Krijimi i një blloku të ri ushtarak brenda Ballkanit nëpërmjet “Deklaratës së Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes” të nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, ka shkaktuar nervozizëm në Beograd.
Marrëveshja mes shqiptarëve dhe kroatëve parashikon forcim të kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin në trajnimet ushtarake.
Firmat mbi dokument u hodhën nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, dhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Maqedonci ishte i prerë: “Ky është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Ai shtoi se Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euro-atlantik.
Nga ana e tij, Pirro Vengu theksoi se “Kosova, Shqipëria dhe Kroacia ndajnë një vlerësim të njëmendtë të kërcënimeve në rajon” , ndërsa ministri kroat Anushiç e quajti aleancën “një vendim strategjik që reflekton realitetin e ri gjeopolitik” dhe që konceptohet pas vlerësimeve të së kaluarës.
Mministrat nuk e përmendën në asnjë moment gjatë konferencës, por ishte e qartë se me “kërcënim për stabilitetin në rajon” nënkuptohej Serbia, shteti me të cilin shqiptarë dhe kroatë kanë luftuarë pak vite më parë dhe që aktualisht vazhdon të ketë pretendime territoriale, nëpërmjet projektit të ashtuquajtur Bota Serbe.
Ashtu siç pritej, reagimi nga Serbia nuk vonoi.
Nervozizmi i Beogradit
Beogradi ka reaguar me nervozizëm për aleancën e re ushtarake që nënshkruan tre ministrat e mbrojtjes Maqedonci-Vengu-Anushiç.
Ministria e Jashtme serbe e cilësoi paktin si “provokim”, ndërsa zyrtarët e saj paralajmëruan se kërkojnë shpjegime urgjente nga Shqipëria dhe Kroacia për objektivat ushtarake që parashikon pakti i ri.
Beogradi e sheh këtë si një “sulm” ndaj integritetit të saj territorial, pasi pakti përfshin Kosovën, të cilën Serbia ende refuzon ta njohë si shtet të pavarur.
“Kjo nismë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Kosovën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren. Presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarake”, tha ministria serbe punëve të Jashtme, përmes një deklaratë.
Firmosja e një pakti ushtarak mes shqiptarëve dhe kroatëve është komentuar me shqetësim edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. “E morëm mesazhin dhe jemi të shqetësuar për atë që po bëjnë. Por ne kemi doktrinën tonë dhe jam i sigurtë që do t’i dalim të ruajmë stabilitetin dhe të mbrojmë veten nga agresorët potencialë” u shpreh ai.
Çfarë i djeg më shumë plagës serbe ishte mundësia që Bullgaria mund t’i bashkohet kësaj aleance, duke e kthyer në një bllok strategjik akoma më të fuqishëm.
Konteksti i ri gjeopolitik në Ballkan
Pakti ushtarak Shqipëri-Kroaci-Kosovë lind si nevojë e një konteksti të ri gjeopolitik, që mbart shumë paqartësi për Ballkanin. Ngulmimi i Donald Trump për të bërë paqe në frontin Ukrainë-Rusi, qoftë edhe duke ia dorëzuar Putinit territoret e pushtuara, apo braktisja e aleatit Vladimit Zelenskit në mes të një beteje, janë akte të lexuara me kujdes nga çdo drejtues shteti në Europë.
Tani SHBA vënë në dyshim vetë ekzistencën e NATO-s dhe kanë shtuar pasigurinë në territore, ku ushtarët amerikanë qëndrojnë si garanci e stabilitetit dhe paqes. Ky ndryshim radikal i paralajmëruar në politikën e jashtme amerikane u bë shkak për ekzaltimin e serbëve pas rizgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ndaj shqiptarë dhe kroatë po afrohen ushtarakisht, në një aleancë të re, që i vë një kryq të madh kursit politik të orientuar nga eksperimenti i dështuar i quajtur “Ballkani i Hapur”, projektit që u sponsorizua nga dyshja Rama-Vuçiç.
Kjo aventurë që u varros dy vite më parë, provokoi përplasje të forta mes Edi Ramës dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili refuzoi ta shndërroi vendin e tij në lokomotiva të një treni që drejtohej nga Aleksandër Vuçiç.
Dhe ja ku jemi! Pas disa vitesh kur Edi Rama predikonte plot pasion paqen me Serbinë, kur e përqafonte Vuçiçin si një partner të besueshëm dhe shante e mallkonte këdo që ngrinte dyshime mbi fytyrën e vërtetë të serbëve, kur e shiste “Ballkanin e Hapur” si një mrekulli ekonomike; papritur e gjen veten duke firmosur një pakt ushtarak kundër Serbisë.
Deri dje, kur shqiptarët e Kosovës e përshkruanin “Ballkanin e Hapur” si një tentativë të Serbisë për të rivendosur hegjemoninë në vendet fqinje, por kur këta refuzonin, Rama e quante Isa Mustafën “tinzar”, Hashim Thaçit i kujtonte kohët kur “hante e pinte me serbët”, Ramush Haradinajn e ofendonte si një “gënjeshtar dhe të paditur”, ndërsa Albin Kurtin e thumbonte si “neo-marksist”.
Tani që SHBA-të kanë futur në ankth gjithë rajonin me lëkundjet e paparashikueshme strategjike, i njëjti Edi Ramë bie dakort me një bllok të ri ushtarak kundër Serbisë, sikur të mos kishte qenë ai vetë deri dje që tentoi të ndërtonte një “miqësi” me Beogradin.
Pra, kur Amerika garantonte stabilitetin, Vuçiç ishte mik. Kur Amerika shton pasigurinë, Vuçiç bëhet rrezik. Një lider me vizion, apo një akrobat politik që kërcen nga një rol në tjetrin, sipas drejtimit të erës? Përgjigjen e di çdo shqiptar që nuk ka kujtesë të shkurtër.