Nga Flora Gill

Pavarësisht nëse është një dështim i Zotit apo një dukuri evolucionare mizore, ka diçka nuk shkon me Universin, kur bëhet fjalë për të sjellë në jetë fëmijë. Ideja që aktori i njohur Robert De Niro është në gjendje të bëhet sërish baba në moshën 79-vjeçare, më duket më pak si një mrekulli mjekësore, dhe më shumë si një shaka e keqe e kozmosit.

Për të vërtetuar se nuk jeni shumë i moshuar për të pasur një fëmijë, duhet të ketë një sërë testesh, të cilave duhet t’i nënshtroheni. Nëse nuk mund të skanoni vetë mallrat dhe të paguani pa pasur nevojë për arkëtarin në një supermarket, apo nëse nuk hyni dot në iCloud pa një nip që iu tregon veprimet, ndoshta nuk duhet tentoni të bëheni sërish prind.

Më kujtohet batuta e famshme në filmin “Kur Harry takon Sally”, kur Sally e luajtur nga Meg Ryan thotë në një moment se Charlie Chaplin u bë sërish prind në moshën 73-vjeçare. “Po”, përgjigjet Harry i luajtur nga Billy Crystal. “Por ai ishte shumë i moshuar për t’i mbajtur në krahë”.

Pyes veten:A e mbajnë ende gjunjët De Niron? Kam frikë të them se mendimi im i parë kur dëgjova lajmin ishte:”Sa shumë egoist që është treguar!”. Natyrisht, unë kam paragjykimin tim. Nuk kam më një baba. Isha 25-vjeçe, pra plotësisht e rritur. Por humbja e babait tim, gazetarit A.Gill në moshën 62 vjeçe, sërish më dërmoi.

Lexo po ashtu:  Kujtoj me mall një çast gëzimi

Mendoj se kushdo që ka aq fat, sa të mos humbasë një të dashur në moshë të hershme, do të shqetësohej se sa shpesh mendojnë ata që kanë pësuar humbje të tilla për të vdekurit e tyre. Babai im vdiq 6 vjet më parë, por mua vazhdon të më mungojë.

Kur vdiq im atë, u ndjeva shumë e zemëruar në një mënyrë të paarsyeshme dhe e padrejtë me ata që jetonin deri në pleqërinë e vonë. E ndjeja gjatë gjithë kohës. Ishin gjyshërit e mi, ata që u përballën me pjesën më të madhe të armiqësisë sime të palogjikshme.

Si ishin ende gjallë prindërit e prindërve të miqve të mi, kur babai im nuk ishte? Pse ata vazhdonin të jetonin një gjysmë-jete të lodhur, kur babai im kishte edhe aq shumë jetë për të jetuar? Prandaj kur shoh Robert De Niron, tashmë një gjysh, që sjell në jetë një fëmijë që do të përjetojë të njëjtën dhimbje në një moshë edhe më të re, u ndjeva shumë e revoltuar.

Është e vërtetë që ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë do të na ndodhë gjatë jetës. Askush nuk mund të garantojë se ata, ju apo edhe unë, do të jemi gjallë nesër, e lëre më pastaj pas 10 vitesh. Dhe disa vite të kaluara me një prind të mrekullueshëm, janë shumë më të vlefshme se sa një jetë e tërë me një prind të papërgjegjshëm.

Lexo po ashtu:  “Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët…”

Por ndërsa nuk mund të parashikojmë dot të ardhmen tonë, është thjesht njerëzore të shpresojmë se gjithçka do të shkojë mirë, se do të kemi një mes-moshë të gjatë dhe të lumtur përpara fundit të pashmangshëm. Nëse babai juaj vdes shumë shpejt, e vetmja gjë që ju kalon nëpër mend në atë pikëllim të madh që përjetoni, është të kujtoni kohën që keni kaluar bashku.

Por kur fëmija i tij të jetë mjaftueshëm i rritur për të krijuar kujtime, De Niro do të jetë 83 vjeç. E çfarë kujtimesh do të ketë ai fëmijë? Të mos kesh luajtur dot me të kukafshehti në park, të mos e kesh mësuar të notojë buzë detit, apo edhe të mos kesh debatuar mbi kohën e gjumit në mbrëmje.

Ky fëmijë ka më shumë gjasa ta gjejë babanë e tyre në filma që ka luajtur, sesa në kujtimet personale. Edhe nëse De Niro do të ketë fatin të kremtojë ditëlindjen e tij të 100-të, ai nuk do ta shohë fëmijën e tij aq të rritur sa të diplomohet, të sillet nëpër korridoret shtëpisë, ose të arrijë moshën e mesme ku personazhe të njohur si Leonardo Di Caprio do të takoheshin me ta.

Zhgënjimi im me De Niron, është i njëjti që ndjej, kur shoh prindër që pinë duhan bashkë me fëmijët e tyre të mitur. Kjo më nxit të mendoj për vitet kur babai im bënte të njëjtën gjë me mua. Dhe mbase për këtë jam vërtet e zemëruar. Jo sepse De Niro është një plak qejfli.

Lexo po ashtu:  Mësime nga 5 libra të mrekullueshëm që do ta ndryshojnë jetën tuaj

Unë jam ende e zemëruar me babain tim që vdiq shumë shpejt. Vetë De Niro thotë se fëmija i tij i shtatë nuk ishte një ‘aksident’ por i planifikuar. Partnerja e tij, kampionia amerikane e arteve marciale, Tiffany Chen, është 45 vjeçe dhe duket se kujdeset mirë për veten. Shumë mirë. Nënat duhet të jenë luftëtare.

Ndonëse nuk është e mundur që një grua të lindë në moshën e De Niros, unë nuk mendoj se asnjë grua do ta bënte, edhe nëse do të mundte. Sepse asnjë nënë nuk do të ishte aq egoiste. Personalisht, mendoj se gratë meritojnë një dritare fertiliteti, e cila të jetë të paktën një dekadë më e gjatë se sa ajo që u caktohet aktualisht, dhe burrat duhet të kufizohen në të njëjtën diapazon kohor.

Unë sinqerisht shpresoj që De Niro të më tregojë se e kam gabim me këto që po them, dhe të jetë një baba i mrekullueshëm për fëmijën e tij të porsalindur. Për më tepër, shpresoj që ai të jetojë aq gjatë sa të shohë fëmijën e tij të rritet, ose të paktën ta shohë atë të dalë nga pelenat para se të jetë vetë në to. / “The Independent” – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *