Më 12 nëntor të vitit 1987 u nda nga jeta Lasgush Poradeci. Poezia që shkroi përjetëson shpirtin e poetit, shpirtin mijëravjeçar të njeriut.

Kur lindi gjuha, menjëherë pas saj erdhi poezia. Lasgushi banoi gjuhën me anë të poezisë, ashtu madhërishëm. Banoi në shpirtin e popullit të tij, të emocioneve të thella dhe estetikës së lartë.

Poezia e tij është kështjellë krenare e gjuhës shqipe.

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Lexo po ashtu:  Meta kundër minishengenit, vlerëson paraqitjen e Kurtit në Munih

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Lexo po ashtu:  Tensionet në PD/ Reagon ambasadorja joprofesionale Yuri Kim: Jemi thellësisht të shqetësuar. Ata që nxisin dhunë do mbajnë përgjegjësi

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.
*
Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë-i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s´dashuronja-as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri — një fshehtësi
M´e fshehur sesa fshehtësija.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *