiptare, sepse është fituesja e vetme shqiptare e Çmimit Nobel. Çmimi Nobel i është dhënë edhe shkencëtarit dhe humanistit shqiptar, Ferid Murati, zbulimi shkencor i të cilit është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit në të gjitha kontinentet dhe jo vetëm për të sëmurët, të varfrit e të braktisurit e botës, para së gjithash, të Indisë. Por, Ferid Muratit nuk i ngrihet kund një shtatore, nuk stoliset me emrin e tij ndonjë institucion kulturor, nuk vihet portreti i tij në ndonjë institucion politik e shtetëror. Pse? Sepse Ferid Murati nuk është i krishterë prandaj emri dhe portreti i tij nuk mund të shpërdoren për nevojat e mobilizimit politik të krishterimit dhe për nevojat karrieriste të koniunkturistëve tanë politikë dhe kulturorë.

Lexo po ashtu:  Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, tani regon edhe grupi radikal islamik, "Hamas":

         Në fund të shtjellimit të sipërthënë është e kuptueshme të shtrohet pyetja: ku i çon shqiptarët përdorimi i tillë i tejshtrirë e i tejmadhëruar fetarisht i emrit, i portretit dhe i veprimtarisë së Nënës Tereze? Çka u sjell shqiptarëve, të cilët u takojnë jo vetëm dy a tri, po pesë feve (katolike, ortodokse, myslimane, protestante dhe ateiste) përdorimi aq irracional i emrit, i figurës dhe i veprimtarisë së një shenjtoreje sa edhe emri i aeroportit të Tiranës pagëzohet me emrin e saj: NËNA TEREZE, edhe pse çdokush mund ta dijë se prej atij aeroporti, ashtu si edhe prej çdo aeroporti në këtë botë, mund të ngrihen nesër edhe aeroplanë luftarakë, që do të bombardojnë fshatra e qytete e të vrasin burra, gra, fëmijë, të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo ua kishte kushtuar jetën? Çka do të thotë ky mitologjizim në thelb fetar, për arsye fundamentaliste fetare dhe të koniunkturshme politike, i një shenjtoreje në një vend shumëfetar? Logjika e jep këtë përgjigje: do të thotë nxitje e pjesëtarëve të feve të tjera, para së gjithash, të fesë myslimane, që e njëjta gjë të bëhet me emrat dhe me portretet e figurave të shquara fetare të fesë së tyre.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress Për këtë arsye emri, portreti dhe shtatorja e Nënës Tereze duhet vënë në mjedise fetare, humanitare dhe shëndetësore e jo edhe në aeroportin e Tiranës, e jo edhe në institucione politike e shtetërore, e jo edhe në sheshe të qyteteve. Bashkëjetesa e harmonishme mes feve të cilave u takojnë shqiptarët, baraspesha historike midis këtyre feve, interesat historike të popullit shqiptar e kërkojnë sot si dje, nesër si sot, që emrat, portretet dhe shtatoret e figurave të njohura, të shquara e të mëdha kombëtare, historike dhe kulturore, siç janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Konstandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, Çajupi, Fan Noli, Faik Konica, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Eqrem Çabej Aleksandër Moisiu dhe të sa e sa piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, shkencëtarëve, krijuesve e artistëve të tjerë të mos zëvendësohen nga emra, portrete, shtatore klerikësh, shenjtoresh, që perceptohen para së gjithash si vetje fetare – katolike, myslimane, ortodokse. Të sipërpërmendurit janë emra vetjesh që mbahen mend për veprat kulturore që kanë lënë a për bëmat historike që kanë bërë, që kanë pasur, kanë dhe do të kenë funksion integrues në jetën e popullit shqiptar sepse vepra e tyre, krijimtaria e tyre, veprimtaria e tyre kulturore, shoqërore, politike i shërbente Shqipërisë, u shërbente të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht së cilës fe i takojnë, ata perceptohen ndryshe se ç’perceptohet Nëna Tereze: perceptohen kryekëput si krijues e veprimtarë atdhetarë e jo si fetarë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  Edhe një dorëheqje në AAK

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *