Partia Socialiste e Edi Ramës ka shtënë në punë si alibinë e fundit parimin e përgjegjësisë individuale. Edhe pse e shpall veten një familje ku bilbilon vetëm një njeri, pra një vatër patriarkale ku tund tespiet Plaku Merre, kjo parti po na thotë të gjithëve se : nëse mes nesh kapen hajdutë, ata e kanë vetë fajin.

Pra, ndërkohë që sipas Plakut Merre, “është sistemi që korrupton njeriun”, në rastin e tanishëm, nuk është problem sistemi, por disa njerëz. Korrupsioni kështu shpallet si e vetmja reformë decentralizuese e një partie hiper të centralizuar. Ose një qeveri personale si kjo që shohim dhe kemi.

Pyetja është sesi mundet që individë problematikë, të njohur në territor si të tillë penetrojnë në degët e shëndetshme të partisë dhe qeverisë. Në një deklaratë të para dy ditëve në MCN Tv, një nga njerëzit e vjetër të PS-së, Petro Koçi, tha se shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Jetojmë në kapitalizëm dhe njerëziit janë më pragmatistë.

Dakord, po çfarë lidhje ka kjo me krimin dhe njerëz që vijnë nga një e shkuar problematike? Pse nuk ndodhte në parë ky depërtim, që e pranojmë se është i pashmangshëm, por jo deri në këto përmasa?

Lexo po ashtu:  Në kërkim të racës Ariane: Misioni i bujshëm i naz istëve në pyjet e Amazonës

Është për t’u shënuar dhe do mbahet mend gjatë këmbëngulja me të cilën Edi Rama si kryeministër mbronte Elvis Roshin që i dha Kavajën, pra në mendësinë e z. Rama, poshtëroi Berishën.

Është flagrante heshtja me të cilën z. Rama ka mbuluar përherë z. Doshi, i shpallur non grata nga ShBA, por me pushtet të pacenuar.

Vangjush Dako është pastaj kasata e tavës së nxehtë të korrupsionit, i përfolur e stëëfolur, përgjuar e akuzuar. Z. Rama deklaroi se atë do ta mbante shok apo mik edhe në burg.

Po Ardian Çela i OSHEE-së që është thuajse i paprekshëm, njësoj si drejtorët e tjerë që sepse duken sikur kanë më shumë pushtet, politik dhe financiar sesa ua lejon posti?

Po kupolën e deputetëve të Lezhës, a mund t’i harrojmë vallë? Po vallë ky kryeministër përherë nuk ka ditur gjë, s’ka dyshuar ndonjëherë, s’ka tentuar të pyesë apo verifikojë?

Ju thotë gjë emri Alket Hyseni, Saimir Tahiri? Me siguri që balta e kazanit ka bërë pis shumëkënd, por ja që koha po provon se ekselentët e kësaj qeverisjeje janë “çunat e Londrës”, të hashashit, e të tenderave. Po, edhe vajzat e lëpirjes ndaj shefit përderisa nuk përfaqësojnë asgjë në rrafshin profesional.

Lexo po ashtu:  Pushteti që varet nga Facebook

Kajmaku i Vorës flet me vepra, qartë dhe pastër. Nuk punojnë vetëm çunat e Londrës…

Kush akuzon për nihilizëm refuzon të shohë se në fakt kjo është nomenklatura e re e pushtetit, asgjë më shumë. Një pushtet i korruptuar del me argumente juridike, një pushtet që ka programm zhvillimi dhe është ajo që thotë, preferon argumentin moral dhe politik.

Është ai pari që e bën sot çdo shqiptar të mendojë i penduar: si s’u mora me drogë të isha bërë deputet! Ose kryetar bashkie…/Skerdilajd Zaimi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *