Pikasje ose ftesë

Çështja e shqiptarëve është bërë dy herë ndërkombëtare, vërtetë ndërkombëtare. Me Lidhjen e Prizrenit dhe me Luftën e UÇK-së. Por një herë të vetme ajo mori zë të tillë që e çau inteligjencien politike të Perëndimit më dysh. Kjo ishte me luftën çlirimtare të UÇK-së. Inteligjencia dhe politika evropiane u nda në mes, gjeti pikën e saj nevralgjike. Dhe ne ekzistuam në prishjen e rehatisë së këtij peizazhi. Atë që vuajtjet e shqiptarëve në një shekull nuk mundën ta bëjnë çështje, ja që rezistenca me armë e bëri të tillë. Atë që krimet jugosllave nuk e thirrën dot, shqetësimin humanist dhe intelektual të Evropës, e bëri të mundur veprimi radikal i luftës çlirimtare dhe sakrifica sublime e Jasharajve. Dhe kjo vështirësi, ngaqë Evropa ka fytyrën neo-liberale të Macronit. Franca sot është një konfuzion makro: ajo përmabn në vete një përzjerje të dyshimtë thellësisht në mendimin politik: ajo përmban së pari figurën nostalgjike të së majtës franceze për projektin jugosllav, nëndheshëm mbahet mbi themelet anakronikë të së djathtës franceze që mendon gjithnjë serbët e vrarë për Francën në Luftën e Parë Botërore, dëshirën për me e pasë mirë me rusët, sado larg të jetë prej vlerave të politikës ruse të ditës. Ndaj dhe sot shohim se si presidenti francez përshëndetet me popullin serb dhe presidentin e tij pa iu prishur shumë gjaku. Shqiptarët mundën ta thërrisnin këtë Francë në tjetër qëndrim vetëm me luftën çlirimtare. Beteja intelektuale në Francë ishte shumë e fortë. Së shpejti në shqip do të botohet libri i filozofëve politikë, Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel, mbi Kosovën dhe çarjen që ajo prodhoi në peizazhin e rehatshëm të majtë të mendimit francez. Ai lloj France u zhduk përsëri nga korruptimi i vlerave të qeveritarëve shqiptarë të Tiranës, të Prishtinës dhe atyre që përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni. 
Duhet kuptuar mirë: ne hymë në mendimin e qetë evropian me sakrificën e luftës, duhet të qëndronim brenda tij me sakrificën e punës. Nuk e bëmë një gjë të tillë. Rezultati: Macroni nuk shqetësohet t’i japë dorën Vuçiçit. Por, a e keni dëgjuar Macronin të guxojë ndonjëherë e të shprehet mbi ndonjë vend fqinj a të largët me shprehjen raciste “popull i pacivilizuar” apo “i zbritur nga malet”. JO! Macroni nuk mund ta thotë një gjë të tillë. Ama, ai mund t’ia japë dorën udhëheqësve të një shteti që, pasi kanë kryer krime sistematike dhe shtetërore kundër njerëzimit, nuk kanë skrupuj dhe shprehen lirshëm edhe për shkallën e civilizimit të viktimave të tyre. 

Kjo ka dy shkaqe:
1. Politikën tonë të shthurur të paqes dhe indiferencën politike të shoqërisë shqiptare ndaj sakrificës së vet;
2. Faktin që intelektualët më të zëshëm francezë të shekullit XX nuk e gjetën me vend të zbulojnë e të mbrojnë të drejtat e një popullsie nën emrin shqiptar në Jugosllavi. Nuk i takon qyteteve të shtypur të zbulojnë e të thërrasin filozofët politikë, por u takon filozofëve politikë të zbulojnë popujt e shtypur, të shpallin të drejtat e nëpërkëmbura, të denoncojnë regjimet despotikë.
Nuk është aspak e drejtë të mendosh se Foucault nuk zbriti në Prizren, sepse Prizreni nuk e meriton. Është e kthjellët me mendu se Foucault-së as nuk i shkoi mendja se ekzistonte ndonjëherë ndonjë Prizren në këtë botë. Natyrisht që filozofi Foucault nuk mund të mendojë për gjithë cepat e burgosur, të disiplinuar, të ndëshkuar të botës, por një teoricien si Alain Brossat e bëri një gjë të tillë. Po! Alain Brossat, Jean-Yves Potel, filozofë të shekullit XXI ishin në Prizren. U shprehën për Kosovën dhe Prizrenin. Por rrjeti i filozofëve më mediatikë nuk zbritën në Kosovë. Pra, ne e bëmë rezistencën e paqes dhe luftën e armatosur në atë masë sa një grup intelektualësh francezë dhe shqiptarë të krijonin në Paris Komitetin e Kosovës. Por ne nuk bëmë punën e drejtësisë dhe teorisë së paqes aq denjësisht sa një komitet i tillë të zbriste e të vendosej në Kosovë. Komandantët nuk e kuptuan se lavdia e luftës duhej administruar shumë hollë në paqe, teori dhe punë. 

Tanimë, nga ajo çarje intelektuale e Parisit nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. Dhe kjo mungesë gjurme duhet të na shqetësojë intelektualisht. Do i ngremë flakadanët në Prizren, për sa që në Paris sundojnë intelektualët, sidomos të majtë, që vazhdojnë e thonë se ndërhyrja në Kosovë nuk ishte e drejtë. Përsa që Macroni mendon se është e drejtë të mbështetet një president që deklaron se Milosheviçi ishte burrë i madh shteti, por nuk e mbaroi misionin (spastrimin etnik). Intelektualët shqiptarë, shkrimtarët e hollë shqiptarë, përpara se të gjejnë te flakadanët estetizimin e politikës, le të gjejnë më mirë në relacionin e paqtë francez, mes inteligjencies dhe pushtetit, çnjerëzimin e politikës.

Lexo po ashtu:  Ja sesi e pershkruan luftën e çetës së vet luftëtari dhe shkrimtari, Mihal Grameno

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *