Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e ka kritikuar SHBA-në se po i vendos kritere të reja Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Reagimi i deputetit gjerman vjen pas pas deklaratës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur dy kushte

Roth, përmes një postimi në platformën X tha se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë.

“Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare ulen në ulësen e shoferit – jo SHBA”, ka shkruar Roth, teksa rishpërndau një postim të kolegut të tij të Bundestagut, Frank Schwabe, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, edhe dy deputetë gjermanë, Frank Schwabe nga grupi socialdemokrat (SPD) dhe Knut Abraham nga radhët e CDU/CSU kanë të premten reaguar ndaj deklaratave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se janë edhe dy kushte që duhet plotësuar Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lexo po ashtu:  Lajçak: Dyshoj se në Washington mund të arrihet marrëveshje e mirë, Kryeministri Hoti e udhëheq dialogun

Abraham thotë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në KiE, kurse Shwabe thotë se Këshilli i Evropës do të vendos për anëtarësimin e Kosovës bazuar në rregullat dhe vlerat e veta .

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për REL se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur dy kushte.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha emisari amerikan.