Një nga ngjarjet më të rënda që ka lënë gjurmë në memorien e shqiptarëve është tërmeti i 15 prillit të vitit 1979 me intensitet 9.5 ballë dhe me magnitudë 7.1 sipas shkallës Rihter.

Epiqendra e tërmetit ishte në detin Adriatik afër qytetit të Ulqinit në Mal të Zi. Pasgoditjet e tërmetit zgjatën një vit.

Në studimin “Fatkeqësitë e natyrës dhe mbrojtja prej tyre” me autor Ramiz Fiçori, ish Drejtor i Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 1975-1987, jepen detaje lidhur me pasojat e këtij tërmeti dhe mënyrën sesi u reagua.

Ky tërmet shkaktoi 35 viktima dhe 382 të plagosur. Në total u shkatërruan më shumë se 2600 shtëpi e godina dhe u dëmtuan më shumë se 14 mijë e 500 të tjera.

100 mijë banorë mbetën të pastrehë, pjesa më e madhe në rrethin e Shkodrës dhe Lezhës.

Menjëherë pas tërmetit në mbarë vendin nisi një mobilizim për kapërcimin e pasojave të tij.

Sipas ish drejtorit të Xhenios, procesi zgjati 5 muaj dhe punëtorë nga mbarë vendi u angazhuan për rindërtimin e banesave të shkatërruara dhe rregullimin e atyre të dëmtuara.

Lexo po ashtu:  Sami Frashëri: Qysh janë sot shqiptarët?

Në total, u ndërtuan më shumë se 2400 shtëpi dhe apartamente të reja banimi, 165 objekte ekonomiko-shoqërore si dhe u meremetuan 14 mijë e 552 shtëpi.

Zhdukja e pasojave të rënda të tërmetit të 15 prillit 1979 në një kohë të shkurtër konsiderohet si një ndër rastet e rralla të kësaj natyre mobilizimi.

Pamjet filmike të mëposhtme janë imazhe të rralla të arkivës “British Pathe” në bashkëpunim me “Reuters” dhe u transmetuan në emisionin “DOSJA E” të gazetarit Kreshnik KUÇAJ në televizionin SCAN.

Ato tregojnë pasojat e tërmetit në zonat e Shkodës dhe Lezhës, shtëpitë e rrënuara dhe reagimin e parë për strehimin e atyre që kishin mbetur pa shtëpi. Pjesa e dytë tregon mobilizimin që u bë për ndërtimin e banesave të reja dhe për rikuperimin e pasojave të tërmetit që la gjurmë në memorien e shqiptarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *