Poezia e Esad Mekulit përbën një nga shtyllat themelore të letërsisë moderne shqipe, duke shprehur me forcë poetike përvojën historike, shoqërore dhe shpirtërore të një kohe të vështirë të kombit shqiptar që vuante nga dhuna e egër e Jugosllavisë titiste. Vepra e tij mbetet e hapur për rilexime kritike që ndihmojnë në thellimin e kuptimit dhe vlerësimit të saj letrar e kulturor.

Punimi “Poezia e Esad Mekulit – sprovë për një rilexim” është i autorit Selajdin Shabani-nga Kumanova, sot profesor në Kumanovë. Ky studim është realizuar gjatë viteve 1993–1995 dhe është mbrojtur më 8 maj 1995, nën mentorimin e prof. dr. Agim Vincës. Autori ofron një lexim analitik dhe interpretativ të poezisë së Mekulit, duke vënë në pah temat, motivet dhe veçoritë shprehëse që e bëjnë këtë krijimtari të qëndrueshme dhe aktuale.

Botimi i këtij punimi nga e pavarura MekuliPress synon të kontribuojë në ruajtjen dhe pasurimin e diskursit kritik mbi veprën e Esad Mekulit, si dhe të ofrojë një referencë të vlefshme për studiuesit dhe lexuesit e interesuar për letërsinë shqipe. /MekuliPress.com/

Poezia e Esad Mekulit – sprovë për një rilexim
Nga: profesor, Selajdin Shabani

                        Letërsia shqipe u zhvillua në mënyrë paralele si brenda kufijve politikë të Shqipërisë, ashtu edhe jashtë tyre. Për shkak të ndarjes tragjike të tokave shqiptare, kushtet dhe rrethanat  shoqërore-historike, në të cilat u zhvillua letërsia shqipe, ishin  të  ndryshme  brenda  dhe  jashtë  kufijve të shtetit shqiptar.  Kuptohet,  se  ato  nuk  ishin  të  lehta  në  asnjërën anë, por gjithsesi më  të  vështira  ishin  në  viset  shqiptare në- ish Jugosllavi. Derisa  në Shqipëri, letërsia  shqipe  zhvillohej edhe  përkundër  peripecive  të  ndryshme të  jetës, në  trojet  shqiptare  të  ish-Jugosllavisë, për një gjë të tillë as që mund të flitej. Kjo periudhë e letërsisë  ka të  bëjë  me  vitet tridhjetë  të  këtij  shekulli. Vështirësitë  ishin  të  ndryshme.  Krijuesit  dhe  intelektualët, jo vetëm që  nuk  mund  të  botonin  vepra  me  ide  kombëtare  e  në  gjuhë amtare, por ata gjithnjë ndiqeshin dhe rrezikoheshin. Mirëpo, edhe përkundër rrethanave dhe vështirësive  ekonomike, shoqërore, politike, kulturore etj., letërsia shqiptare  arriti  ta  ruante  kontinuitetin  me  traditën  letrare dhe të ecte përpara. Pavarësisht nga këto rrethana si edhe shkollimi në gjuhë të huaj, krijuesit  tanë, megjithatë, nuk  do  ta  humbin  identitetin e tyre. Përkundrazi, do  të  japin  kontributin  e  vet  për  aq sa do të kenë mundësi, duke iu përshtatur  dhe  mos  iu  përshtatur  rrethanave  të  kohës. Gjendja  e  vështirë  në  çdo sferë të jetës, sikur  e  nxiti  potencialin  krijues artistik shqiptar të asaj kohe, që  të  dilte  në skenë haptazi  si  brenda  kufijve  shtetërorë  të  Shqipërisë, ashtu edhe jashtë  tyre, kudo  që  ajo  zhvillohej.

                      Në këtë kohë, në skenën e letërsisë shqiptare do të duket një plejadë e tërë krijuesish, që do të merren kryesisht me problemet e kohës si : Nonda Bulka, Migjeni, Petro Marko, Aleks Çaçi, Sterjo Spasse, Dhimitër  Shuteriqi,  Hivzi  Sulejmani, Mark  Krasniqi, etj. Një nga më të dalluarit e kësaj periudhe ishte poeti i mirënjohur, Esad Mekuli, i cili i takon gjeneratës së  shkrimtarëve  përparimtarë  të  viteve  tridhjetë.  Esad  Mekuli (Plavë, 17 dhjetor 1916 – Prishtinë, 6 gusht 1993), poet, përkthyes, akademik, punëtor i shquar  i  kulturës etj. Është  i  njohur  në  letërsi  edhe  me  pseudonimet:  Sat  Hoxha,  Sat  Nokshiqi  etj.  Duke  folur  për  krijimtarinë letrare të Esad Mekulit, flasim njëkohësisht edhe për biografinë e tij, e cila është mjaft e shprehur përmes  vargjeve. Lidhur me këtë çështje, akademik Rexhep Qosja thotë se “nuk  është  e  nevojshme  të  flitet  për  biografinë  e  këtij krijuesi (…) për arsye  se  poezia  është  biografia më e saktë”.[1]

Edhe  pse  për  krijimtarinë  poetike  të  Esad  Mekulit  “është  folur  e  shkruar mjaft”[2], kjo  nuk  do  të  thotë se  nuk  ka çka  të  thuhet  ende  për  të,  e sidomos tani kur poeti e ka mbyllur rrugën e vet krijuese dhe jetësore.

                       Për  t’iu  qasur  poezisë  së  E. Mekulit, sot  kur  optika  jonë  e shikimit  të  botës  si  kolektivitet  ka  ndryshuar  dukshëm, duhet pasur parasysh  rrethanat  dhe  kushtet  e  kohës  në  të  cilat  ka krijuar dhe jetuar poeti, dhe  si  i  ka  përjetuar  ngjarjet  e  kohës. Ai  do  të  kalojë  nëpër  faza kohore  plot me rreziqe,  që,  siç  thotë   edhe  vetë  poeti,  “ishin  të  ndërlikuara, të  përmbushura  me  kontradikta e antagonizma, me tragjedi kolektive  e  individuale  të  shumta   me  krizën  famëkeqe  ekonomike  në  botë  me  luftë  e mjerim etj., por edhe  me  ideale  e  synime  të  qarta  e  të  theksuara liridashëse, progresive, jo vetëm këtu ndër ne, por edhe në mbarë botën”[3]

                          Duke  e  parë gjendjen  e  vështirë  të  popullit  të  vet  E. Mekuli,  herët  do  të  formohet  si  njeri  dhe  si krijues. Kjo  gjendje  do të nxitë  që  dashas  apo  padashur  t’i  besojë  një  ideali  të  kohës,  qoftë  edhe utopist : idealit  të  barazisë  së  popujve,  me  shpresë  se  populli  i  tij  do  të  fitojë lirinë. Për këto ideale, ai do të shkruajë me plot ndjenja, do t’iu përkushtohet me tërë qenien, do të luftojë edhe me pushkë për to, do të sakrifikojë  mjaft  nga  jeta, pa  menduar  se  ato ideale  një  ditë  do  të dështojnë  në  jetë, e  se  do  të  mbetën  vetëm “iluzione”  të  kohës.  Këtu na dalin  ato  vështirësi  të  qasjes  së  poezisë  së  E. Mekulit. Edhe  pse  ka  mësuar  e  studiuar  në  një  mjedis  të  huaj, jugosllav, ku  është  ballafaquar  me  vrazhdësinë  e  urrejtjes, të  përbuzjes, e  të  nënçmimit  jo vetëm si  shqiptar, por  edhe  si  njeri, herë-herë  duket  sikur  nuk  i ka njohur sa duhet ata  nga  jeta  dhe  historia.  Ata  që  deri  dje  kishin  qenë  robërues  të  popullit të  tij, sot  sikur  gjoja  i  bëhen  miq. Bashkë  me  ta  do  të shkruajë  e  këndojë  për  jetën  e  re, për  “epopenë”  e  vëllazërim-bashkimit  e  të  socializmit. Dhe sot  kur  ato  kohëra  kanë  përfunduar,  poezia  e  Esad Mekulit, kushtuar  atyre ngjarjeve  sikur mbetet në margjina të kritikës. Pavarësisht prej bindjeve politike  e  ideologjike  që  do  të mbizotërojnë  dhe  do  të  jenë  imperativ  kohe  në  vendlindjen  e  Esad  Mekulit, krijimtaria  e  tij  letrare  ka  rëndësinë  e vet të madhe  dhe  të  pamohueshme.  Poezia  e  tij  është  e  qartë  dhe  e  angazhuar dhe  si  e  tillë  ajo ka depërtuar thellë  në  vendlindjen  e  lexuesve. Se  ç’mbresa  ka lënë  poezia  e  Esad  Mekulit  tregojnë  fjalët  e  Hilmi Aganit, i  cili  thotë : ”ajo  ka  diçka  tërheqëse  e  tronditëse, diçka  që  pushton  dhe  bën  të na  dridhen “telat”  e  qenies  sonë  me  vibrime, herë  më  të ngadalshme, herë  më  të rrëmbyeshme, nga melankolia  e  rezignimi  që  herë-herë  kalojnë  në  një  shqetësim  të  thekshëm, për  të  vijuar  në  një  trazim  të  fuqishëm, entuziazëm  të  shfrenuar  e  deri  në  pajtim  të  këndshëm  plot  shpresë   e   nxitim  të  ngrohtë  që  shtyn  përpara.  Dhe  kjo  poezi  është  bukur  mirë, pasqyrë  si  e jetës  reale  dhe  e  aspiratave të turmës, ashtu edhe zhvillimit  gradual  të  vet  poetit  në  lëmin  e  krijimit  artistik”.[4] 

                                  Edhe  pse  krijimtaria  e  tij  është  jo  voluminoze, poeti Esad  Mekuli  të  lë  përshtypjen  e  një  krijuesi  të  madh artistik, që  di  ta përdorë  penën  me  mjaft  mprehtësi. Poezia  e  tij  lexohet  sot  si  një dokument  artistik  për fatin historik të popullit shqiptar, kur ky popull katandisej  nëpër  jetë (përmes  skamjes  e  mjerimit,  përbuzjeve  e  ofendimeve, por  edhe  përmes ndjekjes e mohimit si qenie njerëzore). Kjo poezi  mund  të  lexohet  edhe  të  rilexohet  si  porosi  e  një  njeriu  të urtë, por edhe  me  përvojë,  i  cili  ka  kaluar  nëpër  një  kohë  plotë  rreziqe. Nëpër  këtë  rrugë  poeti  shumë  herë  i  është  dashur  t’i  përshtatet  kohës  aktuale, sepse  atij  aktualiteti nuk  ka  mundur  t’i  shmanget. Duke  i  besuar  idealit  të  vëllazërim-bashkimit  të   popujve  e  të  “jetës  së  re”, poeti  Esad  Mekuli  do të shkruajë  vargje  për  “heronjtë”  e  barazisë ;  do  të  këndojë  këngë  vajtimi  për Boron  e  Ramizin; do  të  shkruajë  vargje për partinë  e  për  ndonjë  funksionar të shquar politik etj. Në këtë kontekst shihet se E. Mekuli,  shpeshherë  frymëzohej  nga  ngjarjet  aktuale  të  kohës si  dhe  përshkohej  nga ndjenja  e  entuziazmit  për  fillimet  e  ndryshimeve  pak  a  shumë  të  bëra.  

                               Esad  Mekulit  shkroi  vargje  vetëm  atëherë  kur kishte  për  të  thënë  diçka  të vërtetë,  e  që  duhej  të  thuhet  doemos  për  atë  kohë, e  për të botuar shpeshherë  nuk  botonte edhe kur i kishte të gatshme shkrimet, domethënë  për  shumëçka  heshti,  ndoshta  atëherë  kur  është  dashur të heshtë.  Edhe  tani  kur  poeti  e  ka  mbyllur  rrugën e vet krijuese dhe jetësore, vargjet  e  tij  mbeten  dëshmi  kohë  dhe  udhërrëfyese  për  të ardhmen  se  si  duhet  kuptuar  disa  çështje  me  rëndësi. Vepra e tij është vepër  e  qëllimeve  dhe  e  efekteve  të  mëdha  të  kohës. Krijimtaria  e  tij  në fillim, edhe  pse  e shkruar në gjuhë të huaj, mbetet poezi  e  fuqishme  e  përjetimeve  të  popullit  shqiptar. Poeti  E. Mekuli  shkroi  për  kohën  e  tij, për  realitetin  e  saj  të  hidhur  e  tragjik, të cilin  realitet sërish do ta përjetojë  në  qenien  e  tij. Dhe, po  nga  kjo përsëritje tragjike,  poeti  do  të  dëshpërohet  shumë  thellë  dhe  me  kalimin  e  kohës, do  t’i  kuptojë  të  gjitha. Mirëpo, edhe  përkundur këtyre  mashtrimeve, ai  nuk  do  të  përkulet  asnjëherë, por  përkundrazi,  do  të  bëhet  më  i  fortë  dhe  më  i  kalitur  në  jetë, me  shpresë se  të  gjitha  këto ”zullume”, një  ditë do të këputen  “prej  së  trashi”.  Marrë  në  përgjithësi, poezia  e  E. Mekulit, sot, në  të  shumtën  e  rasteve  është  aktuale  ende në  përditshmërinë tonë. Edhe në  këtë aspekt na dalin mjaft vështirësi në shqyrtimin e poezisë së Esad Mekulit. Nuk mund të flitet për poezinë  e tij, sikur  mos  të dihen  e  përmenden  shumë  fakte  tronditëse në kurriz  të  popullit  shqiptar, ngase  pjesa  më  e  madhe  e  tyre  është  e  frymëzuar  nga  jeta. Me  kalimin  e  kohës do të ndryshojnë  edhe  vetë  pikëpamjet  e poetit. Duke  i  korrigjuar  këto pikëpamje, ai  na del si një dëshmitar i gjallë  i  të gjitha  ngjarjeve  tronditëse dhe mashtruese. Nga ky shkak, tani  poeti  do  të  shkruajë  shpeshherë  në  frymën  e  pedagogut, pastaj do ta  luajë rolin  e  njeriut  të  urtë  që  ka  grumbulluar  një  përvojë  të  pasur  jetësore. Si rezultat i kësaj  përvoje,  ai  thotë, se, ekziston : “vetëm  një  rrugë  e  vërtetë”  drejt  lirisë  së  popullit  dhe  se  kjo  rrugë  deri  në  fund  duhet  të  jetë  “dritë që nuk shuhet”.

Poezia  e  Esad  Mekulit  në  rrjedhën  e  kohës

                                 Krijimtaria  poetike  e  Esad  Mekulit  gjithnjë  është  ndarë  sipas  periudhave  kohore  kur  është  shkruar, por  në  veprën  “Dritë  që  nuk  shuhet” (1989), sikur  e  tërë  poezia  e  tij  përfshihet  në  disa faza  të  rrudhura  në  një  etapë  kohore. Esad  Mekuli  jetoi  në  një kohë,  kur  njeriu  ynë, nga  hallet e përditshme  të  jetës, nga  skamja  e  vuajtja, katandisja, përbuzja, mohimi etj., jo  vetëm  që  mund  të  dëshpërohej, por  edhe  binte  në  rezignacion.  Për  shkak  të  rrethanave  të  njohura  politike,  Esad  Mekuli  do të  shkollohet në gjuhën  serbokroate dhe shkrimet  e  tij  paraluftës  do  t’i  shkruajë  e  botojë  po  në  këtë  gjuhë. Përmes  këtyre  shkrimeve  opinioni  më i gjerë  në  ish-Jugosllavi,  kishte  mundësi  të  njihej  me  gjendjen  dhe  jetën e vështirë  të  popullit  shqiptar. Siç dihet,  E. Mekuli  startoi  si  poet  në  kohën  kur  gjuha  shqipe  ishte  e  ndaluar, jo vetëm  në  formë  të  librave, por  edhe  në përditshmërinë shoqërore. Mirëpo,  edhe  përkundër  kësaj  ai  arriti  t’i  shqiptojë   “belbëzimet”  e  para, por  të  sigurta. Jeta  e  shqiptarëve  në  këtë  kohë  ishte në  zgrip  të  ekzistencës. Pamjet  e  kësaj  jete,  poeti  do  t’i  ketë parasysh gjatë  gjithë  rrugës  së  tij  krijuese.

                     E. Mekuli me krijimtarinë poetike përfshin periudha të  rëndësishme  historike  e  jetësore  të  popullit  shqiptar  si : periudhën e paraluftës,  gjatë  luftës  dhe  atë  të  pasluftës  së  dytë  botërore. Njëkohësisht  krijimtaria  e  tij përfshin  edhe  periudhën  e  peripecive  të ndryshme shoqërore, kohë  kjo gjatë  së  cilës  ndodhën  ndryshime  negative  e  ndonjëherë edhe  pozitive. Si poet ishte zëdhënës i kohës, prandaj edhe krijimtarinë  poetike  të  botuar  e  ndau  sipas  periudhave  kohore. Kjo ndarje ka  të  bëjë   me “vëllimin reprezentativ”[5]   poetik  “PËR  TY”,  vjershat e të cilit  janë  të  ndara në këto cikle: “Nën hijen e robnisë”,  “Flamujt  e  shpaluem” dhe “Jeta e re”.

                                  Cikli  i  parë  përfshin  vjershat   e  periudhës  së  paraluftës së  dytë  botërore,  kur  gjendja  e  popullit  shqiptar ishte vërtet tronditëse. Përmes  vargjeve  të  botuara  në gjuhën serbokroate: pasqyronte  jetën e vështirë  të  popullit  shqiptar  në  Jugosllavi  dhe  vegjëlisë  në  përgjithësi”,  duke   u  inkuadruar  kështu: në  radhët  e  letërsisë  së  angazhuar sociale (…),  që  në  atë  kohë  kishte  përfshirë  mbarë  Ballkanin”[6].  Preokupim i  tij  kryesor  tematik  ishte  ballafaqimi  i  jetës  me  luftën  për ekzistencë, për  liri  e  të  drejta kombëtare  e  shoqërore. Krijimet poetike  të  kësaj  kohe  si: “Andrra e vajzës”, “Malli për t’pambërrijtshmen”, “Vegime”, “Mbramja”, “Pa titull”,  “Lypsat”, “ Prej fëminisë”, “Zgjimi”, “Kush i pari bani”,  “Qindro”, “Përshëndetje”, “Metohi” etj., janë  tablo  e  vërtetë  e  pasqyrimit  të  jetës  shqiptare, andaj  edhe  këtë  cikël  e  titulloi: “Nën hijen e robnisë”.

Cikli  i krijimeve poetike të shkruara gjatë luftës hap një faqe të tre të frymëzimit  poetik  të  Esad  Mekulit.  Preokupim  i  këtij  frymëzimi  ishte ngritja në  këmbë  e  shtresave  të  gjera  popullore kundër robërisë e pushtuesve,  ngritja   e  vetëdijes  kombëtare,  kushtrimi  për  luftë,  urrejtja  ndaj armiqve, dëshira  për  liri  e  pavarësi,  dashuria  ndaj  atdheut,  gëzimi  për  fitore  etj.  Duke  u  nxitur  nga  vet  rrethanat  kohore  por  edhe  nga dëshira  e  madhe  e  poetit,  që  gjendja  e  popullit  dhe  atdheut  të  ndryshohet, ai  do të jap  kushtrimin  për   luftë  edhe  përkundër  sakrificave  të  shumta, sepse  një  gjendje  e  tillë  nuk  mund  të  durohej.  Do  të  jap  këtë  kushtrim  në  fazën kur  populli  shqiptar  duke  mos  pasur  vizion  të  qartë  për  të  ardhmen, por  edhe  për  shkak  të  shkallës  së  ulët  të  vetëdijes  kombëtare. Ishte në dilemë se kah duhej  të shkonte?!  Thirrja  e  tij,  edhe  pse  e  thjeshtë,  e  arriti  qëllimin  e  vet. Përmes  këtyre vargjeve  në  krijimtarinë  e  Esad  Mekulit, spikaten  ngjarje e figura të ndryshme që  e bënë luftën. Disa prej atyre ngjarjeve  dhe  figurave  poeti  i kishte përjetuar dhe njohur, andaj do të shkruajë  me  frymëzim  vargje  për  Ramiz  Sadikun,  Meto  Bajraktarin, Hajdar Dushin, e për ndonjë tjetër. Poezitë e kësaj kohe si : “Okupacioni”, “Kushtrimi”, “Landovicës”, “Ramiz, o vlla”, “nga fletorja partizane”,” Dy hero” etj., përbëjnë  ciklin “Flamujt e shpaluem”.

                       Edhe  pse  të  pakta  në  numër, ato  e  arritën  qëllimin  e  vet dukë  iu  përmbajtur  kërkesave  të  kohës. Në  ciklin  e  vjershave  të  periudhës së  pasluftës,  me  titull: “Jeta e re”, hyjnë  poezitë në të cilat vërehet entuziazmi  i  madh  për  jetën  e  lirë, për  atdheun, për  njeriun  e  ri  dhe  për jetën në përgjithësi. Poezi të tilla janë: “Edhe na njerëz jemi”, “S’due”, “Brigje”,  “Pamje”, “Malli”, “Prijs dhe mësues i popujve tanë”  etj. Mirëpo, në  anën  tjetër  poeti  do  të  shkruajë  edhe  për disa  dukuri  negative që ndodhin  në  kurriz  të  shqiptarëve,  në  atë  kohë. Pozita  e  shqiptarëve  në kohën  kur  fillonte  të  shkruajë  Esad  Mekuli, ishte  mjaft  e  vështirë,  ngase  çdo gjë shqiptare mohohej. Derisa para të ashtuquajturës Luftë Nacionalçlirimtare,  poeti  Esad  Mekuli  këndonte,  atë  që  e  ndiente, edhe pse  e  kishte  të  ndaluar  të  këndonte  i  lirë,  ngase  regjimi  i  atëhershëm  dhe forcat  e  tjera  shoviniste  pengonin  zhvillimin  e  arsimit, të  kulturës, të shkencës  dhe  të  jetës  në  përgjithësi. Ja si shprehet poeti:

Pse lirinë e fituem me gjak-

                                                     Kurrkush s’na e fali,

      Tue luftue errësinë

                                           U bamë

                                                           të vetëdijshëm edhe na!

                                                                                          (“Shqiptari këndon”) [7]  

                                 Këto  vargje, si  edhe  të  tjera  të  kësaj fryme, janë  vargje të  protestës.  Disa  prej  poezive  me  nota  të  këtilla  janë: “Shqiptari këndon”, “ I varuni i këndon lirisë”,  “Dhimbje”, “Porosia e nanës”, “Mos më thirr me emën t’huej”, “ Turk elhamdulila” etj.

Lexo po ashtu:  Po ndahemi Astrit, po ndahemi, O syrrushi im, i mirë shumë, Do ta kujtoj bisedën e mbrëmjeve, Para se të merrte i ëmbli gjumë...

                                  Shqiptarët,  sidomos  krijuesit  dhe  intelektualët, edhe pas “lirisë së fituar”, ndiqeshin, persekutoheshin e madje ndodhte që edhe zhdukeshin   në   mënyrë   misterioze.  Realiteti  shoqëror  i  kohës  nuk  guxonte  të  kritikohej,  sepse  sistemi  shtetëror  kishte  ndërruar  vetëm  formën, prandaj aktualiteti, bashkë  me  të  nesërmen  duhej  zbukuruar  e  glorifikuar.  Urrejtja  dhe  përbuzja  ndaj  shqiptarëve  do  të  vazhdojë  edhe  në  shoqërinë  e  re. Kështu,  edhe  më tutje shqiptarët do të quhen “turq”, “shiftar”, njerëz me bishta”, “rajë”,  e  çka  jo tjetër. Kjo dukuri  do  të  rishfaqet  në  mënyrë drastike  pas  vitit  1981.  Të  gjitha  këto  fakte  shoqërore,  poeti Esad  Mekuli do  t’i  hedh  në  letër, do  t’i  transportojë  në  vargje,  të  cilat  do  t’i  botojë  kur do të ndryshojnë  rrethanat shoqërore. Sidoqoftë, poezia e  tij  në  të  shumtën  e  herëve, arriti  të  depërtonte  te  lexuesi dhe  të  ushtronte  ndikim  në  jetën  letrare  e  kulturore.

                                   POEZIA   DHE  ANGAZHIMI

                                   Sikurse   e  gjithë  letërsia shqipe  e  viteve  ’30,  edhe  një pjesë  e  krijimtarisë  poetike  të  Esad   Mekulit,  është  e  orientuar  kah tematika  sociale  dhe  patriotike. Poezia  e  tij  pothuajse  qysh  në  fillimet  e veta  krijoji  vizionin  për  të  ardhmen. Sikurse  poetët  e  tjerë  të  brezit  të viteve ’30, edhe Esad Mekuli ka kënduar për këtë vizion, të cilin e ka konsideruar  si  një  përsosmëri  kolektive, domethënë   si  diçka  që  i  mungonte  popullit  të  tij, popujve  të  tjerë  përreth, por  edhe  njerëzimit  në  përgjithësi. Dhe  sa  më  dramatik  që  është  motivi  nxitës  i  fatit  social  e  kombëtar, aq  më  të  gjalla  janë  ngjyrat  e  besimit  për  të  nesërmen. Këtë  poeti  e  ndien  si  një   ëndërr  që  ka  realizimin  e  vet  të  mundshëm, prandaj edhe  do  të  shkruajë:

Por-jo!    Jo, o vllazën-zullumi kputet prej s’trashi-

Gjakësorit  kungulli  gjithmonë s’i shkon mbi ujë!

Ta dini-hekrat e robnisë dhe mjerimit shpejt kanë m’u                                                                                                               kputë

e mbi rrënimet e s’vjetrës, krahas me popujt tjerë,

jeta e re do të fillojë…

                               Vajtimin lene! N’luftë! Përpara! Bini !

Qe-miliona t’shtypun të botës përbri i kini !

                                                                                                       (“Qindro”)[8]

                          Angazhimi  i  Esad  Mekulit  ka  rëndësinë  e  vet  të  madhe, ngase  përmes  fjalës  artistike,  duke  hyrë  thellë  në  përditshmërinë  e  jetës  e cila  ishte  plot  me  kontradikta, do  të  ndikojë  që  ato  të  kuptohen  e  të tejkalohen.  Do të ndikojë në  ngritjen e vetëdijes kombëtare, kulturore, arsimore  por  edhe  njerëzore, duke  përkrahur  të  renë, revolucionin  e  çdo  gjë  që  kishte  të  bënte   me  kohën.  Kuptohet  se  nuk  është   as  anës  kritikës së  deformimeve  kombëtarë  e  shoqërore.  Angazhimi  i  Esad  Mekulit,  është   për  problemet  më  vitale  të  qenies  e  botës  shqiptare  si  dhe të preokupimeve  për  të ardhmen. Në  fillim  duke  e  zhvilluar  aktivitetin  e  tij përmes fjalës artistike do të ndeshet me rrebeshet e kohës. Duke  qenë  e  rrezikuar  ekzistenca   e  qenies  shqiptare  nga  çdo anë, ai që  në  start  do  të vihet  në  mbrojtje   të   identitetit  kombëtar,  edhe  pse  gjendja  e  atdheut  ishte  e  robëruar  e  njerëzit  aty  endeshin  të  dërrmuar.

Trupin tand e kanë varrue, Nano! Trupin tand e kanë

                                        varrue e ai përdridhet i dërmuem.

Po shoh

           kthetrat e përgjakuna mbi te prej të cilave pikon ende,

           pikon-mu në zemrat tona…

                                                                                                          (“Metohi”)[9]

                                  Angazhimi  i  tij  ishte  entuziast  dhe  këtë  duhet  kuptuar si të domosdoshëm, ngase e ka ndjerë në shpirt përballë asaj gjendje të katastrofave  të  vendlindjes. Por,  edhe  pse  në  gjendje  të  tillë poeti  e  do tokën  e  vet  edhe  përkundër  faktit  se  organet  e  pushtetit  bënin  kolonizimin e  tokave  shqiptare. Ja  si  shprehet  poeti.

Metohi!

Dashunija  e  lashtë  e  jonë  për  hapsanat  tueja  andrron,

dashunija  e  lashtë  e  jonë  për  vuajtjet  tueja  këndon-

mbi  varrët  tua  sytë  bahen  pishtar  i  flakët  rrëfeje !

                                                                  (“Metohi”)[10]

Se  sa  ishte  mishëruar  me  popullin  e  fatin  e  tij, shihet  në  vjershën “Popullit tim”, me të cilën hapet vepra “Për Ty”, ku  popullit  të  vet  poeti  i drejtohet  me  këto  fjalë:

Këndova  mbi  ditët  fatlume  që  do  të  lindshin, pa dhunë

n’agimin  e  lirisë  për  ty  me  popuj  këtu  e  ngjeti,

mbi  forcë  të  bashkimit  mbarë…

                                    mbi  vrullin  tand  të  mshehun-

Unë, biri  yt  besnik  dhe  poeti.

                                                                                   (“Popullit tim”)[11]

                                       Angazhimi  i  Esad  Mekulit  përmes  krijimtarisë artistike  shtrihet  edhe  në  sferën  sociale. Poeti  duke  e parë  gjendjen  e vështirë  ekonomike  nuk  ka  mundur   t’i  ikë  përshkrimit  të  atyre  situatave  dramatike. Ai  është  frymëzuar  prej  situatave  konkrete  ekzistenciale  të  jetës. Këto  situata si duket e kishin pjekur para  kohe. Për këto situata dramatike  thotë:

Ecin  legjionet  e  të  untëve  me  gjymtyrë  të  mëshehuna,

                                                            fytyrëzbehtë,

legjionet  e  të  zbathurve  e  të  zdeshunve, legjionet…

para  tyre  dridhet  toka…- Thasaret  mbesin  të  shkretë !

………………………………………………………………………………………….

Të  ngimët  nuk  u  besojnë  që  edhe  pikën  e  mbrame

të  shëndetit  e  fuqisë

për  një  kafshatë  buke  e  kanë  dhanë…

e  ata, të  shtypun  nga  mjerimi, me  bark  të  ngjitun  prej  uje.

                                                                         (“Legjionet e të untëve”)[12]

Format  e  angazhimit  artistik  të  poetit  Esad  Mekulit  ishin  të  ndryshme, varësisht  nga  rrethanat  e  kohës. Në  fazën  e parë  të  krijimtarisë,  ai  do  të  ngrejë  zërin  kundër  gjendjes  së  mjerueshme  dhe   do  t’u   bëjë  jehonë  ideve përparimtare  të  kohës (në  vitet  para  dhe  gjatë  Luftës  së  Dytë  Botërore), për  të  cilat  poeti  kërkon  që  të  realizohen  në  jetë, kurse   në  të  ashtuquajturën  kohë  e  re   do  të  përpiqet   t’i  shpjegojë  konceptet  e  shoqërisë. Ai  nuk  ngurron  të  angazhohet  edhe  në  sfera të ndryshme  politike, filozofike, pedagogjike, etike etj. Dhe  mund  të  thuhet  se fjala  e  tij  ka  ndikim  të  gjerë, sepse  ajo  ka  të  bëjë  me  njeriun  e  trevës sonë  në rrjedhat e jetës shoqëroro-historike. Zërin e revoltës kundër  padrejtësive   shoqërore  e  kombëtare,  poeti  e  ngriti  që  nga  fillimi i krijimtarisë  letrare. Në  këtë  kontekst  kritiku   letrar, Hasan  Mekuli  thotë : “Zëri  i  tij  liridashës  gërthiste  plot  protestë   e   mllef,  plot  angazhim  të  prerë  e  vendimtar  kundër  gjendjes  së  mjerueshme  ekzistuese,  kundër  dhunës  dhe  qëllimeve  të  errëta  që ushtronte-përgjithësisht, por sidomos kundër popullit tonë- regjimi antipopullor  i  Jugosllavisë  borgjeze”[13]

                 Struktura  tematike-motivuese

Poezia e E. Mekulit  trajton  kryesisht  temën  sociale, por  nuk  përjashton  as  temat   e  tjera  që  preokupojnë  poetin. E  pse ai është poet  në  radhë  të  parë  social, më  së  miri  e  vërtetojnë  frymëzimet  nga  jeta  e  popullit  “me  të  gjitha  baticat dhe zbaticat e tij”,[14] dhe  se po ky frymëzim: ka gërshetuar të gjitha  ato elemente që  sajojnë autobiografinë  e  popullit” [15]. Duke  u  identifikuar  në  idealet  e  popullit  E. Mekuli  do  të  ngrejë zërin edhe  kur  e  kishte  të ndalur. Si poet militant  ai  do  të  protestojë  ashpër  kundër  dhunës  e  terrorit, kundër skamjes  e  padijes  dhe kundër padrejtësisë  e  deformimeve  që  bëheshin  para  dhe  pas të ashtuquajturës Luftë Nacionalçlirimtare. Në  krijimtarinë  e  tij  hasen poezi  me  temë  përshkruese, revolucionare, refleksive, peizazhistë, të  atdhedashurisë,  të  protestës  morale  etj.  Në të  gjitha  këto  motive  kemi realizime interesante poetike. 

Poezia  sociale

Gjendja  e  vështirë  që  i  kishte  kapluar  shqiptarët  në  çdo fushë  të jetës,  e  sidomos  në  atë  ekzistenciale, i  kishte detyruar ata që të merrnin  rrugën  e  kurbetit  për  të  siguruar  kafshatën  e  bukës, jo vetëm për vete, por edhe për familjet e tyre. Për këtë kafshatë bukë, bashkëkombësit  e  poetit  do  të  punojnë  punë  nga  më të ndryshmet, nga  më  të  rëndat,  e  kur nuk  gjejnë, ata  do  të  kërkojnë  edhe  lëmoshë për të jetuar. Për këta njerëz endacakë pas ekzistencës, poeti  Esad  Mekuli  do  të  shkruajë  sipas  pamjeve duke  u  identifikuar  me  ta. Do të jetë, natyrisht, në  anën  e  tyre, sepse  poeti  s’mund  të  jetë  veçse  me  ata  që  vuajnë. Kjo  më  së  miri  shihet  te  poemthi  “Kush i pari  bani…” dhe  te  disa  poezi  të  tjera. Duke  mos  pasur   rrugëdalje  në  vendlindje  për  të  jetuar  sharrëxhinjtë  shqiptarë  ishin  të  detyruar të shkonin pas “77 bjeshkëve”  për të  siguruar  kafshatën bukës. Të lodhur,  të  rraskapitur  e  të  dëshpëruar  ata  jetojnë  ashtu  si munden, me shpresë se një  ditë  do  të  bëhet  mirë  edhe  për  ata. Kështu,  ata  jeta  i  mashtron. Ja, si  i  paraqet poeti viktimat e mjerimit përmes poezisë,  “Lypsit”:

Ata  janë  fëmijët  e  mashtruem  t’shpresave  t’jetës

                                                        s’pshtejllueme

që  për ‘i  kore bukë  vuejnë  e  enden  kot.-

bijt  e  panjohur  t’mjerimit,  t’vuejtjeve  e  t’jetës

                                                        S’tmerrueme

që  i  lypin  ndihmë  njeriut  e  qiellit  tue  derdhë  lot.

                                                                 (Lypsit)[16]

Poemthi  “Kush  i  pari  bani…”  është  një  rrëfim  tronditës, por  i  vërtetë  nga jeta  e  shqiptarëve  në  kurbet. Ky poemth  është  i  ndarë  në  katër pjesë dhe secila  në  vete  ngërthen  diçka tronditëse. Në pjesën e parë,  të  titulluar “Nata”,  shihet  atmosfera  e  zymtë  shpirtërore  dhe  fizike  e  kurbetqarëve, të cilët  natën  e  kalojnë  “në dhomzën  e  errët  plot myk”, pa  zjarr  e  pa  ngrohje. Nata  që  vinte  e  shkonte  jo vetëm  që  i  mbyllte  “horizonte”, por  edhe  dukej  “si  çerep  i  zi”, kurse  pikat e shiut  që  bien  në  trupin  e  kurbetqarëve  janë  të  rënda  “si  plumbi”. Jeta  e  tyre  ishte  aq  e  vështirë  sa  mezi  jetohej.

Era  tërbueshëm  uluron  mbi  pullazet  e  çame  t’shtëpive

dridhen  trupat  e  ngrimë  nën  leckën  e  mbulojës  në  skutat

                                                                      e errta t’dhomës,

në  vorr  për  s’gjalli – të  dënuem përç farosje…

Ferri  i  kësaj  botë  dorën  ua  shtrin  t’mjerëve

para se me hy  në  parajsën  e  jetës  s’amshueshme         

                                                                                     (Nata)[17]

Nata  e  kurbetqarëve  shqiptarë  në  vend  që  të  ishte  kohë  e  pushimit, ajo më  tepër  ishte  natë  e  shqetësimit.  Duke  mos  mundur  të  pushojnë  sa duhet, e nata duke qenë e tmerrshme, kurbetqarët i zgjonte nga ankthi ”Mëngjezi” (pjesa e dytë e poemthit), i cili  ishte “andërr e shartueme” për kurbetqarëve  shqiptarë. Ky mëngjes sillte një mundim të ri, por edhe një shpresë  të  re,  se  mos  ndoshta  sot  do  të  gjendet  punë. Këta  mërgimtarë  nuk  zgjedhin  punë, ndërsa  përbuzjet, ofendimet  i  përcjellin  në  çdo  hap  dhe ata  i  durojnë, sepse  prej  tyre  presin  “shumë gojë”:

Mëngjezi për ta asht-andërr e shartueme në zhgjandërr

                                            t’zezë  e t’mundimshme,

thirrje  pamëshirshme  për  derdhjen  e  djersës  e  t’gjakut                                           

qyteteve  t’largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë –

ai  asht  zgjim  i  idhët, plot  andrrime  për  bukë……….

Sepse – çdo mëngjez asht nji thirrje e dhimshme

  • Bukë  për  sot, o  jetë,  pse  shumë  buzë, presin  prej  meje!

                                                                           (Mëngjezi)[18]

Ata enden rrugëve duke kërkuar punë, çfarëdo pune qoftë, të rëndë e të mundshme.  Mjetet  e  tyre  të  punës  janë: sharra,  sëpata  etj;  aq sa poeti thotë:  “O,  vlla, me  sharrë  në  krah…”. Këtyre  mjeteve  do  t’u  “shihet  sherri” edhe  në  “planin  kombëtar”, ngase,  duke   i  mbajtur  në  brez, ato  dalin  pakëz  prej  setrës, andaj  poeti  pyet  me  ironi: “Mos  vallë  për  këtë  na quajtën  njerëz  me  bishta?”.

Po të shoh prap-me duer të mërdhime nën sjetull,

me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e mpreftë të rrasun në shokë (…bishti i saj ka dalë mbrapa setrës dhe duket…

Vallë, mos për këtë na quejtën “njerëz me bishta”?!) –

                                     (O, vlla, me sharrë në krah…)[19]

Duke  u  identifikuar  plotësisht  me  qenien  e  vuajtur  të  sharrëxhiut, poeti  në fytyrën e tij “lexon”:

“kam  fjetur  në  podrumin e lagësht, unë  i 13-ti

“dhe kam hangar në  kusinë  e  bakrit  të  sjellun  prej  vendlindjes

  fasulen  e  hollë  të  vendlindjes, unë  i 13-ti.

” dhe  mirë  a  ba, mbasi  mujta  diku  m’e  mëshehë kryet

“ dhe qeshë  i  lumtur  kur  pata  me  çka m’e me nxeh fuqinë…

“ edhe pse : unë  kënaqem  me  pak (bare kështu thonë”!)-

prej  këtyre  duerve  të  mërdhime, atje mbas 77 bjeshkëve,

shtatë  gojë presin…”

                                                          (O, vlla, me sharrë në krah…)[20]

E  gjithë  kjo  gjendje  tronditës  njeriun  tonë  e  degradonte  në  çdo  pikëpamje,  aq  sa  poeti  do  të  thotë  “ e kam pa të çmendun”. Ky njeri kurbetçar,  duke  mos  pasur  kurrfarë  rrugëdalje  për  jetë, duke  përjetuar vetëm  skamje  e  mjerim,  shfrytëzime  ditë  të errëta, e  duke  mos pasur mundësi  dhe   vetvetes  t’ia  shpjegonte  se  përse  jeton,  ai  vjen  në  atë  pozitë sa  edhe  çmendet.  Gjendja  e  tij  e  molis  aq  shumë  sa  fytyra   do  t’i  venitet,  mendja  do  t’i  degdiset  diku  larg, aq  sa  bëhet : “kurban mjerimi”.

 “ E  pashë  në rrugë – syngulun në largësi:

në bebëzat e hapuna tmerri ishte strukë,

fytyrë –vyshkun  e  verdhë  si  shafrani,

prej  përleshjes  s’brendshme  buzët  shkrum  dhe  duert…

   të mbërthyeme në grushta-t’ashpra si lëvore

                                        e të thata su thupra;

…………………………………………………………………………………….

Sy-

Të grushtave të çuem të kryengritjes

dhe  flamujve  të  lëshuem  t’ujes  e  t’plogështisë,

në kandin etë cilëve mëshehen mëe mija gjama e namë-

klithje  të  mbytna në gjak…

sot e pashë kurbetqarin, vllahun tim-kurban mjerimi

                                                                                 (e kam pa të çmendun)[21]

Motivi  social  shfaqet  edhe  në  poezitë  e  tjera të  këtij  poeti, siç  janë, “unë”, ”legjionet  e  të  untëve”, ” Muzgu  në  qytet”, ”Lypësit” etj., ku  shihet  drama  e  njerëzve  të  thjeshtë  që  mundohen  fizikisht  e  shpirtërisht  në  jetë.  Në  këto  poezi  me  temë  sociale hetohen  qartë  vuajtjet  e  njerëzve  të  pambrojtur  dhe  të  lënë  në  mëshirën  e  kohës  jo vetëm  në  vend të  huaj por edhe  në  vendlindje. Lirika sociale e Esad Mekulit është spontane dhe burimore. Frymëzimi  i  tij  rrjedh  spontanisht  sepse  nxitej  nga  realiteti jetësor.  Përditshmëria  dhe  ngjarjet  aktuale  në  poezinë  me  tematike  të  Esad Mekulit  përgjithësohen artistikisht.

POEZIA PËRSHKRUESE-DESKRIPTIVE

                 Një  pjesë  e  krijimeve  poetike  të  Esad  Mekulit  i  takojnë  zhanrit të poezisë përshkruese apo deskriptive, me të cilën poeti edhe e fillon krijimtarinë  e  tij. Natyra  në  poezinë  e  Esad  Mekulit,  edhe  pse  na  del  e zymtë,  edhe  pse  e  ka  mbuluar  hija  e  natës  (lexo: robërisë),  edhe  pse  është  ”e ngrime”,  ajo  është  përsëri  e  pranishme. Edhe  pse  në  pamje  të  parë  duket  sikur  nuk  e  ka  simetrinë  e  vet, natyra  në  vjershat  e  Esadit  e  ka  bukurinë  e  vet  të  brendshme,  të  mbyllur  e  të  pashprehur,  bukuri   kjo, e  cila  tërheq  poetin,  sepse  është  e  tij. Njerëzit  aty  jetojnë  me  plot “andrrime”  e  shpresojnë  për  një  të  ardhme  më  të  mirë.  Po  kjo  natyrë  do  të  paraqitet  me të gjitha “cilësitë e qenies së gjallë” [22] duke përfshirë mëngjesin,  muzgun,  mbrëmjen etj. Përmes  natyrës  ai  i  ka  gjetur  frymëzimet  për  t’iu  kundërvënë  gjendjes  ekzistuese. Poeti  i  shqetësuar, se,  nuk  mund  ta  jetonte  jetën  ashtu  siç  dëshironte  dhe  ëndërronte  ankohet, sepse  mbi  tokën  shqiptare  kishte  vetëm  “zi  e  kob”.  Në  këtë  aspekt  vërehet  një  lirikë  deskriptive. Si  shembull  po  japim   në  tërësi poezinë “Do të tretem”

në kët mbrëmje të bardhë

Kur gjithë argjendi pikon

Nga naltësitë

Mbi tokën

Plot zi e kob –

Do të tretem

në  dhimbjen  e  jetës  së  pajetueme

me  shpresat  e  paagueme….

                                                                          (Do të tretem)[23]

                          Në zhanrin e krijimtarisë përshkruese dominon natyra e vendlindjes  së  poetit – Plavës  piktoreske  dhe  e  mbarë  atdheut  e  gërshetuar me  të  gjitha  ambientet: tokësore, ujore  e  kohore. Edhe  pse  poeti  herët  do  të  largohet  nga  vendlindja, natyra  e  saj  kishte  lënë  në  qenien  e  tij  mbresa të  thella. Do  të  shkruajë për liqenin e Plavës, uji i të cilit duket si qielli i kaltër, pastaj  do  të  shkruajë  për  fushat  e  Dukagjinit, arat  e  të  cilit  rrisin  gjithçka, por  do  të  shkruajë  edhe  për pranverën, vjeshtën, mëngjeset, mbrëmjet  dhe  për  të  gjitha ato bukuri që e karakterizojnë atdheun. Në vjershat  e  këtij  lloji  vërehet  një  heshtje, një heshtje  që  e  shqetëson  poetin, për  shkak  se  njeriu  shqiptar  që bredh  nëpër botë, nuk  gjen  një  çast  qetësie shpirtërore.  Mirëpo,  edhe  përkundër  vështirësive të shumta me të cilat ndeshet  ky  njeri  në  jetë,  natyra  për  të  dhe veçanërisht  natyra  e  vendlindjes së tij, është  e  bukur  dhe  është  kënaqësi  të  jetosh  në  të. Aty janë zanat që gjithnjë këndojnë, malet e Sharrit që kanë bukuri të paparë, Luboteni  që  qëndron  përballë  erërave  etj.

                                 Bashkë  bore  majesh  pa  shkri

                                Pra  gjelbërt  dhe  e  bardhë-

                                Luboteni  pip  në  naltësi….

                       –  O  Sharr  i  lartë,  i madh

                         Që  na  josh  me  bukuri:

                         Të  duem, të  mbajmë  në  gji!

                                                                   (Sharrit)[24]                                   Edhe prej vargjeve përshkruese shihet shpeshherë gjendja  e  vështirë  e  popullit  shqiptar, gjendje  kjo  për të cilën poeti përdor mjaft sinonime. Në lidhje  me  këtë  një kritik  thotë:”Vetëm në tri vjersha të kësaj periode, “Malli  për  të  pambërrijtshmen”, “Mbramja” dhe “Vegimi”,  fjalët  dhimbje,  i  lënduem, natë,  terr, nxi, klithmë, re, ankth, vaj, vuajtje,  dro,  heshti  me  sinonimet e tyre  i hasim më se tridhjetë herë!”[25] Edhe pse natyrën  e  ka  mbuluar  errësira, ajo  prapë e ka shkëlqimin  dhe  ngjyrat  e  saj,  e  sidomos  në  mëngjes  kur  freskia  e  barit  dhe puhia e erës  është  mjaft e këndshme. Përballë  gjithë  atyre  vështirësive  e  problemeve   në  jetë, poeti  Esad  Mekuli  e  ndien  natyrën si  të  lirë  dhe  endet  në  të  si  “fëmijë”:

Lexo po ashtu:  Nga Kina në Iran: Përse interneti është armiku i madh

Fushat erënjoma shtrihen

                                       si trup i gufuem femne…

       endem si fëmi, n’qetësinë agimore

                                      dhe trupin e ushqej me freski

                                          barishtave dhe t’erës…

                                            (Në mëngjes)[26]

­­­­­­­­­              POEZIA REFLEKSIVE

                                    Kritika letrare gjithnjë e ka përcjellë me vëmendje poezinë e Esad Mekulit. Ndër vjershat që e kanë tërhequr më së shumti vëmendjen  e  saj  janë : vjersha ”Gjykimi”,  për  të  cilën  mendimet  e  kritikëve  nuk  janë  pajtuar  gjithnjë,  pastaj  vjershat:  “Trungu”, “Në grykë”, (“Bistrica”, “Pisha  në  shkamb”, “Dy  shqiponja”), “Brigje”, “Këngë  pleqërisë”  etj.  Lidhur  me  poezinë  “Gjykimi”  disa  kritikë  thonë  se  poeti  ka  mohuar  traditën  letrare, kurse  disa  tjerë  jo.  Një  nga  mendimet  në  lidhje  më  këtë  poezi  është  edhe  i  akademik  Rexhep  Qosjes,  i  cili pajtohet  me  diçka  të  thënë  nga  ky poet, kurse  me  atë  që  nuk  pajtohet  mundohet  ta  arsyetojë. Duke  shkruar për  poezinë  e  këtij krijuesi, ky kritik thotë se ka krijuar ndaras  letërsinë  shqipe, domethënë  se  nuk  e  ka njohur  traditën  letrare  shqipe.  Mes vargjeve, ku  poeti  dëshiron  t’i  flasë  së  ardhmes  dhe është “nga  pak romantik”, dhe mes  atyre  vargjeve ku flet për traditën, vazhdon  ky  kritik- “ka  diçka

të  vërtetë”.  Në  anën  tjetër, duke  mos  u  pajtuar  me  poetin  se  nga  e  kaluara  nuk  kemi  trashëguar  asgjë,  thotë  se  kemi  trashëguar  “përpjekjet” për  ndryshimin  e  gjendjes, pastaj  kujdesin  ndaj  thesarit  të  bukur  popullor, ndjenjën liridashëse etj. Dyshimi nuk  hidhej  mbi  të kaluarën, por  edhe për kohën  kur  Esad Mekuli  ishte  fillestar  si krijues. Në  fund  kritiku  Rexhep Qosja  thotë  se  nuk mund të pranohet ky qëndrim ndaj traditës. Një  kritik tjetër, Hysni Hoxha,  në  lidhje  me  këtë  poezi thotë “është fakt i pamohueshëm  se  në  këto  vargje  shfaqet  një  mendim negativ ndaj të kaluarës  që, edhe  të  mirat  e  së  kaluarës  sonë”[27].  Edhe  ky kritik nuk pajtohet me poetin Esad Mekuli, se të parët tanë  nuk  lanë  asgjë, dhe  se  ky mendim  mbi  të  kaluarën  nuk  duhet  të  interpretohet  në  mënyrë tendencioze.  Ky  reagim  mbi  të  kaluarën ishte  reagim  emocional  ndaj gjendjes  së  robëruar.  Ndërkaq, një  kritik tjetër, Vehap  Shita, thotë  se  kjo poezi  vjen  si  vërejtje  brezave të ardhshëm  për veprat  e  kohës  së  Esad Mekulit. Këto janë mendimet  e  disa  kritikëve  në  lidhje me poezinë “Gjykimi”  të  Esad Mekulit. Këtë  poezi  nuk  duhet  kuptuar  si  mohim  të shkrimit  të  traditës  letrare, por  s i mungesë   e  organizimit  në  sfera të traditës  letrarë, por  si  mungesë  e  organizimit  në  sfera  të  jetës. Por, nëse  është  edhe  ndonjë  mohim, siç  thotë  kritika  letrare, në  të  shumtën  e  rasteve,  ajo  është  një  revoltë  e  çastit,  e  nxitur  nga  gjendja  e  vështirë. Revoltat  e  tilla  nuk  janë  të  panjohura  në  krijimtari  e  në  jetë. E  nëse  ka diçka  të  thuhet  për  këtë  poezi, atëherë  është  besimi  i  tepërt  në  shoqërinë  e  re, ku kishin  ndërruar deri  diku  raportet  shoqërore:

Do të vijnë mbas nesh fëmijt tanë e fëmijt e femijvet tanë                                                                               -breznitë,

dhe ata do të dijnë për ne, se na jemi pjella e Ditës së RE

-plot diell e dashni;

do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’u kallxojmë me binduni

fëmijëve të vet

si kemi ngadhnjye mbi shekujt- tue vu t’kaluemen në gjunj:

si kemi ngritë, nga hini dhe vjetërsija, qytete t’reja

fabrika dhe katunde…

Si  kemi  shkrue  kangë, si kemi thurë tregime

tue  belbëzue  abecenë  edhe gjuhën vetë…

(Dhe ani, që të gjithë jemi marrë me çdo gja, si me qenë

mjeshtra  çollak,me pak dije po me shumë vullnet…)(Gjykimi)[28]

Edhe në poezitë e tjera me motiv refleksiv poeti paraqet mendimin ndaj së kaluarës dhe kohës së vet. Edhe njëra edhe tjetra janë të mbushura përplot ngjarje  dramatike  nga  jeta  e  popullit, i cili kishte mbijetuar dhe po mbijetonte, edhe  përkundër dhunës  së  vazhdueshme. Të  gjitha  ato  ngjarje,  të cilat  brezi  i ri  i dëgjon  me  vëmendje  (rrëfimin për to), nxisin  krenarinë e poetit:­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­                        Tregonin ndër ndeja pleqtë kallëzime dhe urti

e nga ato, ja, buron proza e mbarë;

jehonin këngët e moçme në lahutë e çifteli

dhe iu përgjegjën më të reja poetë e muziktarë

na mësonin e rrëfenin të parët për vete e për kohën

Dhe sot poemat e simfonitë të denja po dëgjohen

                                                                                 (Trungu)[29]

Esad Mekuli gjatë gjithë jetës e ka preokupuar gjendja e pasigurt e bashkëvendësve  të  tij  kudo që  ishin  ata. Dallohen poezitë që i përmendëm edhe më lart: “Bistrica”, “Pisha  në  shkamb”, “Dy  shqiponja” etj. Përkundër ambientit  të  vështirë  natyror  dhe  kushteve të tjera për të siguruar ekzistencën, pastaj  presioneve  të  ndryshme, si,  shpërngulja  e  shqiptarëve  me dhunë nga trojet e tyre etj., ky njeri qëndron, ekziston. Poeti i këndon qëndresës, sepse “jeta  asht  luftë  e  papame  për  hapsi, për  gjallesë-kundër çdo shtrëngese, çdo  vërshimi  shkatërrues!”[30].  Në  këto  poezi  shihet qartë ngritja  e  zërit  kundër diskriminimit që bëhej mbi popullin shqiptar. Me rëndësi  për  poetin  ishte  qëndrimi  i  njerëzve  tanë  në  atdhe  e  vendlindje, edhe  përkundër  gjithë asaj  dhune  që  gërshetohej  me  skamje  e mjerim. Sipas   poetit  të  gjitha  dukuritë  në  natyrën  shqiptare  e  bënin  më  të  fortë  ekzistimin  e  jetës:

Edhe Shqiponja, edhe njeriu shall-bardhë, edhe

Bistrica, edhe Pisha mbi shkamb – sa fuqi

jetësore të puthuna në një vend të kësaj natyre të vrazhdë e të bukur!

                                                                                                (Dy Shqipnja)[31]                                                                   

                              Në përgjithësi poezia refleksive e Esad Mekulit ka pasur ndikim të madh, sepse ka prekur çështjet më vitale nga jeta shqiptare në momentet më të rëndësishme të kohës. Ajo që në të shumtën e rasteve është thënë  nga  kritika  letrare  se  ka  mohuar  traditën  letrare nuk mund të pranohet, sepse ka shumë fakte bindëse për të kundërtën. Si  shembull po përmendim  poezinë  “Bjen  sharkia  e  Ymerit”.  Për  ta  shkruar  këtë  poezi poeti  u  ndikua  në  mënyrë  të  drejtpërdrejtë  nga këngëtari popullor Ymer Riza nga Gjakova.  Në  një  ndejë  ku  ishte prezent  edhe vetë poeti, ky këngëtar  aty  për  aty  i  shndërroi  në  këngë  popullore  vargjet e tij. Kjo tregon  se  poeti  nuk  ka  mundur  të  ketë  qëndrim  negativ  ndaj  të kaluarës. Po  të  kishte  qëndrim  të tillë, ai  nuk  do  të  kishte  qëndruar  sigurisht në  odë ku  këndohej  me  çifteli  e  sharki – sigurisht  edhe  për  të  kaluarën  tonë  dhe nuk  do  të  frymëzohej nga ato.

POEZIA   E    LUFTËS    DHE   E    REVOLUCIONIT

                                           Duke  mos  u  pajtuar  me  realitetin  ekzistues, por duke  qenë  në  rrjedhë  të  kohës, tek  E. Mekuli që  në fillim lindi  mllefi poetik. Ky mllef shfaqet si zjarr i takimit të dy ndjenjave: dufit rinor për vendlindjen  dhe  njerëzit  e  saj  nga  një  anë  dhe revoltës për shkak të gjendjes së atyre  njerëzve, për  padrejtësitë  sociale  e  kombëtare  që  ushtronin  të  tjerët  mbi  ta, në anën tjetër. Edhe pse poeti E.Mekuli përjeton një jetë me dhimbje të shumta, të  zhytur në  hapësirën e zymtë të Ballkanit, tek ai nuk mund të fshihen idetë  për  një  të  ardhme  më  të  mirë. Ai gjithnjë ishte nga pak optimist dhe  kishte  besim  të  plotë  në  forcat shoqërore  të  vegjëlisë  e  në revolucionin  socialist  që  po ngadhënjente. Madje, për  këtë  revolucion  do  të  jap  edhe  kushtrimin  për  luftë, sepse një gjendje e tillë e kishte demoralizuar mjaft poetin:                                Hej, çoji grushtat

populli im

ndër pranga!

             shko në rrugën e gjakut:

-ja vdekje, ja Liri!                                                           

                                                        (Kushtrimi) [32]

Revolucioni, që kishte si moto vëllazërim-bashkimin e kombeve, edhe shqiptarët do t’i  bashkëngjiten. Edhe  njerëzit  gjakut të poetit do të derdhin gjakun  e  tyre  në luftën e gjerë antifashiste. Mirëpo, pas luftës, ata do të ndahen të zhgënjyer e të mashtruar, pra, do të vazhdohet me avazet e vjetra. Gjatë luftës e revolucionit, ku do të marrë pjesë aktive, poeti do të shkruajë poezi për vëllazërim-bashkimin, për dëshmorët e luftës, për ndonjë ngjarje të saj, për  ndonjë  personalitet  të dalluar  të asaj kohe etj. Disa prej këtyre poezive i shkroi me qëllim që të t’u shmangej  ndjekjeve  të  pushtetit, por  në  anën tjetër edhe  për shkak  se  i  ka  ndjerë  në  shpirt,  sepse  ato  ngjarje  ishin  të  kohës. Duke  i  besuar  idesë  së  proklamuar, poeti  ynë  do  të  shkruajë:

Pra, t’përqafemi vllaznisht, t’na ndihet njizashëm

                                                          kushtrimi-

mbi gjak e mëni shekujsh të lulzojë njihërë

                                                         bashkimi!

                                                                       (Dashunija)[33]

                                              Forcat  burokratike  dhe  shoviniste  të  pushtetit të pasluftës  shpeshherë  theksonin  se  lirinë  shqiptarëve ua kanë sjellë të tjerët dhe se ata e gëzonin si të gatshme. Esad Mekuli  i  kundërvihet  kësaj propagande. Një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Edhe vet pjesëmarrës i atij revolucioni, ai do të shkruajë  se  populli  i  tij  ka  derdhur gjak sikur të tjerët:

Po! N’errësirën e shtypjes së randë sa shkëmbi,

Ndëgjova thirrjet që të bana me dalë n’dritë-

Pse për liri – me të tjerë

ke  dhanë edhe ti

djersë  e  gjak… si etnit

                                             (Popullit tim)[34]

Lidhur  me  të  ashtuquajturën  Luftë Nacionalçlirimtare  dhe  me  revolucionin, poeti  Esad  Mekuli  do  të  shkruajë edhe  poezi  të  tjera, që  do  t’ua kushtojë  shokëve  të  tij, të  cilit  ishin  edhe  ata pjesëmarrës  të  saj,  madje  disa prej tyre edhe dëshmorë të luftës (Ramiz Sadiku, Emin  Duraku, Mustafa  Bakija  etj.), e disa prej tyre  ende  ishin  gjallë, por  të  dëshpëruar.  Në  elegjinë  për  Ramiz Sadikun, poeti këndon për luftëtarin  dhe  shokun  besnik të luftës, prijësin  me  të  cilin u  ngrit  i  tërë vendi  për  çlirimin  e  atdheut:

Bacë, o vlla- Ramiz!

O shok, e krah- o pris!

                                             Me ty o proletar

                                            nën Yllin çlirimtar,

                                          u zgjue i ulti rob-

                                        puntor e katundar!

                                                                                 (Ramiz, o vlla)[35]

                                                 Shpeshherë  poeti  frymëzohet  edhe  nga  ngjarjet  historike  të  popullit, si  edhe  nga  figurat  e  luftëtarëve  të  ndryshëm. Një  figurë  e  tillë  është  Xhemal  Kada, luftëtar  i  brigadave  internacionale  të  Spanjës. Poeti  do  ta  quajë  Xhemal  Kadën, i cili  kishte  dhënë  jetën për lirinë e Spanjës “Trendafil  i  Dukagjinit”,  flamur  i  fisit  të  tij etj. Esad Mekuli, e  dinte  se  kjo  poezi  nuk  do  të   pritej  mirë  nga  pushteti  aktual, por  kjo  poezi  nuk  do  të  pritej  mirë  nga  pushteti  aktual, por   e  dinte  se  do  të  arrinte  efektin  e  duhur,  ngase  nuk  ishte  ajo  liria  për  të  cilën  kishin  luftuar  ai  dhe  shokët  e  tij  të  idealit:

Në pragun e verës së pjekur,

Rini e kositur

Për Spanjën e dashur-

Për jetën pa kufij.

Xhemal flokëkuqi

Trëndafil i Dukagjinit

Mbi varret pa nishana-

        Flamur i fisit tim !

                                                                                              (Flamur)[36]

Edhe  pse  poezi  me  temë  nga  një  luftë  e  revolucion  që  u  shua me gjak, pra nga  një  revolucion  “i dështuar”, vargjet  e  kësaj  poezie  do  të  mbeten si vargje-dëshmi  të  angazhimit  të  një  intelektuali  të  kohës. Përmes vjershave të  këtij  cikli  poeti  Esad  Mekuli,  u  kundërvihej  shpifjeve  e  akuzave të shumta  që  lansoheshin  kundër  fakteve  të  gjalla  të  historisë  sonë.

POEZIA  E  PROTESTËS

                                                   Për disa nga dukuritë negative dhe ngjarjet tronditëse  të  periudhës  së  pasluftës, E. Mekuli  një  kohë  do  të shkruajë, por nuk  do  të  botojë. Ishte  fjalë  për  deformimet e njohura që po pësonte (pushteti  popullor). Por  në  mesin  e  këtyre shkrimeve, ka edhe të atilla që ai do  t’i botojë  në  “Jetën e re”  apo  në  kuadër  të  përmbledhjes  “Për ty”.        Në këtë grup hyjnë një numër vjershash që “e shpjegojnë psikologjinë e njerëzve  tanë,  botëkuptimet  e  tyre, një  lloj  ndjenje  krenarie  dhe  inferioriteti  që  i  ka  mundur, pastaj  njëfarë  pasigurie  e  mosbesimi  nga  i  cili  nuk  kanë  mundur  të  shkëputen  lehtë, pikërisht  për  shkak  të  jetës  së gjatë  në  robëri  e  shtypje  të  çdo lloji”.[37] Edhe  pse rreziku  ishte  evident, Esad  Mekuli  do  të  marrë guxim  e  do  t’i  botojë  këto  poezi, të  cilat  ishin protestë  e  ashpër  kundër  atyre  deformimeve, aksionit për mbledhjen e armëve  dhe  presioneve  të  tjera të shumta që bëheshin në kurriz të shqiptarëve. Si  poet  dhe  si njeri  herët  e  ka vërejtur  këtë  diskriminim, dhe që  në  vitin 1938  do  të  shkruajë  vjershën  “A  asht  fajtor  shqiptari?”. Për  ta shkruar  këtë  poezi  poetin  e  nxit  lajmi  tronditës  për  marrëveshjen mes Serbisë  e  Turqisë  për  shpërnguljen  e  400 mijë  shqiptarëve  nga  trojet  etnike  të  tyre  për  në  shkretëtirat  e  Anadollit.  I  revoltuar nga kjo marrëveshje “xhentëlmenë”, poeti  Esad Mekuli pyet  se  a  mund  të  jetë  fajtor njeriu- shqiptar  që  jeton  në  tokën  e  vet:

A asht fajtor Shqiptari pse nën këtë qiell jeton,

Nën këtë qiell-në trojet e të parëvë të vet?

A asht fajtor pse asht, e përkundër të gjithave-qindron

Shqiptari, rob e njeriu që i vetvetes të jet?!

                                                                      (A asht fajtor shqiptari)[38]

                       Edhe  pse  u  botua  shumë  vjet  më  vonë,  kjo  poezi, pati jehonë  të  madhe,  sepse  dukuritë  e  tilla  kishin  nisur  të  shfaqen përsëri në kohën kur botua ajo.

                         Pos  shpërnguljes, kishte  edhe dukuri të tjera kundër shqiptarëve  si : ndjekja, persekutimi,  mohimi,  vrasja, përbuzja, ofendimi etj., që  e  shqetësonin  poetin  në  lidhje  me  këto  dukuri, ai  sikur  zhvillon  dialog me  ata  njerëz  që  i  shkaktonin  këto  veprime  çnjerëzore.  Kërkon nga ata që të mos e thërrasin “me emën t’huej”, me fjalë e emra përbuzës si: “turq”, “shiftarë”, “rajë”, “njerëz me bishta” etj., sepse  e  preknin  thellë  në  ndërgjegje dhe ia trazonin plagët të cilat nuk ishin shëruar ende. Por, forcat shoviniste  të  pushtetit  jugosllav i bënin këto me qëllim që të shkaktonin përçarje  mes  shqiptarëve  në  kohën  kur  niveli  i  vetëdijes  kombëtare  ishte  i ulët, gjoja  se  shqiptarët  këndej  kufirit  ishin  “shiftarë” (ishin “turq”, dhe  ishin  të  huaj  në  këtë  tokë), kurse  ata  të  Shqipërisë  ishin shqiptarë të vërtetë. Për ta ilustruar këtë po japim disa vargje të dy poezive të ndryshme:

Po, s’jemi turq, nuk jemi!

Jo kurr’! Ta din të tanë:

Shqiptarë dhe t’parët i kemi.

Feja prej kombit s’na ndanë!

                                                                     (Turk, elhamdulilah)[39]

dhe:

-O, ti di

Çka jam!

Atë, atë ma thuej:

Mos trokit në portën e hapun në këtë ditë

                                        t’pranverës sime,

mos më thirr

me emën t’huej!

(Mos më thirr me emën t’huej) [40]

Dama  tronditëse  kolektive  e  bashkëkombësve  të  poetit  shprehet  në  mënyrë autentike  edhe  në  vargjet  e  mëposhtme:

Qemë- jo njerëz,

            Po robë:

                         Pa bukë, liri-n’uzdajë;

Në votrën tonë

                        pa shtëpi

                      në plangun tonë- argatarë!

Qemë-turq,

                  dreqën me bishta

                                                 qemë-rajë

Që t’hiqet në vargoj të mjerimit të përbuzën

                                                      -shiftarë!

                                                                         (Shqiptari këndon)[41]

Një problem tjetër, që në vitet ’50 kishte marrë përmasa të mëdha, ishte i ashtuquajturi aksion për mbledhjen e armëve. Një  njeri, njëri  nga  ata të shumtit, që  i  torturojnë  përfaqësuesit  e  organeve  të  pushtetit, duke  mos patur  armë,  e  var veten. Këtë  njeri  të  varur  njerëzit  as  që  guxonin ta shihnin nga frika, sepse  ata  mund  të  binin  viktimë. Me  fjalët  e  këtij  njeriu të  varur,  poeti  dëshiron  të  tregojë  se  koha  në  të cilën  jetonin  nuk  ishte kohë  e  lirisë. Kjo  është  porosia  e  poezisë:

Udhërrëfyese le t’bahen këto duer të mija

dhe plagët që trupin tim shëmtojnë

pishtare ndriçuese n’çdo rrugë pa shkëndija,

e laku rreth qafës-ku mbarojnë vuajtjet

për jetën ma të mirë

në kët ditë të lirë,

në kët ditë të lirë!

                                                         (I varuni i këndon lirisë)[42]

                           Të gjitha  poezitë  që  trajtojnë  këtë  temë  janë  të  dhimbshme. Tronditës  është  edhe  rasti  i  mësuesit  Jusuf  Jusufi nga Tetova, i cili, si shumë  të  tjerë, ishte  shpërngulur  në  Turqi.  Ekzemplari  i  revistës “Jeta e re”,  të  cilën e drejtonte Esad Mekuli, kthehet  me shënim “shpërngul në Turqi”.  Kjo  gjë  e  pikëllon  poetin,  sepse  ky mësues e kishte braktisur detyrën e tij apo, siç thotë poeti, e kishte “trathtue”, pikërisht  kur popullit i duheshin  njerëzit  e  arsimuar. I revoltuar poeti shkruan:

Lexo po ashtu:  1941, Fjalimi historik i Esat Mekulit në Pejë: “Gjatë sundimit të Jugosllavisë asht thithun gjaku jonë, kanë dashtun me na ligshtue ekonomikisht, kanë dashtun me i marrë me forcë tokat shqiptare, me formue artificialisht shumicën e elementit sllav”

Pandeh

Si mësojtore

O Mësues

Të cilën e ke trathtue

                                                              (Dhimbje)[43]

                                            Si plotësim a kundërvënie poezisë së mësipërme është poezia “Porosija e nanës”, ku nëna, përkatësisht vendlindja, i porosit djemtë  e  saj  që  të  mos  shpërngulen, sepse  ky  ishte  vendi i tyre. Për  atë  vend  kishin  derdhur  gjak  edhe  të  parët e tyre, andaj edhe ata duhet ta gëzonin  e  ta  jetonin  jetën:

Unë be po u qes,

                                                    Bre djelm-

                                                                          në trollin

                                                                                          që shkelët si fëmi,

                                                                           në eshtrat e të parëve,

                                                      në gjakun derdhun për liri,

                                                      në fatlumninë tuej e të nipave,

                                                      në tamblin e gjive të mi’ –

                                                      m’i  terni lotët që t’harroj çdo dhimbë:

                                                      mos me u nda

                                                      prej prehnit tim

                                                      as vllau me vlla!

                                                                           (Porosija e nanës)[44]

                                          Vargjet  e  Esad  Mekulit  që  frymëzohen  nga ndjenja  e  protestës  janë  fragmente  tronditëse  të shkëputura nga përditshmëria  e  njerëzve  tanë. Duke  qenë i mishëruar me jetën e popullit poeti  është  frymëzuar prej halleve të tij dhe ka ngritur zërin e protestës, revoltës dhe  të  ndërgjegjes  kundër  atyre  dukurive, sepse  edhe ata janë njerëz. Ai  i  ka  ndier  thellë  në  shpirt ato ngjarje sa që disa vjersha për to, edhe pse  i  ka shkruar, për  shkak  të  censurës, nuk  ka  pasur  guximin t’i botojë. Këto  vargje  edhe  pse  në  të  shumtën  e  rasteve  deklarative  apo  përshkruese  kanë  vlerat  dhe  rëndësinë  e  vet.  Qëllimi  i  poetit  ishte  që  ta ngrejë zërin dhe  ta  thotë  të  vërtetën. E  tha  përballë  rreziqeve  të  shumta, madje  edhe  kur  atë  mund  ta  vrisnin  “si një këlysh”.

DIÇKA RRETH VARGUT DHE STRUKTURËS FIGURATIVE

Përpos  asaj  që  thamë deri  më tani për krijimtarinë poetike të Esad Mekulit, është  me  rëndësi  të  thuhet  diç  edhe  për  strukturën  ritmike  dhe figurative  të  kësaj  poezie. Edhe pse ky poet do ta fillojë krijimtarinë  letrare  në  gjuhë  të  huaj, në gjuhën  serbo-kroate, shprehja  e  pasur  poetike  dhe lloj-llojshmëria  e  vargut  nuk  do  të  mungojnë.

I  frymëzuar  nga  përditshmëria  e  hidhur  e  jetës  dhe  duke  mos mundur t’i  ikë realiteti, poeti do të krijojë vargje të ndryshme në pikëpamje tematike, ritmike  dhe  figurative.  Në  poezinë  e tij  hasen vargje të ndryshme, si p.sh. : vargje  të  lira, të gjata, të shkurta, vargje  monokolnëshe, por  shpeshherë  vargjet  e  tij  do  t’i  ngjasojnë  edhe  prozës.

Vargu i lirë është karakteristik për poezinë e Esad Mekuli dhe është i pranishëm në shumë poezi të tij si p.sh.: “Dashunija ime”, ‘Zgjimi”, “Metohi”, “Malii”, “Kangë intime”  e  shumë  të  tjera. Vargu i thyer përdoret  në  poezitë si: “ Shqiptari këndon” etj. Vargjet  e  gjata  në  poezinë si:  “Gjykimi”, “Në liqenin e zanave”, “Kush i pari bani” etj.  Edhe  vargjet monokolonëshe  nuk  janë  të  pakta.  Si shembull  kemi  poezitë : “Kur lufton  për  jetë”,  “Aty jam”, “Jam krenar”, “Rinisë”, (nga  poema  e  hidhur) etj.  Me  vargjet   e   tij  të  formave  të  ndryshme  poeti  krijon strofën,  rimën,  sonetin  etj. Strofa  është  prezentë   në  disa  poezi,  si p.sh.: “Unë”, “Rinisë” etj., rima   në  poezinë  “Lypsit” etj., kurse   sonetin  e  kemi  në  poezinë “Mramja” etj. Edhe  pse  i   ndikuar  nga  letërsia  jugosllave dhe botërore  në  vargjet  e  tij  të  lira, gjithnjë  kemi natyrën e  ambientit shqiptar  me  të  gjitha  ngjyrat  e  saj. Për  të  arritur  efekte  të  ndryshme poetike  Esad Mekuli  do  të përdorë  fjalë  që do të përsëriten në poezi, pastaj vargje të tëra, por edhe strofa të plota. Si shembull për këtë kemi poezinë  “Unë”,  ku  poeti  do  të  përsërisë strofën e parë edhe në fund, pastaj  strofat  të  poezitë “Metohi”, “Lypsit” etj.

Në  krijimtarinë  e  tij  poetike  Esad mekuli përdor edhe figura në  ndryshime stilistike. Njëra prej atyre figurave më të shpeshta është krahasimi, që  në  krijimtarinë  e  poetit  është  përdorur mjaft dendur. Përmes  kësaj  figure  poeti  i  jep ngjashmëritë  mes  fenomeneve e objekteve  të  ndryshme  që  u  ngjasojnë  dukurive  të  jetës. Shembuj  të tillë  kemi te poemthi “Kush i pari bani”, ku  “qielli”  krahasohet me “çerepin e zi”, por  edhe  është  i  rëndë  si “tunxhi”, pastaj  zëri  i sharrëxhiut  krahasohet  me  dënesen  e  nënës, ofshamën  e  saj; pikat  e  shiut në trupin e kurbetqarëve  janë  të  rënda si plumbi, si kazmat e punëtorëve  që  bien  në  tokë. Po  ky  njeri  krahasohet  edhe  me  shafranin, kurse  duart  e  tij  duken  si  lëvore  të thata  të  thuprave. Kokat  e lypësve që  i  kanë  mbushur  rrugët  kudo, duken si “thumb i zi”.

Përmes këtyre figurave jepet edhe gjendja e zymtë e vendlindjes, e cila krahasohet me “retë hijerënda”, që e kishin kapluar dhe mbyllur “horizontet”. Për të dalë nga kjo gjendje poeti është edhe vegimtar dhe vegimet e tij janë:

Si qingja t’shpërndamë që rrëshqasin n’kaltrim

                                                  tufat bardhore

dhe qielli kumbon n’bardhësitë e tij virgjinore…

                                                                                              (Vegime)[45]

                                     Si  figurë  tjetër  që  është  përdorur  mjaft  në  poezinë   e  Esad Mekulit  është  edhe  kontrasti  apo antiteza, përmes së cilës  jepen  dukuritë  kundërshtuese  në jetë. P.sh.

                                  Pse – t’hollë,tepër t’hollë e ke setrën, kurse xhepat

                                         janë shumë të ngushtë për duart e tua t’ajuna

                                                              (O, vlla, me sharrë në krah)[46]

                       Pastaj po aty vërehen vetë nëntitujt kontrastivë si: Nata-mëngjesi; errësirë-drita; ëndrra-zhgjëndrra; mjerimi-begatia etj. Edhe  simboli si figurë  është përdorur mjaft. Ngjyra e kuqe  në  poezinë e Esad  Mekulit  simbolizon  rrezikun  që  ishte  evident  çdo çast përballë jetës që  ishte plot me kontradikta. Si simbol poeti do të përdorë edhe numrat. P.sh. numri 13-të. Kemi  edhe simbole  të  tjera si p.sh. dielli dhe rrezet e tij simbolizojnë  ditët  e  jetës  së  re, nata  e  errët  simbolizon robërinë. Prej figurave  dallohet  edhe  epiteti,  i  cili  është mjaft origjinal. Në vargjet  e  tij hasen  epitete  të  tilla  si  p.sh.: sharrë  e  stërlashtë, sopat e mprehtë, fasule  e  hollë, thumb  i  zi, gjijt  e  irnuam, plis  i  leckosun, gardhiqe të shtremba, buzët shkrum, fytyrë-vyshkun, pullaze të çame, dhomzë  e  errët  etj. Nga  figurat  poetike  nuk mbesin anash as personifikimi  dhe  metonimia. Kjo  më  së  miri  shihet  në poezinë “Pamje”

Shiriti i bardhë i rrugës dhe ngjyrat e mengjezit.

              Në  perëndim-majet e dhambzueme të Bjeshkëve të Nemuna

                                                   si me pasë kafshue qiellin…

                 Shtyhet lehtas qerrja jetike… Rrotat e vjetra kalamenden

                                                                      mbi pluhun

                        Qet’ e imtë peshën e mëngjezit tërheqin: paramendon e

                                                              nji grusht sanë

                       dhe atë me strajcë- plisin e irnosun, këmishën e arnueme

                                     Dhe fletën e bardhë t’gazetës në duert e shtrime…

                                                                                                (Pamje)[47]

Në  krijimtarinë  e  Esad  Mekulit  ka  edhe  mjaft  figura të tjera poetike, prandaj kjo  që  thamë  lidhur me këtë  çështje  është  vetëm  një  segment  i këtij  kapitulli.  Të  themi  në  fund  se  vargjet dhe figurat në krijimtarinë e Esad Mekulit  i  veçon  një  trazim i brendshëm dhe i jashtëm ndjenjash të akumuluara  në  qenien  e  poetit.

P Ë R F U N D I M

                                                 Lexuesit  e  poezisë  së  Esad  Mekulit  gjithnjë do  të  mbeten  të  pasionuar pas saj, sepse në esencë ajo është poezi e frymëzuar  nga  përditshmëria  e  hidhur  shqiptare.  Kjo  poezi  implikon  shumë  ngjarje nga  jeta  e  popullit, por  njëkohësisht  shumë  vargje  të  tij ishin  edhe  nxitëse  për  të  ecur  me kohën. Edhe  pse  krijimtaria  poetike e Esad Mekulit është jovoluminoze, ajo  ka  arritur  të  depërtojë  në  të  gjitha shtresat  e  lexuesve  dhe  të  arrijë  popullaritet,  sepse  ai  krijoi  nëpër  periudha  të  ndryshme  shoqërore-historike, të  cilat  ishin  plot  me  kontradikta. Në këtë kontekst, ai  do  të  krijojë  besimin  në  vete, por do të ndikojë  edhe  në  gjeneratat  e  reja  me  bindjen  se  fuqia  më  e  madhe  për çlirimin  dhe  ardhmërinë  e  një  populli  është  vetë  ai.

                                                  Poezia  e  Esad  Mekulit ishte një zë i ndërgjegjes  së  kohës, por   edhe  i  durimit  dhe  revoltës.  Esad  Mekuli  i takon grupit të atyre  krijuesve që,  me  krijimet  e  tyre  artistike, luajnë  rol  të  rëndësishëm  në jetën  e  një populli. Me krijimtarinë  e tij  poetike, ai u bë kronist  por  edhe  pararendës  i  jetës  së  shqiptarëve  të  kësaj  pjese  të  atdheut  për  më  se  gjysmëshekulli. Ai  i  beson fuqisë  së  artit  dhe  shpreson  se  përmes  saj  mund  të  ndikojë  në  rrjedhën  e historisë. Edhe pse krijimtarinë  letrare e filloi  në  gjuhë  të  huaj  e  në  një  stil  përshkues, por  të  qartë, ajo  të  lë  përshtypje  dhe  është  tërheqëse  për  t’u  lexuar  dhe  rilexuar shumë herë.

Ky  poet  është  vlerësuar  mjaft  lart  si  nga  ana  e  lexuesve, ashtu  edhe  nga ana  e  kritikës  letrare. Për poezinë  e  këtij  krijuesi  të  shquar  nuk  ka  shkruar vetëm   kritika  shqiptare, por  edhe  kritika  në  gjuhët  e  letërsive  të  popujve të ish Jugosllavisë. Në  përgjithësi kritika  atë  e  ka  vlerësuar lart.  Kështu, akademik  Rexhep Qosja, duke  folur  për  krijimtarinë  e  këtij  poeti  thotë  se fama  e  Esad  Mekulit  “mund  të  matet  me  famën  e  Majakovskit, Apolinerit, Lorkës, Jeseninit  në  vendet  e  tyre”.

Esad  Mekuli që në fillim të krijimtarisë  ishte  dhe  mbeti  një  poet i angazhimit  social, shoqëror  e  kombëtar, duke  mos  përjashtuar  as angazhimet  e  tjera. Për  Esad  Mekulin  si  njeri  dhe  si  poet kanë shkruar edhe  shumë  kritikë  vargje, poezi  të  ndryshme,  madje  edhe  kurorë  sonetesh. Një  rol të madh ka dhënë në përkthimin e veprave të ndryshme letrare, pastaj  në  organizimin  e  jetës letrare  dhe  kulturore, sidomos përmes revistës  letrare  “Jeta  e  re”,  e cila  nën  redaktimin  shumëvjeçar  të  këtij poeti, arriti  t’i hapte horizonte  të  reja  zhvillimit  kulturor  dhe letrar të shqiptarëve  në  ish  Jugosllavi.

Në  krijimet  artistike  të  poetit  Esad  Mekuli  nuk  mungon pothuajse asnjëherë  porosia  dhe  mesazhi  i  madh  kombëtar,  shoqëror dhe etik. Përkitazi  me  këtë, poeti  dhe  kritiku  Agim Vinca, thotë se,  Esad Mekuli është: “Poet që fjalës së shkruar i ka ngarkuar përherë një mision të lartë formues, etik  dhe  shoqëror,  ideor  dhe  edukativ, por  edhe  estetik, dhe  që  ka  shkruar  kryesisht  atëherë  kur  ka  pasur  diçka  të  rëndësishme  për të thënë”[48].

Kredo artistike  e poetit Esad Mekuli ishte të qenit “bir besnik dhe poet i popullit  të  vet”, siç thoshte  në  vjershën  programatike  “Popullit tim”, me të cilën edhe hapet vëllimi i tij kryesor me poezi “Për ty” (1955). Edhe në përmbledhjet  e  mëvonshme si  “Avsha  ada” (1971), “Drita  që  nuk  shuhet” (1989) etj., me  gjithë  ndryshimet  dhe  evoluimet  i  mbetet  besnik   këtij  ideali  të madh social dhe estetik. Pjesën dërrmuese të veprës së vet ai, ia kushton  popullit, duke  u  identifikuar  plotësisht  me  vuajtjet  dhe  shpresat  e tij, aq sa mund  të  thuhet  se  Esad Mekuli, ishte dhe mbetet një poet që e meriton  epitetin  “poet i popullit”.

BIBLOGRAFIA  E  VEPRAVE  TË  ESAD  MEKULIT

  1. Pë ty, “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1995.
  2. Për ty, (Botim i plotesuem dhe i përmisuem), “Rilindja”, Prishtinë, 1963.
  3. Dita e re, “Rilindja”, Prishtinë, 1966.
  4. Për ty, (Botim i tretë i plotusuem), “Rilindja”, Prishtinë, 1967.
  5. Avsha ada, “Rilindja”, Prishtinë, 1971.
  6. Vjersha,  “Rilindja”, Prishtinë, 1973.
  7. Dita e re, ( Lektyrë shkollore). “Nasha kniga”, Shkup, 1977.
  8. Brigjet, “Rilindja”, Prishtinë, 1981.
  9. Rinia e kuqe, “Rilindja”, Prishtinë, 1983.
  10. Drita që nuk shuhet, “Rilindja” Prishtinë, 1989.

LITERATURA

  1. Zhan-Pol Sartër, Letërsija e angazhime, “Jeta e re”, nr. 3, 1960, Prishtinë, f. 246-252.
  2. Vehap Shita, Frymëzimi poetik i Esad Mekulit, “Gjurmëve të letërsisë”, “Rilindja” Prishtinë, 1070, f. 53-72
  3. Ali D.Jasiqi, Jeta jonë në vizionin poetik të Esad Mekulit, “Shfletime” “Nova Makedonija”, “Shkup. 1972, f. 80-84.
  4.  Hasan Hasani, Ju paraqesin shkrimtarët, “Shkëndija”, nr. 18, 1972.
  5. Rexhep Qosja, Poeti si pararojë shpirtërore e popullit, parathënie e librit “Vjersha”, “Rilindja”, Prishtinë, 1973. f. 7-17.
  6. Hilmi Agani, Mbresa dhe mendime për poezinë e Esad Mekulit, “Gjurmë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1973, f. 7-17.
  7. Rexhep Qosja, Esad Mekuli, “Dialogje me shkrimtarët”, “Rilindja”, Prishtinë 1979 (botim i dytë), f. 215-251
  8. Hysni Hoxha, Poezia si dokument tronditës i realitetit, “Kritika”, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 21-28
  9. Dr.Agim Vinva, Poezia e patosit kolektiv, “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”, “Rilindja”, Prishtinë, 1985 f. 41-83.
  10.  Isak Shema, Shtigje të krijimtarisë poetike të Esad Mekulit, f. 28-56 dhe Pikëpamjet e poetit mbi letërsinë, “Aspekte të letërsisë”, “Rilindja”, Prishtinë 1985, f. 282-290.
  11.  Esad Mekuli, Mbi krijimtarinë letrare, “Jeta e re”, Prishtinë, Nr. 5, 1981, f. 780-798
  12.  Esad Mekuli, Mbi krijimtarinë letrare, “Jeta e re”, Nr. 5, 1981, Prishtinë, f. 611-619.
  13.  Hasan Mekuli, Arti poetik si trajtë e vetëdijes estetike dhe shoqërore, “Jeta e re”, Nr. 5,  1981, Prishtinë, f. 661-679.
  14.  Branko Jokiq, Esad Mekuli – Eho i popullit, “Jeta e re”, 1981, Prishtinë , Nr.5, f. 735-738 .
  15.  Vlladeta  Vukoviq,  Esad Mekuli, “Jeta e re” , Nr. 5, 1981, Prishtinë , f. 708-716.
  16.  Ali Aliu, Kontinuiteti i mendimit poetik, “Jeta e re”, Nr. 5, 1981, Prishtinë, f. 717-724.
  17.  Ibrahim Rugova, Pikëpamjet estetike-letrare të Esad Mekulit, “Jeta e re” Nr. 5, 1981, Prishtinë , f. 742-751.
  18.  Abdullah Karjagdiu, Pesë poezi të lexuara, “Jeta e re” Nr. 5, 1981 Prishtinë, f. 765-779.
  19.  Vehap Shita, Esad Mekuli – dritë që nuk shuhet. “Jehona”, shtator 1993, f. 5.
  20.  Artikuj, shënime, intervista, ese e shkrime  të  tjera  kritike  letrare  lidhur  me  jetën  dhe  krijimtarinë  e  Esad  Mekulit  botuar  në periodikun shqiptarë.

PËRMBAJTJA

Hyrje……………………………………………………………………………………………..1

Poezia e Esad Mekulit në rrjedhën e kohës…………………………………………..4

Poezia dhe angazhimi……………………………………………………………………….7

Struktura tematike-motivuese…………………………………………………………..10

Poezia sociale…………………………………………………………………………………11

Poezia përshkruese-deskriptive…………………………………………………………14

Poezia refleksive……………………………………………………………………………..16

Poezia e luftës dhe e revolucionit……………………………………………………….19

Poezia e protestës…………………………………………………………………………….22

Diçka rreth vargut dhe strukturës figurative………………………………………….26

Përfundimi………………………………………………………………………………………28

Bibliografia  e  veprave  të  Esad  Mekulit…………………………………………………31

Literatura………………………………………………………………………………………….32
Përmbajtja……………………………………………………………………………………….33


[1]. R. Qosja, Poeti si pararojë shpirtërore e popullit, Vjersha, Prishtinë, 1973,         2. E. Mekuli, Mbi krijimtarinë letrareJeta e re”, Nr. 5, 1981, f.  613

3. S. Syla, Krtika dhe vepra, f. 123.

[4] Hilmi Agani, Mbresa dhe mendime për poezinë e Esad Mekulit, Gjurmë, Prishtinë, 1975, fq 113

[5] Agim Vinca, Struktura  e  zhvillimit  të  poezisë  së  sotme shqipe (1945-1980), Prishtinë, 1985, f. 70

[6]  Agim Vinca, vepra e cituar, fq. 70.

[7] Esad  Mekuli, Brigjet, Prishtinë, 1981, f. 74.

[8]. Esad  Mekuli, Vjersha, Prishtinë, 1973, f. 61.

[9] Esad Mekuli, Po aty, fq. 59/60.

[10] Po aty, fq. 60

[11]Po aty, fq. 71.

[12]  E. Mekuli, Brigjet, fq. 42/43/

13. Hasan Mekuli, Arti poetik…, “Jeta e re”, Nr. 5, 1981, f.664.

[14]  Isak Shema, Aspekte të letërsisë, Prishtinë, 1985, f. 30.

[15] . Po aty, fq 30

[16] Esad Mekuli, Vjersha, 1973, fq. 37

[17] Po aty, fq. 51

[18] Po aty, fq 52/53

[19]  Po aty, fq 54.

[20] Po aty, fq 54/55

[21] Po aty, fq 56/57

[22]. Hysni Hoxha, Poezia si dokument tronditës i realitetit, Kritika,1977, f. 24

[23] Esad  Mekuli, Brigjet, f.21

[24] Po aty, fq 25

[25] Hilmi Agani, punim i cituar, fq 114

[26] Esad Mekuli, Brigjet, fq 22

[27] Hysni Hoxha, punim i cituar fq. 27.

[28] Esad Mekuli, fq. 29

[29] Po aty fq. 117

[30] Esad Mekuli, Brigjet, fq.61

[31] Po aty fq, 61

[32] Esad Mekuli, Brigjet, fq 34

[33] Po aty. fq 57

[34] Po aty, fq.67

[35] Po aty, fq. 59

[36] Esad  Mekuli, Dita e re, fq 23

[37] Vehap Shita, Frymëzimi poetik i Esad Mekulit, Gjurmëve të letërsisë, fq.66

[38] Esad Meklui, Brigjet, fq 46

[39] Po aty, fq. 80

[40] Po aty, fq. 81

[41] Po aty, fq, 72

[42] Po aty, fq 82

[43] Esad Mekuli, Vjersha, fq 85

44 Po aty, fq 88

[45] E. Mekuli, Brigjet, fq. 14

[46] E. Mekuli, Vjersha, fq. 54

[47] Po aty, fq 80

[48] Dr. Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe(1945-1980), fq 81

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com