Të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë është e domosdoshme që të implementohen, ka thënë Miroslav Lajçak, Emisar Special i Bashkimit Evropian, pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Të dy u takuan në Beograd, në vizitën që Lajçak i ka bërë Vuçiç-it në përvjetorin e nëntë të marrëveshjes së parë të arritur mes Kosovës e Serbisë në ndërmjetësimin e BE-së.

Lajçak ka deklaruar gjithashtu se do të vazhdojë të jetë shumë i angazhuar rreth dialogut dhe shpreson që të mos krijohen vonesa të mëtutjeshme, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Takimi i tij në Beograd vjen në kohën kur delegacionet e Kosovës e Serbisë takohen për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e targave.

21 prilli, e enjte, do të jetë edhe dita e fundit për të gjetur zgjidhjen, meqë skadon marrëveshja e përkohshme për ngjitësit në targa.

Vuçiç, duke anashkaluar faktin se ka dhjetëra marrëveshje që Serbia nuk i ka zbatuar, përkundër se i ka nënshkruar, shfrytëzoi rastin për të përmendur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje që Kosova e ka nënshkruar, por që më pas Gjykata Kushtetuese e nxori si jashtë frymës kushtetuese në rreth 22 pika të tij.

Lexo po ashtu:  ASH: Konfirmohet nga Alicia Kearns, të gjithë deputetët e partisë i bashkëngjiten letrës në mbështetje të Kosovë

“Nëntë vjet kanë kaluar që nga marrëveshja e Brukselit dhe ende nuk ka asnjë shenjë në implementimit e obligimeve të marra nga Prishtina”, tha Vuçiç “sidomos në lidhje me Asociacionin”.

Në fjalinë përmbyllëse të Vuçiç pas takimit, ai ka falënderuar Lajçakun për durimin e treguar dhe “qasjen e tij konstruktive”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *