Andi Bushati

Sëpaku një gjë Edi Ramës duhet ti’a dimë për nder: Sa më shumë kohë kalon, aq me tepër ai na lehtëson nga hipokrizia e të jetuarit në një sistem demokratik. Gjuha që ai përdori gjatë intervistës në “Opinion” të zhvishte nga çdo iluzion për instalimin e një regjimi personal.

Ishin disa pika, gjatë bashkëbisedimit të paqtë me Fevziun, që të linin të kuptoje qartë se ai qëndron mbi ligjin dhe nuk e ka as ndërmend ti nënshtrohet atij; se është ai që cakton se deri ku mund të shkojnë kufijtë e të bërit opozitë; se ai ka veshur skeptrin moralist të përcaktimit të cakut deri ku mund të jetë i kritikueshëm.

Kur u pyet se përse e shkel me të dyja këmbët detyrimin kushtetues të ngritjes të një komisioni hetimor për skandalin McGonigal, ai u përgjigj me arrogance: “Një komision i tillë nuk ka për tu bërë kurrë… opozita s’ka asnjë shanc, pasi gjithçka ka një cak”. Sado skandaloze të duket kjo për të gjithë ata idiotë të dobishëm që ende përkundin iluzionin e një loje demokratike, së paku Rama nuk e vuri veten në rolin e hajvanëve të grupit të vet parlamentar, që mëtojnë të justifikohen se komisioni hetimor nuk po ngrihet, pasi në të ardhmen parashikohet të ndryshojë ligji për to. Ai u përgjigj shkurt: “Nuk dua dhe nuk e bëj”.

Lexo po ashtu:  Manipulimi me gjuhën e Escobar për Open Ballkanin

Të njëjtën logjikë përdori edhe për fshehjen nga debati parlamentar, lidhur me zyrtarin e FBI-së, që sipas Washington Post-it u zhyt deri në grykë në një marëdhënie sekrete me Ramën. Ai shtjelloi argumentin se ai “degradim zologjik” nuk e meriton prezencën e tij. Pra, ndonëse në një republikë parlamentare kryeministri e ka për detyrim të japë llogari përpara kuvendit, Rama e shpalli atë të padenjë, duke u zhveshur nga kjo përgjegjësi kushtetuese. ‘Unë do të shkel në parlament vetëm kur ta gjykoj vetë të arsyeshme” i tha Fevziut.

Edhe këtu ai është i sinqertë, thotë thjeshtë: “s’më pëlqen dhe s’dua”, jo si prapanicëlëpirësit që i shkojnë nga pas dhe reken të logjikojnë se kërkesa për interpelancë nuk u bë në kohën e duhur, apo se firmat që e kërkonin ata qenë të fallcifikuara.

E njëjta arrogancë u duk qartaz kur me një indiferencë shpërfillëse tregoi se, si kryeministër, aq i bënte nëse për shkak të vulës, opozita mbetej pa hyrë në zgjedhje. “Nuk është tema ime kjo”, iu përgjigj Fevziut i cili i habitur e pyeti: “Po si do shkoni në zgjedhje pa opozitën”? “Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje…ne do shfaqim ofertën tonë, nëse dikush thotë që s’ka ofertë, pasi ka mbetur pa vulë,, kjo është puna e tij”, qe batuta që erdhi më pas…

Lexo po ashtu:  Çfarë është Shqipëria e Madhe? Term i kotë, realitet historiko-gjeografik; është një krijim politik, apo në të përfshihet e gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor?

Pra, përpos mesazhit të kriptuar që i çohet gjykatës, për të vazhduar punën si levë e përçarjes së opozitës, lajmi që u jepet gjithë shqiptarëve është tjetër: Nuk ju gjen asgjë e keqe nga përsëritja e një pushteti lokal monist.

Sindroma e njeriut që nuk preket nga e keqja përreth tij, sado thellë të jetë zhytur ajo, u pa edhe në episodin kur lëshoi Arben Ahmetajn, për çështjen e inceneratorëve, duke përsëritur fabulën bajate të atyre që hanë dardhë dhe mollë prapa shpinës së tij.

Kronologjia datë pas date/ Si u rekrutua McGonigal për të goditur PD-në
Pra, Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi edhe nëse gjithë ekipi që ka vendosur bashkë me të për aferën 430 milionëshe shkon në burg. Ai mund të qëndrojë i pastër papvarësisht nga rrethimi i plehrave.

Ai është njësoj neutral ndaj vjedhjes së shekullit, po as sa dhe nëse zgjedhjet bëhet pa opozitën. Ai nuk e çan kokën që shkel detyrimet kushtetuese, vetëm sepse thjeshtë nuk e pëlqen gjuhën dhe sjelljen e rivalëve. Ai qëndron mbi institucionet demokratike, pasi ato janë të padenja për moralin e tij.

Lexo po ashtu:  Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura

Kjo qe qasja e shpërfaqur në Opinion dhe pikërisht për këtë ne duhet ta falenderojmë Edi Ramën. Së paku, duke u sjellë si një autokrat që bën ç’të dojë, vetë vendos e vetë vulos, vetë vret e vetë pret, vetë grabit e vetë shemb, ai na hoqi qafe të gjithë ata që robtohen në parlament dhe në studiot televizive të mbrëmjes, të na mbushin mendjen për ligjshmerinë e veprimeve të shefit.

Ky ndryshim qasjeje: “e kam fuqinë, prandaj do vendos ç’të dua” e bën më të thjeshtë spjegimin e gjithçkaje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *