Ariana Kosova mësuese në shkollën shqipe “Foleja e Shqiponjave” në Tolentino, Macerata, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Macerata, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Ariana Kosova bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ARIANA KOSOVA, PUBLICISTJA NË NDIHMË TË SHKOLLËS SHQIPE “FOLEJA E SHQIPONJAVE” NË TOLENTINO, MACERATA, ITALI

Në dhjetor të vitit 2014 nisa të shkruaj si gazetare publiciste në gazetën e qytetit të Camerinos: Orizzonti delle Marche. Pikërisht atë vit festuam Krishtlindjet dhe i ftuar special ishte Kryeredaktori dhe gazetari i gazetës Cronache Maceratesi, Maurizio Verdenelli i cili prej shumë vitesh ka punuar tek RAI 1. Na ka qëndruar pranë në shumë aktivitete ndaj në qershor të vitit 2016 na fton të marrim pjesë tek një aktivitet shumë i rëndësishëm dedikuar shkrimtarëve dhe publikimit të librave. Atë ditë nuk do ta harroj kurrë sepse pikërisht aty nisi edhe rrugëtimi i mësimit në mënyrë vullnetare e gjuhës shqipe. Po vëzhgoja me interes gjithçka dhe ndërkohë bisedoja me një gazetar i ONU nga Macerata Emanuele Tacconi i cili është shumë i njohur për kontributin e tij ndaj fëmijëve të vendeve në konflikte. Ndërkohë që më shpjegonte eksperiencën e tij në Kosovë na afrohet një zonjë e cila filloi të bisedonte,mirëpo nuk e dija se kush ishte. Kryeredaktori kur na pa tha: Sa mirë që ju shoh bashkë! I thashë: Po bisedojmë por nuk njihemi. Zonja kërkoi ndjesë dhe më pas u prezantua duke thënë se ishte nën Kryetarja e qytetit, Stefania Monteverde. Më ftoi të shkoja në zyrën e saj. Kur shkova mbeta pa fjalë kur mbi tavolinën e saj ishte një tavull e madhe prej qelqi me flamurin shqiptar. E pyeta: Si ka mundësi simboli I vendit tim ndodhet tek ju? Ajo buzëqeshi dhe tha: Dhuratë nga komuniteti shqiptar me të cilin do të hapim shkollën e parë shqipe. Kur pa diplomimet e mia më tha: Do të jesh mësuesja e parë e kësaj shkolle. Lotët vërshonin në fytyrë sepse kurrë nuk e kisha menduar se do të shpjegoja shqip në dheun e huaj. Në ato momente kujtoja tragetin që largohej me mua nga Durrësi me sytë e përlotur sepse pikërisht atë pasdite duhet të isha në klasë pranë nxënësve të mi, mirëpo drejtimi nuk ishte drejt shkollës por drejt një vendi të panjohur,ku as nuk e dija se çfarë më priste. Fjalët e nën Kryetares po më bënin të ëndërroja,mirëpo më pas pashë realitetin,realizimin e një projekti që filloi me datë 22 tetor 2016. Ishte dita më e bukur saqë edhe dielli shkëlqente sheshin Vittorio Emanuele në qendër të Maceratës ku atë ditë valvitej flamuri shqiptar dhe dyert e bibliotekës më antike të qytetit Mozzi Borgetti ishin hapur duke ftuar shqiptarët nga të gjitha anët. Të gjithë afroheshin me kureshtje ndërsa unë dridheshin nga emocionet. Atë ditë kisha dëshirë të flisja vetëm shqip. Pasi drejtoja në italisht të drejtën e fjalës së autoriteteve italianë u thashë: Më lejoni të përshëndes publikun në shqip.

Lexo po ashtu:  Gjenerata e artë e shkrimtarëve prej mangëve të tijë ka dalë. Esat Mekuli, emri më i fuqishëm i kulturës dhe shkencës shqiptare në Kosovë. Zoti ka me na vra nëse...

Nga shpirti buçisnin vargjet e Pashko Vasës:

Çohuni shqiptarë prej gjumi çohuni
Të gjithë si vëllazën në një besë shtrëngohuni
Mos shikoni kisha e xhamia
Feja e shqiptarit është shqiptaria.
Duartrokitjet dhe lotët e shqiptarëve shoqëroheshin nga malli për atdheun.

MËSIMDHËNIA E GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË

Më datë 22 tetor 2016 nisi rrugëtimi më i bukur dhe më domethënës i jetës time: Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Diasporë në mënyrë vullnetare,por me një pasuri shpirtërore që të fal paqe dhe mirësi. Në 2016 nuk kishte libra për shkollat në Itali dhe mos të flasim për kurrikulën. Librat në 2016 u blenë nga shqiptarët. Në nëntor 2016 isha e ftuar në Samitin e Diasporës dhe gjatë pjesëmarrjes në panelin e Arsimit mu dha e drejta e fjalës ku shpreha mangësitë e materialeve,organizimit dhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare. Në 2017 mora pjesë në Seminarin e gjuhës shqipe në Gjakovë. Seminaret kishin filluar që nga viti 2007 por askush nuk na kishte njoftuar për organizimin e tyre. Ministria e Arsimit e Shqipërisë e kryesuar nga znj. Anila Ferizaj më dha minutat që kishin në dispozicion për të folur për gjendjen e mësimdhënies në Itali. Falë ndihmës së znj. Donika Hoxha dhe znj. Anila Ferizaj arrita të siguroj në muajin Maj 2018 rreth 2000 libra, shumica abetare dhe fletore pune ku i shpërndava në qytetin Modena shkollave shqipe ku shumica ishin në Piemonte,Lombardi,Emilia Romagna,Veneto,Marche, Trentino Alto Adige dhe Abruzzo. Në verë të 2018 në seminarin e gjuhës shqipe në Tiranë morën pjesë rreth 60 mësues nga Italia për herë të parë dhe gjithsecili shprehte interesin dhe kritikat për mësimdhënien e gjuhës së origjinës. Dëshira për të zhvilluar këtë iniciativë ishte e madhe por nevojitej edhe bashkimi i mësuesve të mirëfilltë pra me eksperiencë për mësimdhënie cilësore, ndaj me datë 25 Nëntor 2018 u krijua Lidhja e mësuesve shqiptarë ku shumica votuan të jem Kryetare e Lidhjes. Në vitin 2019 falë profesor Nuhi Gashit,patëm mundësinë e një kurrikule të mirëfilltë të cilën patëm fatin ta marrim në seminarin e Prizrenit në verë të 2019. Ndërkohë librat filluam t’i kërkonim në Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Qeveria e Kosovës na pajisi me librat në vitin 2019 sikurse ndihmoi edhe nga ana financiare organizimin e Konkursit të diturisë në Asti me datë 1 Qershor dhe organizimin e udhëtimit 3 ditor të 20 nxënësve nga Italia me prindër dhe mësues në Prishtinë, Prizren, Pejë( Ujëvara e Drinit të bardhë) dhe Ujëvara e Mirushës. Gjithashtu mundësuan edhe konkursin e diturisë në Televizionin shtetëror të Kosovës për nxënësit e Italisë dhe vendeve të tjera kryesisht nga Evropa. Në seminarin e Prizrenit u njohëm për herë të parë me Qendrën e Botimeve në Tiranë e drejtuar nga znj. Mimoza Hysa. Në vitin 2020 librat shkollorë dhe jashtëshkollorë erdhën nga Qendra e Botimeve. Mirëpo mësimi në vitin 2020 u ndërpre për shkak të pademisë dhe rifillimi i mësimdhënies ka qenë i vështirë pasi gjendja në Itali ka qenë shumë kritike.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI IDENTITET KOMBËTAR

Mësimi vazhdon akoma të zhvillohet vullnetarisht edhe pse kemi nevojë për një ndihmë dhe bashkëpunim të mirëfilltë nga Shtetet e origjinës, sidomos në Itali ku numri i shqiptarëve është shumë i lartë. Mësimi në fundjavë është I rëndësishëm por shpesh hasim me problematika të ndryshme duke filluar nga ambjentet,pjesëmarrja e fëmijëve ose fakti që prindërit punojnë dhe nuk mund të shoqërojnë fëmijët. Pata fatin të jap mësimin e gjuhës shqipe me projektet evropiane në shkollat italiane ku jap mësim,pra me projektet extrakurrikulare. Fëmijët merrnin pjesë sepse projekti firmosej nga drejtori i shkollës pra ishte një projekt i mirëfilltë didaktik.

Lexo po ashtu:  Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Kur gjuha e origjinës mësohet në shkollat publike duket edhe rezultati i punës pra: Pjesëmarrja e nxënësit dhe pagesa e mësuesit. Në vitin 2019 tre ditë pas diplomimit tim Master në Shkencat politike organizova një seminar në Macerata me mësuesit shqiptarë në Itali ku ndërmjet të ftuarve ishte edhe Ministri I Kosovës z. Shyqyri Bytyqi dhe Rektori i Universitetit të Camerinos z. Claudio Pettinari. Djemtë e Kosovës kishin organizuar pritjen e mësuesve,pra pagesën e hotelit dhe të lokalit ku do të zhvillohej darka. Atë ditë u vendosën: Hapja e shkollës shqipe në Tolentino ku vetë fëmijët vendosën ta quanin: Foleja e Shqiponjave dhe Rektori I Universitetit të Camerinos dhuroi bursat për studentët nga Kosova. Sot studiojnë 75 studentë me bursa falas nga Universiteti dhe Bashkimi Evropian. 45 studentë nga Kosova dhe 30 nga Shqipëria

ITALIANËT MBËSHTESIN MËSIMIN SHQIP

Falë organeve shtetërore bëhet e mundur mësimdhënia e gjuhës shqipe. Falë tyre kemi ambjentet falas. Pikërisht këtë vit në Tolentino ishte pikërisht Komuna e qytetit që mundësoi mësimin në ambjentet e shkollës publike G. Lucatelli pa asnjë lloj shpenzimi. Autoritetet italiane kur dorëzuan dokumentin dhe çelësat e shkollës përgëzuan djemtë e Kosovës për ruajtjen e vlerave të traditave dhe gjuhës së origjinës.

TEKNOLOGJIA NË MËSIMDHËNIE

Teknologjia ndihmon në shpjegimin e gjeografisë,historisë dhe traditave sepse jo çdo nxënës mund të shkojë shpesh në Atdhe. Fakti që nxënësit e kanë prejardhjen nga çdo trevë shqiptare kanë nevojë të njihen me çdo detaj të Atdheut të të parëve,ndaj nëpërmjet teknologjisë mundësojmë pamjet,traditat,vendodhjet e deteve,liqeneve,lumenjve,kodrave,maleve,fushave pra të çdo bukurie natyrore që i përket territorit shqiptar. Përkrah teknologjisë nevojitet edhe libri i cili ndihmon mësimdhënien sepse është i detajuar për shpjegimin e gramatikës shqipe: morfologji dhe sintaksë. Nxënësi duhet të shfletojë,lexojë dhe shkruaj sepse siç thotë pedagogjistja e shquar italuane Maria Montessori. Muskujt ndihmojnë zhvillimin e inteligjencës,pra në rastin konkret të nxënit. Fëmijët nuk hasin vështirësi gjatë mësimit të gjuhës shqipe sepse në shkollë mësojnë edhe gjuhë të tjera si anglisht,spanjisht,frëngjisht dhe gjermanisht. Nuk do të mund të flasin rrjedhshëm por nuk do të thotë që hasin vështirësi.

KUSH ËSHTË MËSUESE ARIANA KOSOVA?

Lindi në Durrës. Gjatë fëmijërisë i bënin pyetjen: Pse mbiemri yt është Kosova? Nuk dija të përgjigjesha por duke u rritur shtohej edhe kureshtja sidomos pyetja tek gjyshja që jetonte në shtëpi me ne: Nga vijnë telegramet,po këto foto që i ruani të kujt janë? Gjyshi im ishte larguar jo vetëm nga Peja por edhe nga dënimi me vdekje nga serbët. Familjen e formoi në Durrës ku mundi të krijonte aktivitetin e tij në qendër të Durrësit: Kafene Peja. Gjyshja ishte vajzë e një nga familjet më të pasura të qytetit: Keja. Mbyllja e kufijve zbehu edhe kthimin në vendlindje të gjyshit ku në Prishtinë e priste motra e vetme që kishte. Fotot vinin nga pjesa tjetër e familjes që nuk mundi t’i takonte kurrë më. Para se të vdiste në Durrës ndërroi mbiemrin nga Bala në Kosova. Kur isha e vogël nuk e dija kuptimin sepse gjatë diktaturës komuniste nuk mund t’i shpjegohej një fëmije qëllimin e mbiemrit KOSOVA, por sot e kuptoj peshën që mbaj mbi supe. U shkollova në Durrës tek shkolla tetëvjeçare 29 Nëntori dhe tek Gjimnazi Naim Frashëri. Më pas ndoqa Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan,mësuese të ciklit të ulët.

Lexo po ashtu:  Foto/ Mësim anatomie në Spanjë

U emërova mësuese në shkollën publike Shaqe Mazreku në Durrës ku në 1999 në klasë vjen një prind I një nxënëseje dhe më pyet: Si e ke emrin dhe e bija e kujt je? Mu duk pak e çuditshme por iu përgjigja. Ajo mbeti pa fjalë dhe tha: Gjyshi yt është Ramiz Bala Kosova??? Mbusha sytë me lotë dhe i thash: Si e njeh gjyshin tim? Ajo u përgjigj:” Prindërit e mi u larguan nga Gjakova në 1946 dhe mamaja ime ishte shtatëzanë me mua. Ata jetuan 1 vit tek shtëpia e gjyshërve të tu në Durrës,aty ku linda edhe unë.” Më pas më tha që ishte bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, z. Arqile Gorea i cili priti popullin shqiptar nga Kosova në 1999 dhe vajza e tyre ishte nxënësja ime. Në 2002 u largova nga Shqipëria drejt Italisë. Fillimi ishte shumë i vështirë por më shpresën në Zot dhe më vullnet gjithçka bëhet e mundur. Pas lindjes së dy vajzave vendosa të bëj të njohur studimet e Shqipërisë. Askush nuk të ndihmonte,por këmbëngulja bëri të mundur ndryshimin e fatit në emigracion. Rifillova studimet!!!!

Titujt që kam arritur me shumë sakrifica gjatë rritjes së vajzave dhe punës njëkohësisht janë:
-Shkencat e edukimit dhe formimit
– Master 2 vjeçar për pedagogjiste e dizabilitetit.
– Master 2 vjeçar Shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare
– Master 2 vjeçar Maria Montessori
Po mbaroj Masterin për Juridik

Në vitin 2016 bëra të mundur njohjen e studimeve të Shqipërisë dhe njohjen e profesionit të docententes. Sot ndodhem në 5 graduatore shtetërore për mësimdhënie në Itali. Që nga viti 2015 punoj pedagjiste në strukturat private por prej tre vitesh jam mësuese në shkollat publike italiane. Këtë vit jap mësim në matematikë, shkenca, gjeografi dhe anglisht. Në shtator të vitit 2020 isha kandidatja e parë e huaj për në Këshillin Rajonal Marche. Gjatë çdo studimi kam vënë re studentë nga e gjithë bota të studionin në Itali dhe i bëja vetes pyetje: Po studentët shqiptarë pse nuk e kanë këtë fat? Vendosa të ndihmoj të rinjtë e popullit tim me bursat falas. Jo pa qëllim e nisa nga Kosova, me të rinjtë e saj. Gjyshi tretet në Durrës por amanetin nuk e tret as dheu!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *