“Unë besoj në Zot, në Abetare dhe në Komb. Këto janë “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë” – At Irakli Pylli

Mësuesi patriot Irakli Pylli, i njohur me emrin At Isaia, lindi në prill të vitit 1872, në një familje të varfër në fshatin Shën Pjetër të rrethit të Fierit. Në popull, atë e kanë thirrur edhe me emra të tjerë. Kështu, në Vlorë ai është njohur si “prifti me kobure”, në fshatrat e Fierit si “prifti që psalmet i këndon në shqip” etj.

Irakli Pylli mësimet e para i kreu së bashku me Mësuesin e Popullit Jani Minga e atdhetarin Llazi Spiro, nën kujdesin e mësuesit Kostandin Minga. Më pas, me vështirësi të mëdha ekonomike, mbaroi arsimin e mesëm. Gjatë tërë kohës, Irakliu nuk i shkëputi lidhjet me shokun e tij të ngushtë Jani Minga. Ata i bashkonte ideali i njëjtë për përhapjen e gjuhës shqipe. “Shkronjat dhe gjuhën shqipe do t’i përhapnin medoemos, – i shkruante Jani Minga At Isaisë. Dhe vazhdonte: “Është koha që për shqipen të punojmë kudo. Tani të qoftë e mbarë! Mbështetu te populli”.

Dhe At Isaia, kudo dhe kurdoherë thoshte në popull: “Të mësojmë gjuhën tonë. Jemi shqiptarë dhe nuk na duhet gjuha e huaj, kur gjuhën e kemi aq të ëmbël, aq të mirë. Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Me shumë kujdes, At Isaia futi gjuhën shqipe edhe në kishë, ai i këndonte psalmet ne gjuhën shqipe, që atëherë populli filloi ta thërriste: “Prifti që psalmet i këndon shqip”. E kishte të qartë, se armiqtë, agjentët e Patrikanës, për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, thurnin plane djallëzore kundër atyre që bënin përpjekje, sado të vogla, për gjuhën amtare, por ai nuk trembej nga kërcënimet./

At Isaia, në fshehtësi, në njërën nga ndërtesat e kishës në Shën Pjetër hapi të parën shkollë shqipe në fshat. Mësimin shqip në shkollën e fshatit, ai vazhdonte ta zhvillonte pa ndërprerje. Për të shmangur rrezikun e zbulimit të mësimit të shqipes, ai i kishte pajisur nxënësit me dy palë fletore: në një palë shkruanin shqip dhe në tjetrën greqisht.

Lexo po ashtu:  Lambert: Çështja shqiptare e papërkrahur

Por pushtuesit osmanë ranë në gjurmë të veprimtarisë së tij. Aty rreth vitit 1908, e kapën dhe e arrestuan. E ç’nuk i bënë, që të hiqte dorë nga rruga e nisur. Të moshuarit, ata që e panë ato ditë, tregojnë se si e torturuan, si i varën një këmborë në qafë dhe e tërhoqën përmes pazarit të Fierit dhe brigjeve të lumit Gjanicë.

E rrahën pa mëshirë, por ai nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por dogjën edhe ndërtesën e shkollës. Pas shumë kohëve, atë e mbajtën nën tortura në burg. Kur u lirua, At Isaia, me pasion të madh, vazhdoi t’u mësonte fëmijëve të fshatit shkrimin e këndimin e gjuhës amtare.

At Isaia shkoi në Korçë, ku qëndroi në krye të manifestimeve për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke. Ai u ngarkua t’i njoftonte dhespotit vendimin e mbledhjes, që të largohej nga territori shqiptar brenda 24-orëve, si person i padëshirueshëm. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe për punën e përhapjes së gjuhës shqipe, At Isaia u mallkua nga Patrikana. Në fundin e vitit 1919, ai çeli përsëri shkollën shqipe në fshat. Si ndërtesë u shfrytëzua shtëpia e një fshatari. Po kështu, ky mësues hapi edhe një shkollë tjetër në afërsi të fshatit Seman, në pyllin e Janjit. Pas Kongresit të Lushnjës, në mars të vitit 1920, At Isaia u vendos në Vlorë. Reaksioni e ndiqte këmba-këmbës. Mori pjesë gjallërisht në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës dhe u dallua si një propagandist i flaktë i çështjes kombëtare. Edhe pas fitores së Luftës së Vlorës, At Isaia nuk rreshti së punuari për të mirën e vendit. Ishte përkrahësi i flaktë i Halim Xhelos dhe i Avni Rustemit. Prifti atdhetar qëndronte në çdo kohë i armatosur. Gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, At Isaia qëndroi përkrah “bijve të popullit që jepnin jetën për Shqipërinë”. Për veprimtarinë e tij, si edhe të nipit 15-vjeçar, Filipit, me urdhër të Prefektit të Vlorës, u arrestuan dhe u internuan në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Koço Faudi, një shok i internuar së bashku me At Isainë, i cili u kthye i gjallë, tregon: “Në kampin e internimit përdoreshin tortura nga më barbaret, nëpër këto tortura kaloi edhe At Isaia, i cili në moshën 72-vjeçare, nga një barbarizëm i rëndë, ra ashtu siç do të dëshironte të binte çdo trim”.

Lexo po ashtu:  Një porosi nga Esat Mekuli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *