Shqipëria politike po afrohet sërish përballë një problemi delikat siç është ndarja e kufirit detar me Greqinë dhe zonave ekonomike me të. Problemi është delikat jo për kompleksitetin e aspektit teknik të procesit, por për shkak të sjelljes së elitës politike në raport me çështje të tilla që rezonojnë përtej shqetësimeve të saj të natyrës strikt ekonomike.

Një politikë e personalizuar, e përqendruar tërësisht mbi mbarështimin e interesave ekonomike të një klani, nuk ka as vullnetin, por nuk ka as kapacitetin që të formulojë një politikë shtetërore afatgjatë në marrëdhënie me të tjerë. Ta zëmë, sot flitet gjerësisht për detin dhe Greqinë, por askush, askush nuk kujtohet të vërë në dukje se ne si vend nuk kemi një politikë për peshkimin, që do të duhet të ishte një sektor ekonomik me rëndësi po të mbajmë parasysh pamjen gjeografike të vendit. Nëse Shqipëria do të kishte një politikë për peshkimin, një për energjinë, atëherë ajo do të iste në gjendje t’i afrohej problemit të kufirit nga premisa më të besueshme sesa kjo mania pas koordinatave në hartë, të cilat pakkush i kupton.

Lexo po ashtu:  Spastrimi i Shqipërisë

Të kemi parasysh se Italia kur ndau kufirin me Greqinë kërkoi respektimin e të drejtave të peshkatarëve të Jugut për peshkimin e karkalecit të kuq në Jon, duke mos u ndalur dhe aq në të ashtuquajturat “triliona dollarë pasuri gazi” siç pretendon dikush në Shqipëri.

Strukturat dhe interesat e strukturuara ekonomike e bëjnë më të kuptueshëm tensionin eventual në çështje të tilla dhe e bëjnë të detyrueshme transparencën. Ne sot jemi në një situatë ku duhet të dorëzohemi në besë të një njeriu që po na betohet për kokë të katragjyshit se nuk do të shesë detin. Por kjo është një frazë që i bën apel apo jehonë një emocioni dhe manipulon me të për interesa elektorale, por pak lidhet kjo me një interes ekonomik real të qytetarit shqiptar. Një milje më tutje, apo një milje më tëhu pështjellojnë perceptimin për atë që është e drejtë, apo për të ashtuquajturin patriotizëm të qeverisë, por në situatën tonë ato nuk i përgjigjen asnjë interesi real, të prekshëm.

Lexo po ashtu:  Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës.

Është ky anormalitet i një vendi që bregdetin e sheh si hapësirë për të mësyrë me ndërtime që shohin nga deti që na detyron që të kënaqemi me apologjitë e kryeministrit si shans se nuk kemi për ta pësuar sërish. Apo të detyrohemi të lexojmë analizat e ish-kryeministrit për të shtuar dozat e dyshimit.

Nëse hedhim sytë përreth, në Greqi apo në Turqi, ne do të shohim se për çështjet e politikës së jashtme ka raportim të vazhdueshëm dhe organizohen konferenca për shtyp nga zëdhënësit përkatës, sikurse publikohen edhe qëndrimet e qeverive edhe për çështje si kjo e kufirit.

Ne jetojmë në një vend ku edhe për kufirin na duhet të shpresojmë se kryeministri me të vetët do të kenë një minimum serioziteti dhe debati i vetëm është sulmi për tradhëti. Ministrat janë zëdhënës memecë dhe shërbëtorë Facebook të një njeriu të vetëm, i cili flet kur do ose kur e detyron klima e dyshimit.

Në këtë kuptim çështja e kufirit detar në vend se të ishte aspekt i një qasjeje me karakter ekonomik, ka mbetur një casus mediatik sezonal dhe pa tingëllim real, ku ushqehet një retorikë boshe. Sesa e vërtetë është kjo ne mund ta kuptojmë këtë në faktin se ndonëse kemi ndarë kufirin detar me Italinë që në vitin 1992, asnjë e drejtë e jona ekonomike që lidhet me detin nuk ka ngritur peshë, sepse asnjë politikë e tillë nuk ekziston seriozisht.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët – kufiri i fundit i botës perëndimore me botën dhe interesat ruse në Gadishullin Ilirik 

Cila është atëherë rëndësia e debatit për koordinata dhe milje, kur në çdo rast do të kemi një humbje apo një fitore virtuale që nuk ndryshon asgjë në jetët tona dhe interesat reale, duke konsumuar një dramë të paqenë? E cila edhe kështu na vjen me skenar të zbardhur nga të tjerë?

s.zaimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *