“Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij”.
Ai kur e sheh sharrëxhiun me sëpatën e rrasur në shok, e bishti i saj ka dalë prapa, dyshon se mos vallë për këtë na quajtën njerëz me bishta?
: “O vëlla me sharrë në krah”
Do të shoh prapë me duar të mërdhime nën sjetull
Me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e mprehtë të rasun në shok
Në fytyrën tande lexoj: Kam fjetur në podrumin e lagshtë, unë i trembëdhjeti
Dhe kam hangër në kusinë e bakrit, të sjellun prej vendlindjes
Prej vendlindjes, fasulen e hollë të vendlindjes unë i trembëdhjeti.
-Pse unë kënaqem me pak prej këtyre duarve të mërdhime, Atje mbas 77 bjeshkëve, 7 gojë presin… Esat Mekuli, Prishtinë 1930
Gëzim Mekuli:
Kjo poezi e Esat Mekulit i kushtohet punëtorit të varfër shqiptar, sharrëxhiut të lodhur që endet mes maleve me veglat e tij të rënda; simbol i popullit të shtypur, të përvuajtur, por të ndershëm. Figura e “njeriut me bisht” i referohet propagandës poshtëruese nacionaliste serbe, të cilat, sidomos në fillim të shek. XX, i përfytyronin shqiptarët si të egër, primitivë, madje edhe “me bisht”, për t’i çnjerëzuar e për të justifikuar politikën shtypëse kundër tyre. Mekuli e përdor këtë mit racist si ironi të hidhur ndaj padrejtësisë historike ndaj kombit shqiptar.
Poezia “O vëlla me sharrë në krah” e Esat Mekulit, shkruar në Prishtinën e vitit 1930, është një dëshmi e dhimbshme e varfërisë, përuljes dhe peshës së rëndë sociale që mbartte shqiptari i thjeshtë nën pushtimin e kohës. Përmes figurës së sharrëxhiut, burrit të lodhur, me duar të ngrira, me sharrën e vjetër mbi supe dhe sopatën e futur në brez – Mekuli e ndrydh gjithë ankthin e një populli të shtypur, të keqtrajtuar e të poshtëruar deri në absurditet, aq sa propagandat armiqësore e quanin “njeri me bisht”. Në këtë poezi, dhembja shndërrohet në humanizëm të pastër, ndërsa varfëria dhe mundimi marrin dimensionin e një tragjedie kolektive. (Gëzim Mekuli)
