Protesto

Protestat e sotme në qytetet e ndryshme të Shqipërisë ishin protesta të qytetarëve që refuzojnë t’i nënshtrohen gjuhës së dhunës dhe represionit të shtetit policor. Nuk është vendosur ende drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës. Nuk mund të vendoset drejtësi, sa kohë në krye të Policisë së Shtetit qëndron një zyrtar i kriminalizuar si Ardi Veliu, që përgatiti fshehjen e krimit duke mashtruar publikun për vrasjen e Klodianit.

10 vite më herët, kur qytetarët dolën në protestë, pushteti i quajti “kokëpalarë”. Sot, 10 vite më vonë, kur qytetarët janë hedhur sërish në protestë kundër shtetit policor, pushteti i quajti “lukuni halabakësh”. Përmes termit “lukuni”, pushteti sot i barazoi qytetarët me kafshët. Përmes etiketës ofenduese “halabakë”, pushteti i barazoi protestat për drejtësi me rrugaçëri. Pas kësaj, pasi i ke zhveshur qytetarët nga atributet dhe të drejtat e njeriut, atëherë është me e lehtë t’i rrahësh e t’i gjakosësh, dhe në fund edhe t’i vrasësh … si kafshë. Nga kjo gjuhë buron edhe dhuna e shtetit policor – e njëjta dhunë që i mori jetën Klodianit.

Lexo po ashtu:  Kë të besojmë? Vuçiçin, apo opozitën e Kosovës?

Sot protestohej për të tretën ditë radhazi, dhe këto protesta nuk kanë për t’u ndalur as nga gjuha e dhunës së një kryeministri të verbuar nga pushteti, e as nga represioni policor. Këto protesta janë vetëmbrojta e qytetarëve kundër dhunës së përditshme të shtetit policor. I bëjmë thirrje mijëra e mijëra punonjësve të forcave të policisë të mos i binden urdhërave të një klike që ka kapur Policinë e Shtetit, dhe të kërkojnë bashkë me qytetarët shkarkimin dhe hetimin e Ardi Veliut, deri tek arrestimi i tij.

Tiranë, 11 dhjetor 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *