Marjel Kola po jetonte ëndrrën amerikane. Pasi ndoqi kolegjin në Itali, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria në moshën 22-vjeçare. Ai iu bashkua Departamentit të Policisë së Nju Jorkut në moshën 33-vjeçare. Ai dhe gruaja e tij kanë shtëpinë e tyre në periferi.

Por ëndrra mori fund kur atij iu mohua përjashtimi nga vaksinimi i detyrueshëm për Covid-19 për shkak të fesë dhe përfundimisht u përjashtua nga policia e Nju Jork-ut.

Kola i përket Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë dhe feja e tij e ndalon atë të punojë në “Sabatin Biblik”, që është e premte në perëndim të diellit deri të shtunën në perëndim të diellit.

Që në fillim, NYPD (Departamenti i policisë së Nju Jorkut) pranoi “kushtin” e tij fetar dhe punoi sipas orareve që feja e tij ia lejonte.

Kola punoi si polic në Manhattan për katër vjet e gjysmë duke filluar nga viti 2018 dhe ishte “Polici i muajit” në qershor 2021.

Gjatë trazirave në verën e vitit 2020 (pas vrasjes së George Floyd), të gjithë oficerëve të NYPD-së iu kërkua të punonin shtatë ditë në javë. Kola i tha mbikëqyrësit të tij se nuk ishte në gjendje ta bënte këtë.

Lexo po ashtu:  Qelepir edhe ca vota/ Qeveria premton: 5 mijë € për çdo emigrant që hap biznes në Shqipëri

Ai i tha togerit se ka Perëndinë të parën dhe më pas vjen puna. Kërkesa e tij përsëri u pranua dhe ai nuk punoi ditën e shtunë.

Në mars 2020, Kola u infektua me Covid-19 dhe ishte pa punë për tre javë.

Gjatë asaj periudhe, Kola, i cili është gjithashtu dhe vegjetarian, përdori ilaçe natyrale. Ai vijoi me dush të nxehtë dhe të ftohtë dhe konsumim të hudhrës për mbrojtje imuniteti. Kola thotë se këto kanë funksionuar.

Kur vaksinimi kundër Covid-19 u bë i detyrueshëm, Kola ishte pjesë e atyre njerëzve që ishin totalisht kundra një vaksine që nuk dihej asgjë për të.

“Unë kam besim te Zoti. Pse duhet të vendos në trupin tim diçka që nuk i besoj?”, tha ai.

Kola aplikoi për një përjashtim “fetar” për të mos bërë vaksinën brenda një jave por iu refuzua. Ai apeloi dhe dorëzoi një letër nga pastori i tij ku thuhej se Kola ka qenë anëtar i kishës që nga viti 2017 dhe ndjek mësimet e Kishës Adventiste.

Lexo po ashtu:  173 vjet nga lindja e Sami Frashërit, figurës qendrore të Rilindjes

Kolës iu mohua përsëri, me deklaratën se “dokumentacioni fetar është i pamjaftueshëm” dhe “kundërshtimi për të mos bërë vaksinën bazohet në informacione të rreme të verifikueshme, dezinformata, frikë nga origjina e panjohur e vaksinës ose efekte anësore”.

Ai u përjashtua më 17 qershor dhe ngriti një padi menjëherë më pas.

Kola përfaqësohet nga avokati Jimmy Wagner nga Brooklyn. Përveç çështjes së Kolës, Wagner përfaqëson oficerë të tjerë të NYPD-së të pushuar nga puna.

Kola nuk e di nëse do të jetë fitues kur të ketë ditën në gjyq, ai thjesht e lë gjithçka në dorë të drejtësisë dhe Zotit.

“Është në dorën e sistemit të drejtësisë dhe në dorën e Zotit”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *