Shotë Galica (1895-1927)

Shotë Galica, me emër të lindjes Qerime (Halil) Radisheva u lind në vitin 1895, në Drenicë, atë kohë Vilajeti i Kosovës.

Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse shqiptare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit.

Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të kanunit, luftoi heroikisht për 12 vjet më radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut.

Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare.

Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.

Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik të vitit 1924, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.

Lexo po ashtu:  Si u vra Çerçiz Topulli nga malazezët dhe ç’rol patën grekët?

Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut.

Në luftime nga masakrat e shovenistëve serbë, humbi 22 anëtarë të familjes.

Më 3 korrik të vitit 1927, Shotë Galica u vendos në Shqipëri, ku me vete kishte katë fëmijë jetimë të bashkëluftëtarëve që kishin vdekur në beteja, kurse ajo vetë vdiq në moshën 32-vjeçare, në Fushë Krujë, e braktisur nga qeveria e Zogut dhe pa përkujdesje, duke qenë se para se të vdiste kishte mbetur pothuajse plotësisht e paralizuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *