Lutje

Vajz’ e bukur
Më je dukur
Dritë jete plot shkëlqim
Pa lëvdatë
Ke dhuratë
Që prur gaz e dëshpërim
Me plot mall e ngushëllim!

Syverore
Zëhyjnore
Që  me çel me hirin tënd,
Faqedardhë
Gushëbardhë
Që shpall rreze kënd-e-kënd
Rreze tretur gjith n’ergjënd.

Buzëkuqe
Si burbuqe
Erë lulesh kundërmon;
Pikë vese
Ngjallje shprese
Cdo të dhembur q’e shëron
Kur plot andej dashuron.

Syrin çile
Si kandile
Që shenjëtorët i ndriçon;
Ledhatare
Fisbujare
Eja zemra të kërkon
Dritë teje dëshëron.

Hapi krahtë
Pa zembratë
Porsi nj’engjëll shpëtimtar,
Falmi gjinjtë
Meskërdhinjtë,
E më prit më prit me zjarrë:
Pa le t’jet’ aty një varr !

“Fytyrën tënde”

Shum her’e kam mallkuar jetën time
Shpeshherë thom që s’dua më të rroj,
Por kur “fytyrën” ty gjith ta vështroj
Harronj çdo vojtje jete-e hidhërime!

Por prap atë fytyrë’un’ e mallkoj
Sado ma mbush zemrën me gëzime,
Kur shoh se sa më tepër e adhuroj:
Cdo prehje shpirti ndrohet në mundime!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lexo po ashtu:  Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *