MekuliPress ju sjellë poezinë e Ndre MJEDËS, e vitit 1902, kur u arrestua dhe gati u internua në Anadoll nga qeveria e Stambollit për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare.

I mbetuni

Edhe shtaza po gazmohet,
Edhe bari mungullon;
N`shend natyra gjith po çohet,
Vec ti, i mjeri, po gjimon.

Kang`e valle tui bashkue
Shend prej gojet gjithkush qet;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej a n`gjinie t`vet.

Tui ankue per t`zeza t`veta
Për gjith derë tui lypë kërset;
Për të t`dhimtun kërkund s’gjeta:
Porsi i huej a n`katund t`vet.

Lodh` e unshëm, kur vjen nata,
N`prehën t`nanës me shkue kujton;
Edhe nana i diq e ngrata,
E kush t`vorfnin s`e ngushllon.

Bab`, oh! babë! sa herë ndo`j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot;
Por për’ tene a fjalë trishtimit,
A nji fjalë që përmend kot.

Për dhe t`vet dalë n`ushtrie
Rrebtë qëndroi i jati e diq;
Sot i vorfni askund nji shpie,
Nji copë buk s’e gjen nder miq.

Ah! ti njomë, o njomë e mjera,
Dit` e natë qe po vajton:
Kund nder miq nuk t`çilet dera,
Kërkush vajin s t`a pajton.

Lexo po ashtu:  PETRO MARKO: ARRESTIMI I DJALIT, GJËJA MË E RËNDË E JETËS SIME

Dit`e natë pa buk e shpie
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prej t`pasunish zotnie
Një fjalë t`mirë kërkush s’ja kthej.

Ku ke babën me t`ndimue?
Ku ke nanën me derdhë lot?
Ty gjith robi t`ka harrue,
Kërkush s`do me t`dalun zot.

Tui rae bor, tui frye murrlani,
Mjet dy vorreve si`j lis,
Afër gropës që vet`e bani,
Djali i vorfën u molis.

Afër nanës u shtrue me fjetun,
Afër babës kërkoi pushim;
Kurgja t`ngritin s’ka me e gjetun,
T`xet e t`ftoftë s’kan me pas ndrrim.

Me njata që veç e doshin
Trupi i t`vocërrit pushoj;
E n`lumnie që ata po gzoshin
Shpirti i njomës fluturoj.

Ndre Mjeda – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *