Edi Rama mund të jetë ndoshta i vetmi kryeministër që pas thuajse çdo deklarate që ka të bëjë me politikën e jashtme, i duhet të zhvillojë një fushatë sqaruese disa ditore për të shpjeguar atë që ka dashur të thotë. Kjo I ka ndodhur me deklaratat që bëri në fushatën elektorale në ShBA, për deklaratat në Beograd, për Minishengenin, për raportet me Turqinë, për qëndrimet ndaj europarlamentarëve të ndryshëm, për idenë e ndërjes së Kosovës. Dhe tani së fundmi edhe për zgjedhjet në Mal të Zi.

Skema e veprimit për të shpjeguar kryeministrin është kjo: ai deklaron diçka duke i shkelur syrin vetes se edhe këtë radhë e bëri një provokim dhe luajti si strateg. Rezulton se provokimi është budallallëk me brirë, ridel me një tjetër deklaratë përmes së cilës integron vërejtjet e bëra që i kamuflon pas akuzave se ka qenë i keqkuptuar.

Më pas nis telenovela e shkrimeve që kanë si kapitull të Gjenezës letrat e hapura për kombin shqiptar, gjeneratën tjetër, të Baton Haxhiut. Këtu ndihmon idiotizmi i pakonkurueshëm i krahut tjetër mediatik që nuk ka kandar ta peshojë. Dhe ja gafa e radhës iku. U tret, u harrua. Po edhe ca gjëra u sqaruan.

Lexo po ashtu:  E kundërta diametrale e prostitutave politike është Albin Kurti

Shikoni sesi kryeministrit shqiptar, që përflitet si publicist dhe intelektual, iu desh të bënte tre deklarat për zgjedhjet në Mal të Zi: njërën në dy gjuhe, tjetrën në shqip dhe të tretë në përultësishten e një zëdhënësi të vetes që është kapur për të satën herë në gabim.

Më vjen shumë keq, po ne kemi bërë përpjekje për t’i bashkuar faktorët atje dhe ministri në detyrë sot Cakaj ka punuar intensivisht me faktorët shqiptarë.

E dyta nëse unë do t’i bëja thirrje shqiptarëve për të mos votuar për Listën Shqiptare do e bëja shqip mesazhin nga fillimi deri në fund siç e bëra sot. Ai ishte një mesazh i kërkuar si kontribut nga partia simotër Social Demokrate e Malit të Zi dhe Presidentit Gjykanovic dhe ishte bindja ime. Mesazhi i sotëm për shqiptarët ishte mesazhi i sotëm për të votuar për listën shqiptare.

Dhe pse këto dy mesazhe janë komplementare me njeri-tjetrin?

Për një arsye shumë të thjeshtë. Partneriteti i shqiptarëve me Presidentin Gjukanoviç është një risi strategjike për shqiptarët dhe për vetë Shqipërinë si fqinje dhe aleate me Malin e Zik, ka thënë z. Rama.

Lexo po ashtu:  A mund të bëhemi aq pro shqiptarë sa amerikani Engel?

Fjalia e fundit është thelbi, ndonëse me një korrigjim: partneriteti me Gjukanoviçin nuk është risi strategjike sepse ka qenë. Theksimi i saj zbulon një risi strategjike për marrëdhëniet personale mes Ramës dhe Gjukanoviçit arsyet e së cilës mund të jenë të shumta, por vetëm shqiptarëve në përgjithësi nuk u shërbejnë. Në çdo rast është e çuditshme të shohësh këtë mjeshtër të fjalës të përpëlitet në deklarata pas deklaratash pa kuptim kur p.sh edhe presidenti që nuk shkëlqen në lëmin e fjalës nuk nakatoset kështu me këmbët e veta. Por xhanëm avokatët e tij mundet që një ditë ta nxjerrin këtë si strategji diversioni. Nuk thonë kot, budalllallëku ndonjëherë është fat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *