Katër segmente kalldrëmi, që vlerësohet të jetë prej 200 deri në 400 vjet i vjetër, janë zbuluar gjatë punimeve për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës, Vasil Polo, segmentet e kalldrëmit janë zbuluar në pjesë të ndryshme të Pazarit të Vjetër. Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë, Banka Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes Fondi Shqiptar i Zhvillimit bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.

“Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve ’70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe, ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan disa segmente kalldrëmi të vjetër, që mendohet se është nga 200 deri në 400-vjeçar. Të paktën ky ishte vlerësimi paraprak nga specialistët”, ka thënë Polo, raportojnë mediat shqiptare.

Lexo po ashtu:  Eurodeputeti McAllister: BE-ja nuk është e angazhuar në mënyrë aktive në debatin për korrigjim kufijsh

Segmentet e zbuluara kanë mesatarisht përmasa 2.5 metra me 2 metra. Dy prej tyre janë mbuluar sërish me teksturë, pasi mbi to duhej vendosur rrjeti inxhinierik nëntokësor. Përpara shtrimit të tubacioneve të ujësjellësit, telefonisë e sistemit të ndriçimit, dy segmente të kalldrëmit të vjetër janë pastruar dhe janë mbështjellë me një material special mbrojtëse. I gjithë procesi është kryer nën monitorimin e Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike.

Ndërkohë dy segmentet e tjera do të lihen të hapura dhe do të jetë e mundur që turistët e vizitorët t’i shohin e madje të shkelin mbi to.

Në total janë 15 metra katrorë kalldrëm i vjetër që është zbuluar. Segmentet që do të lihen hapur do të rrethohen me sinjalistikë treguese për vjetërsinë e kalldrëmit, që do ta kthejë në një atraksion turistik shtesë Qafën e Pazarit. Ndërkaq, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik po bën ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar saktësisht vjetërsinë e kalldrëmit.

Në vitin 1431 Gjirokastra kishte gjithsej 67 shtëpi. Numri i shtëpive dhe dyqaneve u shtua me kalimin e kohës, dhe në vitin 1650 ajo u shndërrua në qendër administrative. E vendosur në mes të korridoreve të rëndësishme të rrugëve tregtare dhe shumë pranë Greqisë, Gjirokastra ishte një qendër administrative që vazhdimisht zgjerohej.

Lexo po ashtu:  Britanikët “ndërrojnë mendje”: Nuk duam të largohemi nga BE

Pazari i Vjetër, që mendohet se filloi të ndërtohej në shekullin e XVII, u rindërtua sërish në shekujt XVIII dhe XIX, kohë kur daton edhe baza e ndërtimeve të sotme.

Hapja e kalldrëmeve u bë shkak edhe për zbulimin e dhomave nën dyqanet ekzistuese të Qafës së Pazarit. Sipas ekspertëve mendohet se thuajse të gjitha dyqanet në Qafën e Pazarit kanë pasur qilarë dhe dhoma nëntokësore, dhe në disa raste edhe ishin të lidhur me njëri-tjetrin.
MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *