Televizioni shtetëror rus Russia Today (RT) së shpejti do të nisë punën në serbisht, ndërsa kryeredaktore do të jetë Jelena Milinçiq, vajza e redaktores së Sputnikut, Ljubinka Milinçiq.

Portali rus e publikoi këtë informacion si përgjigje ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac në të cilën ai përmendte Jelena Milinçiqin.

“Dua ta njoftojmë Shutanovacin se Jelena Milinçiq, vajza e Ljubinka Milinçiqit nuk është më në Paris, as nuk ka studiuar atje [siç ka deklaruar ai], por është në Beograd dhe se është kryeredaktore e Russia Today, i cili së shpejti do të fillojë të punojë në gjuhën serbe”, thuhet në njoftim.

Në muajin mars, Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë transmetimin e medieve të lidhura me Kremlinin, Russia Today dhe Sputnik.

Siç raportojnë mediet, sanksionet mbulojnë të gjitha mjetet e transmetimit, siç janë kabllot, satelitët, IPTV-të, platformat, faqet e internetit dhe aplikacionet.

Brukseli vlerëson se këto dy media janë instrumente të rëndësishme të Kremlinit që janë të gatshme për “nxitje dhe mbështetje të agresionit rus” kundër Ukrainës dhe se ato përfaqësojnë një “kërcënim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për rendin publik dhe sigurinë e BE-së”.

Lexo po ashtu:  Berisha zbulon datën e protestës së parë të opozitës së tij

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Russia Today është pjesë e instrumenteve të propagandës dhe dezinformimit të Kremlinit.

“Russia Today është pjesë e instrumenteve të propagandës dhe dezinformimit të Rusisë me të cilin Kremlini plotëson agresionin e tij të paligjshëm kundër Ukrainës dhe vrasjen e qytetarëve ukrainas”, ka theksuar Stano.

Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në rajon që ka vendosur të mos dënoj agresionin ushtarak rus në Ukrainë. Po ashtu, ky vend ka refuzuar të vendos sanksione ndaj medieve ruse që financohen nga Kremlini, si Sputnik dhe Russia Today.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *