Pjesa më e madhe gjërave që përjetojmë, nuk lënë gjurmë në kujtesë:mësimi i një informacioni të ri kërkon përpjekje dhe shumë përsëritje. Megjithatë, harresa e përvojave veçanërisht traumatike është jashtëzakonisht e vështirë, në mos e pamundur.

Kujtimet që lidhen me aksidentet, dhunën, frikën e madhe, hidhërimin ose ndarjen, mund të na përndjekin si të ishin fantazma. Po pse ky ndryshim? Përgjigja, fillon nga mënyra se si trupi reagon ndaj kërcënimeve.

Të gatshëm për të reaguar

Kur gjendemi në një situatë të rrezikshme, trupi ynë zhvillon një seri reagimesh automatike. Rrahja e zemrës përshpejtohet dhe arteriet tkurren, duke pompuar më shumë gjak në drejtim të muskujve, të cilët mbeten të tensionuar dhe të gatshëm të arratisen. Shtimi i djersitjes – sidomos në këmbë dhe duar – forcojnë aftësinë tonë për t’u kapur pas diçkaje dhe shpëtuar nga rreziku.

Në disa raste, thjesht “ngrijmë”, dhe bëhemi të paaftë për të lëvizur.

Ndërgjegjësimi ndaj rrezikut, nxit një grupim të dytë përgjigjesh. Shqisat rrinë në alarm, dhe mendimet janë të shpejta, duke kërkuar zgjidhje ose në të kundërtën, pësojnë një kolaps total të kthjelltësisë. Frymëmarrja bëhet e rënduar, koka vuan nga marramendja.

Njësia qëndrore e frikës

Këto reagime të menjëhershme mbrojtëse, kontrollohen nga një sistem nervor shumë i vjetër, të cilin e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë. Në veçanti, nga amigdala, një grup strukturash të vendosura thellë në të dyja lobet mesore të trurit. Ajo analizon informacionin ndjesor të lidhur me rrezikun, dhe dërgon sinjale në pjesët e tjera të trurit si hipotalamusi, i cili çliron hormonet që kontrollojnë për shembull nivelin e alarmit.

Lexo po ashtu:  Besforti, shqiptari nga Kosova që shkëlqeu në Oxford

Dy mënyra

Studimet shkencore të kryera deri më sot, sugjerojnë dy rrugë nëpërmjet të cilave sinjalet shqisore arrijnë në amigdala. Rruga më e ulët, është një rrugë e drejtpërdrejtë nga talamusi (një strukturë e përfshirë në perceptimin ndijor dhe emocionet tona) direkt në amigdala, nëpërmjet një shtegu që nuk përfshin kalime në korteks.

Ky qark sjell një përgjigje të menjëhershme, por jo të ndërgjegjshme ndaj rrezikut, dhe shpjegon se përse nganjëherë reagojmë ndaj një kërcënimi, edhe para se sa të perceptojmë atë. Rruga e lartë kalon nëpër zonat shqisore të lëvores, dhe i siguron amigdalës një fushëpamje më të detajuar të rrezikut.

Për shembull, kur dëgjojmë një zhurmë, ndoshta ne mobilizohemi edhe para se ta kuptojmë se çfarë është ajo (rruga e ulët); nëse shohim dikë me një armë, truri ynë do të përpiqet të gjejë shpejt një arrati të sigurtë nga vendngjarja (rruga e lartë).

Gjurmë të pashlyeshme

Mbi këtë mekanizëm të përpunuar, strukturohen kujtimet. Ato që lidhen me një përvojë traumatike janë dy lloje, të qarta dhe të nënkuptuara (ose të pandërgjegjshme). Këto të fundit janë në fakt të pashlyeshme, sidomos kur marrin formën e kushtëzimit. Ata rrjedhin nga një lidhje mes një stimuli që konsiderohet normalisht neutral, dhe një stimuli të rrezikshëm, apo të dhimbshëm, që aktivizon një reagim të menjëhershme mbrojtës:

Lexo po ashtu:  Sa peshon një pendë?

Në tru, ai formon një lidhje të fortë midis stimulit neutral dhe përgjigjes “alarmuese”. Pak e shumë si qeni i famshëm i Pavllovit, që nis të jargavitet kur dëgjon rënien e ziles, por në këtë rast, reagimi na vendos përballë një situate alarmi, frike, sikleti.

Amigdala, luan një rol vendimtar në formimin e këtyre lidhjeve, të cilat forcojnë hormonet si kortizoli dhe norepinefrina. Mendohet se kujtimet traumatike, janë një lloj reagimi i kushtëzuar ndaj rrezikut. Një personi që i ka mbijetuar një aksidenti të rëndë me biçikletë, fenerët e një kamioni të ngjashëm me atë të parë pak sekonda para përplasjes, mund t’i shkaktojnë rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, dhe reagime të pakontrolluara.

Këto përgjigje ndodhin shpesh, edhe pa një ri-evokim të ndërgjegjshëm të përvojës traumatike.

Kujtimet e qarta, janë ndërkohë të koduara nga zona të ndryshme të trurit, që kanë analizuar aspekte të ndryshme. Kur i risjellim në mendje, tregimi i tyre mund të pasqyrojë terrorin e përvojës origjinale, dhe të jetë po aq i çorganizuar dhe i fragmentuar; shumë më pak linear, se ai i një gjurme të fituar në kushte më pak të vështira.

Lexo po ashtu:  Jeta private tragjike e Viktor Hygosë. Vdekje të hershme, dashuri, dhimbje, fatkeqësi…

Edhe më i qëndrueshëm

Së fundi le të ndalemi tek aspekti i e ri-evokimit. Edhe pse ndonjëherë nuk konsiderohen si të tilla, kujtimet janë fenomen biologjik, dhe si të tilla ato janë dinamike dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve. Risjellja në mendje e qarqeve aktive nervore në të cilën janë ruajtur ato:aktivizimi elektrik i sinapseve, dhe disa procese brendaqelizore, i bëjnë këto kujtime të ndjeshme ndaj ndryshimeve.

Përvoja origjinale, mund të deformohet ose të “ndotet” me disa detaje të reja, në varësi të kontekstit në të cilin evokohet. Për më tepër, hormonet e stresit të çliruara nga përvojën e kujtimit (për shembull, në sallën e gjyqit), veprojnë duke e konsoliduar kujtesën origjinale.

Ka një rrugëdalje

Fatmirësisht, këto karakteristika të njëjta mund të shfrytëzohen në aspektin klinik:kujtimi i një përvojë traumatike në kushte “të sigurta”, me një nivel të ulët të stresit, ju ndihmon të përditësoni detajet e asaj përvoje dhe riorganizimin e fazave, duke zvogëluar kështu ndikimin e tij shkatërrues.

Burimi: Focus  /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *