Kuvendi i Kosovës në mbledhjen solemne, me 17 shkurt 2022, shënoi Ditën e madhe të shpalljes së Kosovës shtet i lirë, i pavarur dhe më vete.

Pas Ditës së 28 nëntorit të vitit 1912, kur Shqipëria u shpall në Vlorë shtet i lirë, i pavarur dhe më vete, kjo është Dita e dytë më e madhe në historinë e popullit shqiptar.
Në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës morën pjesë deputetë, anëtarë të Qeverisë, përfaqësues të një vargu organizatash e institucionesh politike e shoqërore, si dhe përfaqësues të Korit diplomatik e të organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Por, për çudinë e madhe, në këtë solemnitet, ndër mysafirët, nuk u panë përfaqësues të institucioneve shkencore e kulturore të Kosovës, as intelektualë krijues e as përfaqësues të bashkësive fetare!

Mungesa e tyre në atë mbledhje mund të quhet hiç më pak se veprim kundër vetvetes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim shumë domethënës, sa përimtues për të sotmen, aq parathënës për të ardhmen e Kosovës.
Por, kur gjatë këtij diskutimi përimtues tha disa fjalë edhe për politikën e Qeverisë kryeministër i së cilës është, deputetët e Opozitës, që kanë shumë qejf ta kritikojnë e sulmojnë Qeverinë, kur me arsye e më shpesh pa arsye, u çuan dhe e lëshuan mbledhjen solemne! Po, po, e lëshuan mbledhjen solemne!

Lexo po ashtu:  “Ne gjithmonë mendojmë se na duan ngaqë jemi të mirë, por kurrë nuk dyshojmë se të mirë janë ata që na duan ne”. - Leo Tolstoi

Dhe, kështu, para syve të shqiptarëve dhe para syve të ndërkombëtarëve në Kosovë dhe jashtë Kosovës e cenuan dhe e fyen mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës. Dhe, u treguan opozitë e papjekur dhe inatçore. Dhe, çuditën opinionin brenda e jashtë Kosove.
Me këtë sjellje ata, deshën s’deshën, me qëllim e pa qëllim, krijuan një pamje jo vetëm të pahijshme por hiç më pak se kundërkulturore e kundërdemokratike për Kosovën shtet në Botë!

Dhe kjo sjellje e deputetëve tanë pikërisht në Mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës është veprim kundër vetvetes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *