Agron Binaku ishte vetëm 23 vjeç, kur i mbijetoi i masakrës së 7 majit 1999, tek vendi i quajtur Ura Taliçit në Gjakovë.

Në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar gjithë tmerrin e përjetuar atë ditë, ku u vranë 26 burra nga qyteti i Gjakovës, ndërsa vet arriti  mrekullisht t`i shpëtojë kësaj masakre.

Në mesin e të vrarëve nga forcat serbe ishte edhe babai i Agronit bashkë me disa familjarë e të afërm të tjerë të tij.

“Ditën e 7 majit të vitit 1999 në orët e hershme të mëngjesit milicia,ushtria dhe grupacione serbe e kishin bërë rrethimin e hekurt të pjesës perëndimore të Qytetit Gjakovës. Pra, prej Lumit Krena në drejtim të Çabratit! Atë ditë e gjithë familja ishim në shpi. Babai më zgjoi nga gjumi dhe më tha se kishte nisur lufta. Unë i thash le të më vrasin, ishim lodhur duke bërë roje se kur po vinë me na vra. Baba më tha: Duhet të kemi kujdes! Kur flas për nisjen e luftës së asaj dite, do ju rikujtoj se i gjithë rrethimi ishte bërë për ta luftuar UÇK-në, kishte 1 muaj e disa ditë që qenë futur në zonën e Çabratit!”, nisë rrëfimin e tij Agroni.

Drejtimi ka Ura Taliçit

Nën të shtënat e armëve, dhe kërcënimin e serbëve se do t`i vrasin, banorët e kësaj lagjeje arritën të organizoheshin dhe të dilnin në rrugë.

“E kemi marr drejtimin e Bllokut të Ri, si jemi dal në rrugë kemi ecur nja 20 metra, na kanë ndalë milicia serbe e Gjakovës na ka thënë ta marrim drejtimin ka Ura Taliçit”, tregon ai.

Drejtimi kah Ura e Taliçit, do të ishte edhe drejtimi drejt vdekjes për këta qytetarë të pafajshëm të Gjakovës.

“Kemi vazhduar rrugën, kur jemi shku te Xhamia në Lagjen Jusuf edhe aty ka pas milicë serb”, rrëfen Agroni.

Ai e kishte njohur njërin nga policët serb, me emër e mbiemër. 

“Njërin prej tyre e kam njohur, ishte Sergjan Kristiç edhe ky na ka thënë të shkojmë në drejtimin e Urës së Taliçit.  Çdo 15-20 metra ka pas milicë. Kur jemi shkuar aty e kanë ndalë kolonën ku ishim me gra, me fëmijë, me pleq e plaka dhe kanë filluar t`i ndajnë burrat nga kolona”, tregon tutje ai.

Procesi mizor i ndarjes së burrave nga gratë ishte përcjellë me të shara e kërcënime nga serbët.

“Na kanë ndarë dhe na bërtisnin, “deri tash ishit në luftë e tash po bëheni kinse po ikni..Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në”. Ristiç i njohur si Pegja në Gjakovë ka shtënë në ajër në drejtimin e pleqve plakave grave dhe fëmijëve, shtiu në ajër vetëm për m`i tutë dhe për tu larguar! Na shanin gjithçka. Njëri prej tyre tha se tash do t’iu vrasim dhe do t`iu kallim”, rrëfen Agroni.

Lexo po ashtu:  “Babai” i epokës hapësinore, ishte një kriminel nazist i luftës

 Agroni kishte qëndruar afër babait të tij, ndërsa për një çast kishte menduar se po i dërgojnë në burgun e Pejës dhe kishte thënë me vete se kishin shpëtuar. Por, ky “gëzim” nuk do të zgjaste shumë.

“Unë isha afër babës dhe i thash se po duan të na shpëtojnë, të na dërgojnë në burgun e Pejës. Babai mu drejtua dhe më tha: Jo mor djali jam, po këta duan me na vra e me na kallë. Nga ai moment kam këqyrë si t’iu iki,mendoja të kërcej nga ura. Pas ja 30 minutave Predrag Lubisha Ristiç ka thënë të ndahemi në dy grupe”, shton ai.

Agroni pa vdekjen me sy dhe i shpëtoi mrekullisht

Predragi, të cilin Agroni thotë se e njihte prej më herët, i kishte marrë ata dhe i kishte dërguar afër një rrugice dhe fillimisht i kishin bastisur, ndërkohë në grupin tjetër kishte nisur pushkatimi.

“Në grupin ku isha unë me babin tim na ka marr Predragi dhe na ka drejtuar përtej një rrugice afër Xhamisë pa minare. Na ka thënë të mbështetem për muri dhe çka kishim në gjepa ti nxjerrim. Në grupin tjetër veç kishte filluar pushkatimi. Dëgjoheshin krismat e kallashnikovit. Në atë moment Agim Efendia që ishte në grup me ne, i ka thënë njërit prej tyre, në gjuhen serbe mos bre goran mos bre Dragan, Predragi i ka thënë të heshtë edhe e ka sharë, e ka largu pak dhe e ka gjuajtur me kallashnikov më së pari në këmbë e pastaj në trup. Unë isha afër Agimit, Agimi dha shpirt në këmben time. Mu drejtuan mua ta thyej një derë të shtëpisë e cila ishte duke u djegur. Unë i rashë me këmbë, por nuk kisha forcë të hapet dera. I kanë thënë Lulzim Jakes ta hap derën as Lulzimi nuk mundi ta hapë”, vazhdon rrëfimin Agroni.

Derën do ta hapte Astrit Rexha. Rexha e kishte hapur derën e vdekjes së tij, pasi bashkë me Lulzim Jakën u vranë në oborr të asaj shtëpije.

“Në atë moment Astrit Rexhës dhe Lulzim Jakës iu kanë thënë ta marrin Agim Efendinë për së vdekuri dhe ta fusin në atë shtëpinë që po digjej. Kur e kanë kap Agimin e janë futur në atë shtëpi që po digjej, kanë shtënë me rafal mbi Astritin dhe Lulin. Në atë moment Halil Axhemi ju ka thënë milicëve: Unë i kam 500 marka. Kur ka shkuar me ia marrë paret Predragi, ai tjetri iu ka drejtuar me kallashnikov”, rrëfen Agroni.

Agroni do ta shfrytëzonte këtë moment për tu futur në shtëpinë që po digjej dhe nën breshërinë e plumbave të kalonte në një shtëpi tjetër.

Lexo po ashtu:  Nderohet pas 100 vjetësh Selam Musai - "Ç’është kështu që dëgjojmë, vaj me det o Vlora jonë, italianët po zbarkojnë"

“Më kanë gjuajt rafal, por ju shpëtova plumbave, pastaj i kam dëgjuar duke i pushkatuar të tjerët! Unë isha i fshehur në atë oborrin e asaj shpije ku iu ika prej pushkatimit. Kanë ardhur e kanë thyer derën dhe janë futur në oborr, ishte natë, bërtisnin e shanin, thoshin shqip dil se na do të marrim në pyetje dhe do të lëshojmë. Unë i vendosur dhe i fshehur nën hithra në oborr. Pastaj ka bërtitur njëri prej tyre ka thënë kalleni shtëpinë se s`ka kurrgjë këtu!”, thotë ai.

Por, drama nuk do të përfundonte këtu.

“Kam qëndruar deri në ora 23:30 në atë oborr ku po digjej shpija. Kam dalë kah një shpi tjetër dhe jam dalë në rrugë. Ajo shpi kishte qenë e mbyllur me një tfurk. E kam marr tfurkun dhe jam dalë në rrugë. Duke ecur e kam kaluar një urë të vogël. Si e kam kaluar urën kam hasur në një patrullë tjetër. Më kanë gjuajtur rafal dhe kanë thënë ndalu, unë kam kërcyer prej asaj ure të vogël dhe nëpër rrethinat e lumit Krena kam vrapuar. Por, ata nuk u afruan, menduan se kisha armë, për tfurk që e kisha në dorë!”, shprehet Agroni.

“Kam vrapuar dhe jam hy në shtëpinë e një shokut (Florat Ukamata) kam hy pas shtëpisë e kam pa se ja kishin pas kall shtëpinë, pastaj e kam kapërcyer një muri dhe jam hy në shtëpinë e Nadir Shllakit”, rrëfen tutje ai.

Në Çarshinë e vogël e priste një pritë tjetër

Në shtëpinë e Nadir Shllakit, Agroni kishte qëndruar një natë.

“Kam trokitë në derë dhe derën ma ka hapur nëna e Bacës Nadir, i thash a është Baca Nadir këtu. Më tha Kush je ti, i thash thuaj Agroni. Ka ardhur Baca Nadir dhe më ka futur brenda. Më tha Agron çka dole këndej. Unë isha thuaja se krejt me rroba të djegura.  I thash Baca Nadir a je duke më pa në çfarë situate jam? Më tha po. I thash që shpëtova prej pushkatimit. Më tha edhe ti ishe në atë grup a. I thash po. Baca Nadir ish kon ka na sheh neve krejt. Se e ka shtëpinë lart dhe u pa shtëpia poshtë, ku na kanë dërguar neve me na pushkatuar”, tregon ai.

Të nesërmen Agroni do të nisej drejt lagjes së Haxhi Imerit, bashkë me djalin e Nadir Shllakit.

“I thash Baca Nadir qysh mundem me shkua deri në lagjen e Haxhi Imerit. Më tha Agron duhesh të kesh kujdes se krejt kjo qarshia e vogël janë me milic e ushtar. Të nesërmen i thash Baca Nadir po shkoj në lagjen e Haxhi Imerit. Më tha merre biçikletën edhe unë u nisa tu dalë prej derës më ka thënë Agron merre edhe djalin tim të vogël në biçikletë Leon..”, tregon ai!

Lexo po ashtu:  Cila ka qenë lidhja e ushtarit të UÇK-së Qerim Kelmendit me Fatmir Haklajn nga Tropoja

Nadir Shllaki do t`ia shpëtonte jetën edhe në momentin kur Agroni do të arrinte në Çarshinë e vogël, ku shumë policë e ushtarë i dolën në pritë.

Tregon se mu aty kishte takuar edhe nënën e tij por që nuk kishte guxuar t`i afrohej.

“Unë i thashë: Qe nëna ime. Në atë moment ka ardhur Nadir Shllaku me gruan e vet, e ai ushtari mendoj se i kam thënë për Bacën Nadir e gruan e vet se janë prindërit e mi. Baca Nadir i tha atij ushtarit: Ky është djali jam, unë garantoj për të. Më ka thënë ai ushtari vazhdo, kam vazhduar me biçikletë dhe me Leon, nëna ime se ishte ndalë ka ana e rrugës i thash që të vinte  në shtëpinë e Jeton Mamushes. Aty ka ardhur nëna ime dhe i kam shpreh ngushëllime për Baben dhe të tjerët, i thash të gjithë i kanë vrarë”, rrëfen i emocionuar Agroni.

Përveç babait, Agron Binaku, në këtë masakër humbi edhe një kushëri dhe dy djemtë e dajës së babait, ndërsa gjithë të pushkatuarit e tjerë ishin të të njëjtës lagje, me përjashtim të dy tre vetave që ishin nga fshatrat.

Agron Binaku i kishte shpëtuar gjithsej 12 pritave të serbëve, njëkohësisht edhe ekzekutimit.

“Po kam shpëtuar 12 herë dhe ekzekutimit të Ura Taliçit,kësaj pyetje do t`i përgjigjem shkurt..Faleminderit Zotit sot jam gjallë, të kthehem në vitin 1999 nuk është lehtë për mua!”, shton ai

Tutje, Agroni tregon se, krimineli Predrag Lubisha Ristiç, ishte serb nga qendra e qytetit të Gjakovës!

Dëshmoi në Hagë e në Parlamentin Evropian

Dëshminë e tij, Agron Binaku, e ka dhënë  në Tribunalin e Hagës dhe në Parlamentin Evropian.

“Dëshmia ime është folur prej 27 faqesh në Parlamentin Evropian. Dëshminë time e kam dhënë disa herë në Policin për krime të rënda në Prishtinë,për këtë masakër kanë shkruar gazeta kombëtare dhe ndërkombëtare!”, thotë Agroni duke shtuar se nuk do të ndalet së ndjekuri të gjitha rrugët ligjore për vënien e kriminelëve serb para drejtësisë. Besoj, e kam amanet prej atyre 26 burrave të pushkatuar të mos ndalem deri në momentin e dënimit të krimineleve serb! Unë çdo ditë pres tash e 20 vjet pas lufte, por më se shumti jam zhgënjyer me politiken tonë për mos futjen e Kosovës në Interpol!”, thotë Agroni.

Sot, Agron Binaku, është i martuar, baba i një djali dhe një vajze, ndërsa jeton jashtë Kosovës.

“Jam shtetas evropian si shumica e dëshmitarëve të luftës!”, përfundon rrëfimin ai.
MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Image

Predrag Lubisha Ristiç, serb nga qendra e qytetit te Gjakoves

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *