Andon Zako, i njohur me emrin e tij letrar Çajupi ka lindur me 27 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë ka qenë poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Çajupi mësimet fillore i mbaroi në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Në vitin 1882 u vendos në Aleksandri, ku studjoi për pesë vjet ne liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”.

Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që e ndikuan të vazhdonte studimet për jurisprudencë, në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vjet në këtë disiplinë.

U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend.

Hapësirë e sponsorizuar

Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një kohë si avokat. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit dhe pas kësaj ndodhie iu përkushtua letërsisë.

Lexo po ashtu:  Fjala në festën e Nobelit, 10 dhjetor 1909: "Menjëherë mendja më shkoi tek babai, ndjeva një mungesë të madhe për të, se nuk ishte më në jetë që të mund t’ i tregoja se kam fituar Çmimin Nobel"

Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqëve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt.

Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Shkrimi i parë që njihet është artikulli “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në revistën “Shqipëria” në Bukuresht.Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi punën letrare.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore.

Lexo po ashtu:  Është viti 1949 - Esad Mekuli i kushton femrës këtë poezi të fuqishme

Botoi “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte.

Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, si poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”. Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com