Shenjë e mirë për fitoren e 12 balotazheve nga LVV është fakti se mosvotuesit në raundin e parë po kërkojnë argumente për me ia legjitimu vetes sjellen votuese.

Kjo kupton se brenda ndërgjegjes së tyre po ndodh një proces reflektimi, shkaktuar nga brerja e ndërgjegjes. E brerja e ndërgjegjes është veti e njeriut të moralshëm. Tani mbetet të reflektohet vetëm edhe për racionalitetin e argumentit, e përputhjes ndërmjet ndërgjegjes morale dhe arsyes praktike.

Argumentet:
1. “Kandidatë të dobët”
Do të qëndronte nëse mosvotimi do të korrespondonte me kandidatët e dobët. Mirëpo, nuk korrespondon: me asnjë kriter të matjes së aftësisë politike dhe menaxheriale Arben Vitia, Adnan Rrustemi, Shpejtim Bulliqi, etj., nuk janë kandidatë të dobët. Atëherë, pse nuk fituan që në raundin e parë, në vend se të shkonin në balotazh?
2. “Kandidatë të ardhur vonë në LVV nga partitë e tjera”
Argumenti do të qëndronte, nëse korrespondonte me ta. Mirëpo nuk korrespondon: Sali Zyba, Alban Krasniqi, etj., janë aty që që fillimet e LVV-së dhe mes aktivistëve më shembullorë. Pse nuk fituan që në raundin e parë, dhe madje nuk arritën as në balotazh?
3. “Parashutistë, të paaftë të bënin karrierë në partitë ku ishin, por që ua hapi dyert LVV”
Argumenti do të qëndronte nëse do të korrespondonte me kriterin e drejt të vlerësimit të aftësisë në ato parti. Mirëpo nuk korrespondon: kriteri dhe kushti i aftësisë në ato parti ka qenë dhe mbetet i padrejtë, sepse aftësia kuptohej si aftësi për korrupsion, zhvatje dhe shit-blerje të atdheut. Nëse kanë qenë të paaftë për këtë, veç mungesës së shkathtësive teknike, mund të shpjegohet edhe me frenimin e asaj aftësie nga skrupujt moralë, nga dilema të tregojnë apo jo aftësi zhvatëse e të bëjnë karrierë aty, meqë nuk u mungojnë shkathtësitë teknike-menaxhuese. Nuk përjashtohet të kenë besuar se mes “ujqve” të partisë së tyre e kishin më të vështirë sesa mes “naivëve idealistë” të LVV-së, por që ky besim t’u dalë i rremë varet nga organizata e LVV: aty ku organizata ishte e fortë, patën dështuar edhe ata që ishin në krye të saj. Ndaj, të dështuarit në partitë e tjera zor të kenë besuar se aftësinë e tyre për korrupsion e zhvatje dhe karrierën e bazuar mbi të e realizojnë më lehtë brenda LVV-së, nëse qendrat dhe pikat veprojnë si vetvendosës tipikë. Gjithsesi, mbetet mundësia që mbas qëndrimit të gjatë në udhëkryqin ndërmjet korrupsionit dhe ndershmërisë të kenë anuar me vonesë, me shumë vonesë, kah ndershmëria, ende e paprovuar për ne. Por ky dyshim në vendimin e tyre gjithsesi nuk shpjegon: pse nuk fituan në raundin e parë të ndershmit e sprovuar të LVV-së në vend se të shkojnë në balotazh? Përkundrazi, me kriterin e PDK-së për çka përbën aftësi, është zgjedhur pa balotazh Bedri Hamza, krejt i aftë, pa asnjë lëkundje në ushtrimin e aftësisë së tij për korrupsion.
II.
Nëse gjithë argumentet kryesorë që po qarkullojnë në këtë proces reflektimi të votuesit mbas raundit të parë nuk shpjegojnë fitoren pa balotazh të kandidatëve të LVV-së, çka shpjegon më mirë?
Ka diçka të përbashkët: nuk janë votuar si fitimtar pa balotazh as aty ku kishte kandidatë të fortë as aty ku kishte të të dobët, as aty ku kandidatë ishin aktivistët më të vjetër të LVV-së as aty ku ishin të ardhurit më vonë nga partitë e tjera, as aty ku kandidatët ishin më “të pavarur” nga LVV, as aty ku ishin më vetvendosësit. Sjellja e ngjashme në rrethana shumë të ndryshme kërkon shpjegim tjetër, që nuk lidhet aq me kandidatin konkret.
Prandaj duhen shqyrtuar argumentet e përbashkët që qarkulluan dhe po qarkullojnë dendshëm:
1. “Të fitojë më i miri, pavarësisht partisë”
Argumenti do të qëndronte nëse do të korrespondonte me votimin e kandidatëve të pavarur, që s’kanë qenë as nuk janë anëtar të ndonjë partie. Mirëpo nuk korrespondon: nuk është votuar asnjë kandidat i pavarur, a partiak. Të gjithë kandidatët e votuar janë ata që partia përkatëse i ka menduar se i përshtaten më së miri për fitoren e saj. Me sa di, as që ka pasur kandidatë të pavarur, sepse, ata të mundshëm, e kanë menduar si dije që s’ka nevojë të provohet: votuesit nuk e votojnë më të mirin për komunën, por atë që partia e vlerëson për më të mirin, dhe i bindë votuesit të mendojnë si ajo. Prandaj mund të thuhet se asnjë votues nuk ka votuar sipas “mendimit të vet”, por sipas mendimit të partisë. Kështu do të jetë edhe në raundin e dytë: mendimin e cilës parti do ta votoj?
2. “Komuna nuk ndikon në qeverisjen qendrore”
Argumenti do të qëndronte nëse do t’i korrespondonte ndarjes së plotë të pushtetit qendror nga pushteti lokal, siç e dëshirojnë komunat me shumicë serbe ndarjen nga qeveria e Kosovës. Mirëpo nuk i korrespondon: juridikisht dhe realisht të gjithë pushtetet në Kosovë janë të ndërlidhur e të ndërvarur. Përndryshe do të ishin të saktë pohimet absurdë: “Qeveria duhet ta luftojë korrupsionin, por jo në komuna sepse këto s’kanë lidhje me qeverinë qendrore”! Ose: “qeveria duhet ta shtrijë pushtetin në komunat e Veriut të Mitrovicës, por në komunën e Jugut si prapavijë e veprimit të qeverisë, ne zgjodhëm kandidatin që mendon se Kosova i ka borxh Serbisë dhe duhet t’i jap territor në Veri”! Përfytyrimin e Kosovës si lidhje e lirshme, konfederale, e krerëve feudalë që sundojnë në zotërimet e tyre legjitime në Dukagjin, në Drenicë, në Llap, në Anamoravë, etj., bie ndesh faktit juridik dhe real të Kosovës. Prandaj absurdin e shmang vetëm argumenti që i korrespondon gjendjes reale dhe juridike: pushteti lokal e ndikon atë qendror, dhe pushteti qendror atë lokal. Lufta kundër korrupsionit nga pushteti qendror nuk mund të ketë sukses nëse minohet në çdo komunë, nëse nuk shtrihet në asnjë hapësirë sepse e gjithë sipërfaqja e Kosovës është e ndarë në hapësira komunale dhe këto nuk kanë lidhje me qeverisjen qendrore. Por realisht dhe juridikisht kryetarët e komunave kanë rol dhe instrumente të rëndësishëm për luftën kundër ose për nxitjen e korrupsionit në nivel komunal, ashtu si për realizimin e çdo politike tjetër të qeverisjes qendrore. Gjithsesi, askush nuk beson se “komuna nuk ndikon në qeverisjen qendrore”. Moszgjedhjen e kandidatëve të LVV-së, Vuçiqi e mori si dobësim të qeverisë së Albin Kurtit dhe këtë si mundësi që iu hap për veprime të rinjë në Veriun tonë. Kuptohet, ashtu e panë edhe serbofilët në Kosovë e Shqipëri. Sa kaq, për realitetin e tillë nuk ka rëndësi argumenti që disa votues i japin vetes për qetësimin e çarjes në ndërgjegjen e tyre duke e paraqitur si çarje të pushteteve jashtë ndërgjegjes së tyre.
4. “Logjika e zgjedhjeve lokale dallon krejt nga e zgjedhjeve nacionale”
Argumenti do të qëndronte (a) nëse do t’i korrespondonte ndonjë logjike me ligje partikularë. Mirëpo nuk i korrespondon: ligjet logjikë, të çfardo logjike, janë vetëm universalë. Logjika e zgjedhjeve nacionale dhe lokale është e njëjta: logjikë politike, shtetare, ose e arsyes praktike. Zgjedhjet lokale dallojnë vetëm në dijet specifike, teknike, të zbatimit të së njëjtës logjike në nivele më poshtë republikës. Agumenti do të qëndronte (b) nëse kupton se në nivel nacional zgjedhësi ndjek logjikën e qytetarit të republikës në tërësi, të shtetndërtimit, ndërsa në nivel lokal ndjek logjikën e privatit, e interesave konkretë, individualë. Mirëpo argumeni nuk qëndron, sepse privatja nuk ka fare logjikë por vetëm instinkt. Sjellja e udhëhequr nga instinkti nuk e ka problem shkeljen e çdo ligji logjik, mjafton të vetrealizohet si interes i instinktit.
III
Përfundimi im:
Zgjedhësit kanë besuar që mund t’i lejojnë vetes sjellje, ose siç po thonë, logjika të ndryshme votimi, njërën për nivelin qendror dhe tjetrën për nivelin lokal. Në nivel qendror duhet të zgjedhin si qytetarë, anëtarë të polisit (republikës), shtetarë, nisur nga vullneti i përgjithshëm i të mirës së vendit. Në nivel lokal lejohet të zgjedhin si individë, si interes privat, nisur nga vullneti i veçantë i së mirës private të shkëputur nga e përgjithshmja. Ashtu vepruan. Mirëpo, tani konstatojnë se çarja brenda arsyes, brenda logjikes, e prodhon pashmangshëm çarjen brenda ndërgjegjes morale. Anasjelltas: brejtja e ndërgjegjes morale nuk mund të zgjidhet realisht duke ruajtur çarjen logjike, shkakun që e prodhon çarjen e ndërgjegjes morale. Prandaj, për ata që kanë ndërgjegje morale, dhe rrjedhimisht brejtje të saj, i vetmi shërim nga skizofrenia e ndërgjegjes morale mbetet pajtimi i saj me të vetmen logjikë votuese: të votojnë si qytetarë, shtetarë, nisur nga vullneti i përgjithshëm, ashtu si në zgjedhjet për nivelin qendror./Hysamedin Feraj/
Lexo po ashtu:  Iniciativa e Vjosës, çfarë dhe çka janë interesat e politike të qytetarëve?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *