Mediat në Kosovë raportojnë se në Leoposaviç është djegur makina e nënkryetares së Komunës, Dragana Miletiç. Sipas autoriteteve policore të Kosovës, ky akt nuk duhet lidhur me ndryshimin e targës prej saj, por Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar aktin si kriminal dhe që synon integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Incidenti është karakteristik për operacionet serbe që duan të krijojnë pasigur, të fryjnë tensionet aq sa në mënyrën më groteskte floën gjatë verës për terrorin e Albin Kurtit ndaj serbëve.

E mjerueshme në vetvete, një politikë e tillë që e sheh serbin si viktimën e vetme në Europën e sotme, ka gjetur një shprehje tjetër edhe tek incidenti I pllakës përkujtimore të të rënëve të Luftës I Botërore nga varrezat e Prishtinës, për të cilat pala serbe foli për fshirje të memorjes historike. Reagoi me këtë rast edhe Dioqeza e Rashkë-Prizrenit, që sillet si detashment propagande dhe trupë vajtimi edhe kur në qiellin e Prishtinës ka disa bubullima.

Sot që u njoftua se pllaka ishte lëvizur me nismën e ambasadës franceze në Kosovë, politika e Beogradit ndryshoi. Portali “KoSSev” publikonte një letër të drejtueses së tij, Tatjana Lazareviç drejtuar ambasadorit francez Olivier Guerot, përmes së cilës elegjia për heroizimin e nëpërkëmbur të serbëve vazhdon në forma nga më keqardhëset. Lazareviç arrin deri aty sa shprehet ndër të tjera se “i vjen keq që nuk kërkuat as opinionin tim madje”, nisur nga fakti se ajo mban Urdhërin e Meritës, dhënë nga Franca.

Lexo po ashtu:  “Zëdhënësi i Beogradit, Baton Stanishiqi, paska një kërkesë pro Serbisë”

Ka nisur madje edhe një peticion online për të rikthyer pllakën nga disa metra më tutje, diçka që meriton përgëzime për sensibilitetin, por që duhet parë me dyshim për motivet dhe këtë lloj klaustrofobie nacionale të serbëve që nuk ndihen mirë po qe se në botë ka edhe të tjerë veç tyre. është tanimë e qartë se serbët e Kosovës kanë një armik shumë më afatgjatë sesa shqiptarët: propagandën e sëmurë të Beogradit. Aty ku ata mund të kenë një vend për t’u krenuar me historinë, shohin patjetër një vendbeteje të re duke krijua paranoja, armiq dhe kundërshtarë që në fakt nuk kanë gjë me historinë e tyre, ata faktuale, por me interpretimin e saj prej pacienti terminal.

s.zaimi