Artur MEÇOLLARI*

Nje deklaratë e kryeministrit Miçotaqis në Parlamentin e Greqisë për zgjerimin e gjerësisë së detit territorial të Greqisë në Detin Jon dhe Mesdheun Qëndror ndezi gjakrat në Shqipëri. Harta dhe skema filluan të shfaqen ku tregonin se ujrat detare greke do të shtriheshin deri në Himarë dhe në Kanalin e Otrantos. Shumë njerëz mund të jenë vertet të shqetësuar, por delimitimi i hapësirave detare midis shteteve është shkencë e mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, lidhur me draft-marrëveshjen e vitit 2009, tregoi se shkenca dhe interesat kombëtare ende prevalojnë në Shqipëri.

Është e drejtë e të gjitha vendeve bregdetare të deklarojnë në mënyrë të njëanëshme gjerësinë e detit territorial (UNCLOS 1982, neni 3), por jo më shumë se 12 milje detare dhe ky deklarim përcakton “kufirin e jashtëm të detit territorial” (neni 4), që është një vijë imagjinare që ndan detin territorial me detin ndërkombëtar, ku mund të përfshihet edhe shellfi kontinental dhe zona ekonomike ekskluzive, nëse i ka shpallur shteti që bën zgjerimin. Për të garantuar që deti territorial i një shteti nuk mund të shtrihet përtej viijës delimituese të deteve territoriale të dy shteteve shërben neni 15, i cili lejon këtë gjë vetëm me marrëveshje dhe jo në mënyrë të njëanëshme. Pra shpallja e gjerësisë së detit territorial sipas nenit 3 është një procedure e ndryshme nga ajo e nenit 15. Në këtë kuptim deti derritorial i Greqisë, nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të dy shteteve tona që mund të kenë në të ardhmen.

Në vitin 2008 me ligjin nr. 9861, Shqipëria shfuqizoi gjerësinë e detit territorial 12 milje detare, e cila nënkuptonte ZERO milje detare, nëse nuk e ke të deklaruar, dhe marrëveshja e vitin 2009 u arrit në kushtet kur Shqipëria kishte ZERO milje detare gjerësi të detit territorial. Në vitin 2012, me ligjin nr. 60, u rikthye gjerësia e detit territorial 12 milje detare, por nuk i morëm asgjë Greqise, pasi zgjerimi i detit territorial bëhet brenda vijës delimituese në drejtim të detit ndërkombëtar. Pra, pavarësisht se dy vendet në kohë të ndryshme kanë zgjeruar ose synojnë të zgjerojnë gjerësitë e deteve territoriale, kjo nuk ka ndikim tek hapësirat detare që do të delimitojnë në të ardhmen.

Lexo po ashtu:  Karikatura e një liridashësi!

Gjithësesi, në këtë situate rajonale të krijuar është e nevojshme që deklarata e kryeministrit grek të lexohet në një kontekst më të gjerë rajonal, sidomos në kundërshtitë detare të vazhdueshme me Turqinë. Unë besoj se ai mesazh më shumë se audiences shqiptare i adresohet audiencës greke. Greqia është duke kaluar një situate konfliktuale me Turqinë në Mesdheun Lindor. Shpejt do të vijë dita që të dy shtetet në kushtet e mirëbesimit ose me negociatorë do të ulen në tavolinën e bisedimeve, jo vetëm për Mesdheun Lindor, por ndoshta edhe për detin Egje.

Regjimi detar në detin Egje është përcaktuar në vitin 1931, kur Greqia u detyrua të zvogëloj gjerësinë e detit territorial nga 10 në 6 milje detare, por jo gjerësinë e hapësirës ajrore, e cila vijon 10 milje detare, por që sipas nenit 2 (2) të UNCLOS 1982 duhet të përputhet me gjerësinë e detit territorial. Nga pikëpamja formale Turqia ka respektuar traktatin e vitit 1931 duke shpallur gjerësinë e detit territorial 6 milje detare në detin Egje dhe 12 milje detare në detin e Zi dhe Mesdheun Lindor.

Qysh me ratifikimin e UNCLOS 1982 në vitin 1995, Greqia ka pretenduar zgjerimin e gjerësisë së detit territorial edhe në detin Egje, por nuk ka mundur ta bëj këtë për shkak të kundërshtive të fuqive të mëdha dhe sidomos Turqisë. Greqia bëri një tentativë me projekt-marrëveshjen detare me Shqipërinë të vitit 2009, duke tentuar të krijojë një precedentë me titullin e marrëveshjes dhe nenin 2 të saj, por kjo draft-marrëveshje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010.

Lexo po ashtu:  Në Gaza po vdes edhe Perëndimi!

Në bisedimet e ardhshme me Turqinë për regjimin detar në Mesdheun Lindor, Greqia nuk do të dëshironte të kishte shumë pika të dobëta, si psh regjimi detar në detin Egje. Për më tepër që 25 vjet përpjekje nuk dhanë rezultat. Stabilizimi i regjimit detar të Greqisë, sipas modelit turk dhe në përputhje me traktatin e vitit 1931, do të bënte që Greqia të hynte në negociata me Turqinë e fokusuar vetëm në çështjee e regjimit detar në Mesdheun Lindor.

Greqia synon të shpalli gjerësinë e detit territorial 12 milje detare vetëm jashtë detit Egje, duke përfshirë edhe rajonin e detit Jon dhe Mesdheut Qëndror. Kjo nënkupton që Greqia do të heqi dorë përfundimisht ose do shtyjë në kohë arritjen e pretendimit të saj për zgjerim në detin Egje. Por, ky ndryshim i politikës greke në Egje do të ketë patjetër kundërshtime në mjedisin e brendshëm grek. Në këtë kontekst, deklaratat e kryeministrit grek për zgjerim të ujërave greke në detin Jon, duke deklaruar një fare kompensimi, mund të krijojnë një faktor zbutës në mjedisn e brendshëm grek.

Në fakt zgjerimi grek në Jon dhe Mesdheun Qëndror, ndodh vetëm në hapësirën detare ku deti territorial kufizohet me detin ndërkombëtar. Për shkak se Greqia tashmë ka delimituar shellfin kontinental/ZEE me Italinë, ajo do të humbasi nga këto sipërfaqe dhe do i kthej në det territorial, pra ndryshim statusi juridik. Në total shuma e sipërfaqeve të detit terrirorial dhe shelfit kontinental/ZEE do të mbetet e pandryshuar në detin Jon dhe Mesdheun Qëndror. Ka vetëm një rast të parashikuar nga neni 15 i UNCLOS 1982, që një shtet mund të shtrijë detin e tij territorial përtej vijës delimituese, kur kjo gjë bëhet me marrëveshje, me shtetin fqinj bregdetar dhe jo në mënyrë të njëanëshme.

Lexo po ashtu:  Hiçakademikët

Skema e e prezantuar më lertë tregon se si do të lëvizi kufiri i jashtëm i detit territorial grek në Jon, si dhe në Mesdheun Qëndror. Ajo është thjeshtë ilustruese. Zgjerimi I gjerësisë së detit territorial nuk do të ndikojë në përcaktimin e vijave delimituese (deti terrirorial dhe shellfit kontinental/ZEE ) me Shqipërinë pasi metodologjia e ndërtimit të tyre nuk varet nga gjerësia e deteve territoriale të shteteve në negociata.

Por një pyetje është thelbësore dhe interes të veçantë për publikun shqiptar. A do të jetë një marrëveshje e re me Greqinë më e mire? Përgjigjja e thjeshtë është PO. Këtë e ka përcaktuar vendimi i GJK që rrëzoi projekt-marrëveshjen e vitit 2009. Marrëveshja e vitit 2009 u bë në kushtet kur në vitin 2008 ishte shfuqizuar vija e drejtë bazë e Shqipërisë dhe e gjithë vija delimituese (detit terrirorial dhe shellfit kontinental/ZEE) u ndërtua me parimin e barazlargësisë nga bregdeti. Vendimi i GJK shprehet se deti territorial duhet të delimitohet sipas parimit të vijës me distance të barabart nga pikat më të afërta në të dy brigjet, të modifikuar për rrethana të veçanta (shkëmbinjtë) dhe shellfi kontinental/ZEE sipas një ndarje të drejtë (ishujt jo peshë të plotë). Zbatimi i këtyre dy parimeve do të sjelli rezultate pozitive. Po ashtu një përfitim i konsiderueshëm do të vijë si rezultat i aplikimit të vijës së drejtë bazë (vija e drejtë nga Gjiri i Gramës, Gjiri i Panormës, Kepi i Qefalit dhe Kepi i Sarandës/Martesës) kthyer në fuqi në vitin 2012.

Marrëveshja e vitit 2009, për shkak të parimeve të aplikuara, ishte me e keqja e mundëshme. Vija e saj delimituese nuk ka më mundësi të shtyhet në drejtim të bregdetit shqiptar. Çdo marrëveshje tjetër, e bërë në në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sidomos vendimin e GJK, do te jetë e drejtë.

*Kapiten i Rangut të Parë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *