Nga Shaban Murati

Në datën 6 prill 2022 në Szeged të Hungarisë ministri i jashtëm i Serbisë Nikolla Selakoviç zhvilloi bisedime me ministrin e jashtëm të Hungarisë Peter Szijjarto, dhe mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi.

Në këtë konferencë të përbashkët, ministri i jashtëm i Serbisë Selakoviç, siç raportohet në faqen e ministrisë së jashtëme serbe, deklaroi: ”Unë dua të falenderoj Hungarinë për sjelljen e saj serioze dhe qendrimin e saj ndaj çeshtjes sonë kryesore kombëtare: problemi i Kosovës, dhe për konstruktivitetin në çdo situatë, që kemi pasur deri tani për këtë”.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Serbisë, “TANJUG”, duke njoftuar në 6 prill për konferencën përbashkët të dy ministrave të jashtëm, veçonte se ministri i jashtëm serb Selakoviç i shprehu ministrit të jashtëm hungarez Szijjarto “mirënjohjen e Serbisë për qendrimin e Hungarisë në çeshtjen e Kosovës”.

Është hera e parë që ministri i jashtëm i Serbisë lavdëron publikisht Hungarinë për qendrime proserbe lidhur me Kosovën. Ministri i jashtëm hungarez i dëgjoi lavdërimet e ministrit të jashtëm serb për Kosovën dhe me heshtjen e tij vërtetoi se në bisedimet e dypalëshe të të dy ministrave të jashtëm kishte pasur diçka të re, që njësonte diplomacinë hungareze me qendrimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Lexo po ashtu:  Letër sehirxhinjve të vuajtjeve dhe një mësim nga Dritëroi i madh

Edhe pa qenë diplomat e kupton që, nëse qendrimi i Hungarisë ndaj Kosovës qenka barazuar me qendrimin e Serbisë ndaj Kosovës, kemi keqësim te klimës diplomatike dhe duhen pritur goditje direkte ose indirekte ndaj interesave të Kosovës nga diplomacia hungareze, si në Budapest ashtu dhe në rrjetin ndërkombëtar të diplomatëve hungarezë në BE e gjetkë.

Në aspektin diplomatik këtu sinjalizohet një zhvillim negativ për interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe dalin disa pikëpyetje të mëdha:

-Çfarë qendrimi të ri, të afërt apo të ngjashëm me qendrimin e Serbisë, po mban tani Hungaria ndaj Kosovës, që meritoi kaq lavdërime publike nga ministri i jashtëm serb?

-A po bëhet diplomacia hungareze ithtare e diplomacisë antiatlantike dhe antishqiptare të presidentit çek Milosh Zeman, i cili ka dalë kundër pavarësisë së Kosovës?

-A kanë bërë përçapjet e duhura dhe të menjëhershme ambasada e Shqipërisë në Budapest dhe ambasada e Kosovës në Budapest për të kërkuar shpjegime nga ministria e jashtëme e Hungarisë për këto qendrime të reja diplomatike të Hungarisë, të përputhëshme me qendrimet e Serbisë ndaj Kosovës?

Lexo po ashtu:  Herojtë e “Ballkanit të hapur” serb, që do na sjellin paqen

-A ka më idiotë të padobishëm në qeverisjen në Tiranë, që kërkonin “partneritet strategjik” të Shqipërisë me qeverinë hungareze të Orbanit dhe të Szijjartos?

-A ka më idiotë të padobishëm në qeverisjen në Tiranë, që ëndërrojnë në diell se duke u mburravecur me mitin e shpikur të një të ashtuquajture mbretëreshë e Burgajetit e kanë mallëngjyer dhe e kanë bërë mik për kokë Budapestin e tanishëm?

Budapesti po tallet me udhëheqësit shqiptarë, sepse në intimitetin e tij politik, diplomatik, personal dhe shtetëror dhe në interesat e tij rajonale në krye të qoshes ka vënë Vuçiçin dhe Serbinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *