Vetëm 25% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë të kënaqur me gjendjen ekonomike, ndërsa korrupsioni dhe pasiguria mbeten shqetësimet kryesore, sipas raportit SecuriMeter 2025 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Anketa u realizua nga 30 maji deri më 18 qershor 2025 me 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e rajonit. Raporti analizon sigurinë, ekonominë, korrupsionin, emigracionin, besimin në institucione dhe kërcënimet e reja si dezinformimi dhe sulmet kibernetike.
Rreth 45% e qytetarëve janë të pakënaqur me ekonominë. Shqetësimet kryesore lidhen me koston e jetesës, inflacionin, pensionet dhe pagat e ulëta. Korrupsioni perceptohet si i përhapur nga 81% e të anketuarve.
Vetëm 38.4% e shohin rajonin si të sigurt, ndërsa 48.6% ndihen të sigurt në vendin e tyre. Kosova kryeson për ndjenjën e sigurisë personale (58.4%), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka nivelin më të ulët (32.5%).
Besimi më i madh i qytetarëve shkon për NATO-n dhe BE-në, ndërsa besimi në institucionet vendore mbetet i ulët. Kosova dhe Shqipëria kanë orientim të fortë pro-perëndimor, ndërsa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shfaqin më shumë neutralitet dhe pasiguri.
Raporti përfundon se në rajon ekziston një “ndarje sigurie”, ku vendet me orientim perëndimor perceptojnë më shumë stabilitet, ndërsa të tjerat më shumë pasiguri dhe pesimizëm.
