Reporterët pa Kufij reaguan sot me një deklaratë ku i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të ndalojnë kërcënimin e gazetarëve sa i përket publikimit të lajmeve.

Shkak janë bërë dy urdhëra nga organet e akuzës në Tiranë. I pari ishte urdhëri i SPAK, për të ndaluar publikimet në media të dosjes “Dumani”. Rasti i dytë është ai i urdhërit të Prokurorisë së Tiranës, që ndalonte mediat të publikonte informacionet e vjedhura nga hakerat iranianë.

Ishte vetë Pavol Szalai, shef i zyrës së Reporterëve pa Kufij për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin që bëri një thirrje të qartë për shtetin shqiptar.

Reagimi i Reporterëve pa Kufij
Prokurorët shqiptarë kanë ndaluar mediat të mbulojnë çështje me interes publik, duke përfshirë kërcënimet ndaj institucioneve shtetërore dhe një rast të krimit të organizuar. Reporterët pa Kufij (RSF) u kërkon autoriteteve të shmangin masat joproporcionale dhe dënon faktin që gazetarët janë kërcënuar me burgim për shkeljen e këtyre ndalimeve.

“Siguria e shtetit dhe konfidencialiteti i hetimeve gjyqësore janë arsye legjitime për kufizimin e lirisë së shtypit, por autoritetet duhet të marrin masa proporcionale për të mos frenuar në mënyrë arbitrare këtë të drejtë themelore. Asnjë gazetar nuk duhet të kërcënohet me dënime me burg nëse mbulon tema me interes publik si kërcënimet ndaj institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar në përputhje me etikën mediatike. Ne u bëjmë thirrje prokurorëve dhe gjykatave të Shqipërisë që të marrin parasysh të drejtën e informimit.” – shprehet Pavol Szalai, shef i zyrës së Reporterëve pa Kufij për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.

Më 19 shtator, prokuroria e Tiranës nxori një urdhër që ndalonte mediat shqiptare të publikonin çdo informacion që vjen nga rrjedhja e dokumenteve “të ndjeshme” të qeverisë pas një sulmi kibernetik të kryer ndoshta nga hakerë iranianë. Ato përfshijnë informacione për një plan të dyshuar për të vrarë kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe dyshime për një sulm të mundshëm terrorist në ambasadën shqiptare në Greqi.

Lexo po ashtu:  Studimi/“Paçavuret” televizive që i hapën rrugë populizmit

Prokuroria e Tiranës i tha Reporterëve pa Kufij se ndalimi synon të mbrojë të dhënat personale, informacionin e klasifikuar të sigurisë shtetërore dhe konfidencialitetin e hetimeve gjyqësore dhe “nuk synon të pengojë veprimtarinë e medias”. Megjithatë, zyra e prokurorit nuk tha se sa do të vazhdojë të jetë në fuqi ndalimi. Për më tepër, ndalimi nuk bën dallime mes dokumenteve të llojeve të ndryshme, ndërsa gazetarët që e shkelin do të jenë të ekspozuar ndaj ndjekjes penale.

Një tjetër ndalim publikimi i kohëve të fundit u dha nga prokuroria speciale kundër korrupsionit më 14 qershor kundër Elton Qyno, një gazetar i Ora Neës që hetonte krimin e organizuar në Shqipëri, pasi ai raportoi në disa artikuj se burimet e tij dhe hetimi zyrtar vunë në dukje përfshirjen. të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve në aferat e gangsterit të dyshuar Nurdin Dumani.

Kur u kontaktua nga RSF për ndalimin, prokurori special tha: “Qëllimi i këtij urdhri nuk është burgimi i gazetarit, por ruajtja e sekretit hetimor si dhe parandalimi i ngjarjeve të rënda që mund të shkaktohen nga publikimi i këtyre deklaratave [të dhëna nga bashkëpunëtorët e drejtësisë në kuadër të procedimeve penale] dhe hakmarrjeve nga grupet rivale.” Në përgjigje të këtij urdhri që i ndalon atij të mbulojë çështjen Dumani deri në përfundimin e hetimeve penale, Qyno ka denoncuar urdhrin në gjykatën speciale të Shqipërisë. Dënimet për gazetarët që shkelin ndalimin janë jashtëzakonisht të larta. Sipas kodit penal të Shqipërisë, ata mund të dënohen deri në gjashtë vjet burg.

Lexo po ashtu:  A ka pasur ndonjëherë shtyp të pavarur e të lirë? Kur u shndërrua shtypi në veglën e pushtetit?

Shqipëria renditet e 103-ta nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së 2022, renditja më e ulët në Ballkanin Perëndimor.

Shpjegim nga Lapsi.al: Organi i akuzës, komardarja e shpëtimit të qeverisë
Të dyja rastet që trajton reagimi i Reporterëve pa kufij zbulojnë dy gjëra. Së pari, paaftësinë e organeve të akuzës për të mbajtur sekretet hetimore dhe së dyti, mbulimin që Prokuroria e Tiranës tentoi t’i bëjë deklaratave të shefit të qeverisë, Edi Rama.

Deklarimet e Nuredin Dumanit, vrasësit me pagesë që u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë rrodhën në media. Dosja supozohej të ishte super sekret. Mbi këto rrëfime u ngrit operacioni “Plumbi i Artë”, Operacion policor me shumë bujë por me pak rezultate. Pjesa më e madhe e masave të arrestit u ekzekutuan për persona që ishin aktualisht të arrestuar për vepra të tjera penale. Ndërsa bosëve të krimit si i Ervis Martinaj apo Suel Çela nuk u hyri gjemb në këmbë. Ata dhe bosë të tjerë të krimit i shpëtuan edhe njëherë policisë.

SPAK fillimisht hodhi poshtë pretendimin se Nuredin Dumani ishte kthyer nga drejtësia, ndërsa për gazetarët e kronikës ky ishte një mashtrim i pastër. Rrëfimet e tij jo vetëm dolën në media, por edhe zbuluan për grupet kriminale armiqësi të njohura ose jo, që dyshohet se aktivizuan një valë kriminaliteti të re me vrasje të shtuara në vend.

Nëse në rastin e parë, SPAK tentoi të ruante informacionin që rridhte nga brenda vetes, rasti i dytë, me urdhërin kundër mediave Prokurorinë e Tiranës, provoi të ishte më shumë një qokë për qeverinë se diçka tjetër.

Lexo po ashtu:  "Për me shkrue zotni n’gazeta - Duhet shkruesi t’ jetë ma parë - Njeri i ndershëm e atdhetar, Jo intrigant e ngatrrestar - Çka mund t’ shkruej, po t’pyes unë ty - Ky qi as byk nuk ka në kry," / Fishta kritikon gazetarinë shqipe

Prokuroria e Tiranës urdhëroi mediat të ndalojnë së publikuari dokumentet që vidhnin hakerat iraninë dhe i nxirrnin online për këdo që t’i aksesonte.

Veprimi i hakerave iraninë binte ndesh me deklaratat e përsëritura të Edi Ramës, se hakerat tentuan por nuk ia dolën. Arkivat e shtetit as nuk janë fshirë, as nuk janë vjedhur.

Me pretendimin se cënohet siguria kombetare, Prokuroria e Tiranës njoftuan më 19 shtator se kanë “vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik”.

Por ende pa u zbardhur mirë ky urdhër i denjë për një shoqëri diktatoriale, në një nga mediat më serioze britanike “The Telegraph”, dolën një pjesë e emaileve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre britanike.

Pyetja që shtroi Lapsi.al në artikullin e datës 20 shtator me titull “Shtetit i kanë rënë brekët, prokuroria kërkon që t’ia ngrejë” është si vijon. A i ndalojnë dot Sanço Pançot e prokurorisë së Tiranës gazetat e Londrës të raportojnë për aktivitetin e një zyrtari si ambasadori i tyre? Duket se ky absurditet, që gjoja bazohet në nenin 103 të kodit penal (faksimile poshte), është shpikur vetëm për të mos përgënjeshtruar Edi Ramën. Ky i fundit i garantoi pak ditë më parë shqiptarët se sulme ka pasur po të dhënat janë mbrojtur.

Jo më kot Reporterët pa Kufij ngrejnë zërin për këto raste. Këto urdhëra nuk bëjnë asgjë më shumë se tentojnë të rregullojnë imazhin e një shteti që brekët i ka nëpër këmbë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *