Telegrami i Presidentit Truman për Çamët më 25 qershor 1945. “Sot ata ende përndiqen prej qeverisë së sotme greke thjesht sepse ata shikohen si racë e huaj dhe meritojnë zhdukjen”.
Agron Alibali
Diaspora shqiptare në Amerikë ka qenë e përfshirë fuqimisht në përpjekjet për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, sidomos nëpërmjet Federatës PanShqiptare Vatra (The Hearth). Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë, gjithashtu, kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Veçojmë një telegram të 26 qershorit 1945 drejtuar Presidentit Truman nga Kryesia e Shoqatës Çamëria në SH.B.A., i cili dallohet për guximin dhe qartësinë e veçantë në parashtrimin e çështjes çame. Tekstin po e japim të plotë: “Hartford, Kënektikat, 25 qershor 1945, Harry S. Truman, Shtëpia e Bardhë. “Çamëria, me një popullsi prej 80,000 banorësh që janë shqiptarë të pastër si racë, gjuhë dhe ndërgjegje iu dha Greqisë në përfundim të Luftërave Ballkanike STOP Gjatë intervalit midis vitit 1913 dhe 1940 popullsia e gjithë provincës u persekutua dhe u shpronësua pa proces të rregullt ligjor si dhe asaj iu mohuan të gjitha të drejtat elementare si qenie njerëzore nga ana e qeverisë greke STOP Në luftën e tanishme burrat dhe gratë nga Çamëria rrokën armët kundër fuqive të Boshtit duke luftuar në krah të Aleatëve, por për këtë veprim ato u vranë dhe u përndoqën dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan nga italianët, gjermanët dhe forcat monarkiste greke STOP Sot ata ende përndiqen prej qeverisë së sotme greke thjesht sepse ata shikohen si racë e huaj dhe meritojnë zhdukjen STOP Për të gjitha këto arsye ne shtetasit amerikanë që e kemi prejardhjen nga Provinca e Çamërisë ju bëjmë thirrje që ta ngrini zërin tuaj në emër të tyre me qëllim që, së pari, të ndalohen abuzimet e mëtejshme dhe, së dyti, të lejohet mbajtja e një plebishiti nën mbikëqyrjen e aleatëve për të përcaktuar nëse ato dëshirojnë të mbeten subjekte të Greqisë ose të inkorporohen në shtetin shqiptar.
Herri Çeçko [Harry Checko] Kryetar, Veip Demi Sekretar, Bondmore Hotel”. Përgjigja zyrtare nuk u vonua as dy ditë. Me të vërtetë, me 27 qershor 1945, zotit Çeçko i niset përgjigja nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Aty theksohet se Departamenti i Shtetit “mban shënim” pikëpamjet tuaja lidhur me “statusin e popullit të Çamërisë [Chameria]” dhe punonjësit e tij “po i japin vëmendjen e përshtatshme aspekteve të ndryshme të këtij problem”. Duke u krahasuar me reagimin amerikan ndaj ankesave të shumta, në pjesën dërrmuese absurde, të qeverive greke dhe qarqeve të ashtuquajtura “epirotike”, mund të arrihet në përfundimin se përgjigja amerikane, edhe pse në dukje standarde, përmbante gjithsesi një ndryshim themelor. “Në lidhje me ndryshimet territoriale” – të përmendura në telegramin e përfaqësuesve çamë- , qëndrimi i shpallur zyrtar amerikan ishte se “zgjidhja e këtyre çështjeve duhet të presë marrëveshjen përfundimtare të paqes ku pretendimet e të dyja palëve në mosmarrëveshje do t’u nënshtrohen një procedure dëgjimore të plotë dhe të paanshme”. Me të vërtetë, ky del si dokumenti i parë zyrtar që kemi hasur deri më sot, ku bëhet fjalë për “pretendime të të dyja palëve”, pra ku ka kundërvënie midis pretendimeve greke dhe kërkesave shqiptare.
Raporti Dokumentar i Misionit Amerikan, gusht 1945 – Një Propozim për Shkëmbimin e Minoriteteve
Më në fund, me 16 gusht 1945, Shefi i Misionin Amerikan, Xhejkobs, i nisi qendrës në Uashington raportin e tij të gjerë dhe të hollësishëm për gjendjen në Shqipëri. Titulli i plotë ishte “Raport Dokumentar në Mbështetje të Përfundimeve dhe Rekomandimeve lidhur me Njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”. Raporti ishte punim kolektiv i gjithë ekipit të diplomatëve dhe zbuluesve amerikanë të inkuadruar në Misionin e Posaçëm të Departamentit të Shtetit në Tiranë, dhe më konkretisht, Xhejkobs [J. E. Jacobs], Shef i Misionit; H. Fulc [Harry T. Fultz], Ndihmës i Posaçëm; W. Lauman [William M. Lauman], Ndihmës i Posaçëm; E. Hofman [Erich W. A. Hoffman], Nënkonsull. Tryeza e tij e Lëndës përfshinte 14 krerë, ku për objektin e studimit tonë ka interes ai për “Marrëdhëniet Ndërkombëtare [VI]” dhe ai për “Udhëtimin në Shqipërinë e Jugut, 12-16 qershor 1945, me komente”. Pikërisht në këtë Raport hasim edhe propozimin e “autorëve” të tij për një zgjidhje të përgjithshme të problemeve midis vendeve fqinje dhe Shqipërisë.
Ai përfshihet në “Pjesën e VI-të [Marrëdhëniet Ndërkombëtare], Kreu IV [Probleme Afatgjata në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Rëndësia e Tyre], Paragrafi 2 [Probleme Kufitare dhe të Minoriteteve]” të Raportit në fjalë. Pjesa tjetër e këtij Raporti, ajo që mbulon marrëdhëniet Greqi-Shqipëri [6.3.7.], jepet në fund si Dokument i posaçëm (ekstrakt).Kjo ka rëndësi të veçantë pasi paraqet qëndrimin e drejtë dhe objektiv amerikan lidhur me pretendimet greke ndaj Shqipërisë, të cilat cilësohen si “të stërtepruara” apo absurde (preposterous). Raporti e rrok problemin kufitar në tërêsi: atë jugosllav dhe atë grek. Nëse ato probleme nuk zgjidhen, paralajmëron Raporti, ndofta mund të kemi një tjetër Luftë Ballkanike. Në lidhje me kufirin shqiptaro-grek, Raporti thekson: “Sipas mendimit të autorëve të këtij raporti, nëse vërtet do të mbetet një Shqipëri e pavarur, është qesharake që t’u jepet vëmendje e favorshme dhënies së çdo pjese të madhe të Shqipërisë së jugut Greqisë, sepse, përveç një zone të vogël (minor region) që përfshin disa mijëra vetë (a few thousand people) të racës greke, në mbarë Shqipërinë e jugut nuk ka asnjë zonë (area) ku popullsia greke mbizotëron në numër (predominantly inhabited).”
Raporti
Raporti më tej deklaron një fakt jashtëzakonisht të rëndësishëm, kuptimplotë dhe me vlerë aktuale: “…Në anën greke të kufirit ka ende minoritete shqiptare, edhe pse këto grupe minoritare janë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme nga veprimi i autoriteteve greke që zbuan [driving into] për në Shqipëri më shumë se 20,000 çamë [Chamerians.] Së pari, ky deklarim faktik pohon tërthorazi ekzistencën e minoritetit shqiptar çam jo-mysliman, që u lejua të qëndrojë në Çamëri pas masakrave dhe shpërnguljes së dhunshme. Së dyti, duke përdorur numrin shumës (grupe minoriteti shqiptar) ai pohon edhe ekzistencën e minoritetit shqiptar në Janinë e rrethet e saj, si dhe në rajone të tjera të Greqisë “në jugë të kufirit me Greqinë”. Së treti, Memorandumi vë gishtin tek autorët e vërtetë të tragjedisë çame, d.m.th. “autoritetet greke”. Së katërti, qëndrimi amerikan për mosmbështetjen e pretendimeve “absurde” greke ndaj Shqipërisë së jugut – rezultat i njohjes së thellë dhe objektive të gjendjes në vend – është diametralisht i kundërt me qëndrimin anglez. Amerikanët, p.sh., refuzonin të përdornin termin “Epir i Veriut”, të cilin raportet britanike e përqafonin pa rezervim. Po ashtu, ndërsa pretendimet territoriale greke raportet britanike i quanin si “rikthim” [return], dokumentet zyrtare amerikane i konsideronin si “qesharake” dhe të “stërtepruara”. Një tjetër telegram i z. Xhejkobs – përcjellë në Shtojcën Dokumentare – madje tregon se në tetor 1945 midis dy Aleatëve kishin lindur divergjenca të theksuara lidhur me çështjen e kufirit shqiptaro-grek.
Kuvendi i Dytë në Vlorë, taktika që ndoqën çamët
Në shtator 1945 u mbajt në Vlorë Kuvendi tjetër çam. Ky tubim pati rëndësi të madhe pasi analizoi gjendjen e vështirë të komunitetit çam në Shqipëri dhe përcaktoi objektivat afatgjata dhe strategjinë e tij për kthimin në Çamëri. Njoftimin për këtë Kuvend na e jep Raporti Nr. 15 i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri. Informacioni jepet fillimisht në trupin e Raportit Kryesor nën sythin “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë”, kurse në Shtojcën B të tij jepet informacioni për Seancën e Hyrjes. Sikurse u përmend më sipër, Kuvendi i Dytë Çam i Vlorës i shtatorit 1945 mbahej pas atij të Shalësit, të mbajtur një vit më parë, në fund të shtatorit 1944. Në Shtojcën e tij B, Raporti na jep një përshkrim të plotë, por të ftohtë, të seancës së parë të 23 shtatorit:“Salla e Kongresit ishte zbukuruar me flamujt e Vendeve Aleate si dhe me parulla propagandistike të shumta ku shkruhej “Rroftë EAM”-i, “Vdekje Monarko-Fashistëve Grekë”, “Rroftë Partia Komuniste”, etj. Kryetarë Nderi të Kuvendit u zgjodhën Tre Fuqitë e Mëdha Aleate, Enver Hoxha, Tito dhe Zahariadhi”. Është e kuptueshme që qasja në dukje pro-komuniste ishte për oportunitet politik dhe për të fituar mbështetjen e shtetit shqiptar. Ka rëndësi të theksohet, gjithsesi, deklarimi i hapur dhe i vendosur i komunitetit çam përkrah aleatëve të mëdhenj, SHBA-së, Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë. Vetë ky veprim i zgjuar zhvlerësonte në thelb akuzat e padrejta kolektive ndaj çamëve si kinse përkrahës dhe bashkëpunëtorë të nazistëve, gjë që sillej si justifikim për krimet, masakrat dhe shpërnguljen e dhunshme masive të tyre. Kongresin e hapi kryetari i tij, Kasëm Demi, i cili foli “për mjerimin e refugjatëve çamë [Çam refugees] në Shqipëri të shkaktuar prej krimeve të Zervës dhe reaksionarëve të EDES-it”. Mandej u kalua në përshëndetjet e rastit, ku e para ishte Liri Gega në emër të Këshillit Antifashist të Shqipërisë, dhe mandej përfaqësues të ushtrisë, organizatës së rinisë dhe gruas.
Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq shqiptar, Abas Shehu, dënoi qeverinë greke, gjeneralin Zerva, etj, ndërsa folës të tjerë “kërkuan kthimin e shpejtë të çamëve [Çams në anglisht] në shtëpitë e tyre nën mbrojtjen e aleatëve” Përsëri këtu del në pah qartësia dhe pjekuria e komunitetit çam, çka shfaqet me kërkesën për t’u kthyer në shtëpi nën mbrojtjen e Aleatëve. Me rëndësi paraqitet edhe propozimi i Dr. Idris Allulli, “çam emigrant”, sipas të cilit hetimi i krimeve kundër çamëve nuk mund të bëhej duke çuar një komision hetimor në Greqi, pasi “atje nuk kishte liri të fjalës. Komisioni duhet dërguar në Shqipëri, ku emigrantët çamë mund të shprehin atë që dëshironin”. Së fundi, Vehip Demi, Kryetar i Këshillit Çam, kërkoi kthimin nga Aleatët të “kriminelit Nuri Dino…i cili shëtiste lirisht në Itali”.Ai deklaroi gjithashtu se “Çamët ishin gati të luftonin krah për krah me ‘forcat shqiptare’ për të shkatërruar mbeturinat e fashizmit”. Në fund ai falënderoi qeverinë shqiptare në emër të refugjatëve çamë për marrëveshjen me UNRRA-n, për të cilën u fol më sipër. Ndër folësit në Kuvend ishte edhe Haki Toska, në atë kohë në funksionet drejtuese në Prefekturën e Gjirokastrës, i cili dha përshtypjet e gjalla të pritjes së refugjatëve çamë në territorin shqiptar. Kuvendi i Dytë Çam ka rëndësi të veçantë pasi pasqyron strategjinë dhe taktikën e udhëheqësve çamë në një moment tejet të vështirë historik të tyre, pikërisht kur ishte kryer spastrimi etnik i popullsisë çame të besimit mysliman. Megjithatë, sikurse u përmend, ata e ruajtën qartësinë dhe tejpamësinë, çka del në parashtrimet dhe kërkesat e tyre.
Ato ishin: Së pari, kthimi në shtëpitë e tyre në Çamëri si objektivi kryesor strategjik, si vullneti i palëkundshëm i refugjatëve të të gjitha moshave, si amaneti i papërmbushur i gjyshërve e prindërve, motrave, vëllezërve, fëmijëve të tyre, viktima të masakrave në Çamëri apo të urisë, sëmundjeve dhe kushteve çnjerëzore gjatë muajve të parë të strehimit të tyre të përkohshëm në Shqipëri. Nga pikëpamja taktike kjo u kërkua të arrihej me ndihmën e Aleatëve, çka ishte veprim i zgjuar diplomatik e politik, paçka se nuk u njëmendësua dot në atë kohë. Së dyti, udhëheqësit çamë kërkonin hetimin e plotë dhe objektiv të masakrave të pashembullta të kryera ndaj minoritetit çam, hetim i cili duhej kryer duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe viktimat e drejtpërdrejta të masakrave, të cilët ndodheshin në Shqipëri. Së treti, udhëheqësit çamë e deklaronin veten plotësisht të lidhur dhe të bashkuar me kauzën e Aleatëve të mëdhenj në Luftën e Dytë Botërore dhe ofronin ndihmën e tyre për të shkatërruar mbeturinat e fashizmit.
Ndërhyrjet e organizatave dhe përpjekjet historike për drejtësi
Dokumentet arkivore amerikane dhe burimet e tjera të botuara përcjellin fatin e hidhur të njërës prej popullsive më vitale, por edhe më të persekutuara të kontinentit evropian, minoriteti çam të Greqisë. Kemi të bëjmë me një popullsi autoktone, me cilësi ndër më të rrallat, e cila përbën pasuri të vërtetë për Greqinë e sotme demokratike dhe evropiane. Me kulturë dhe tradita të lashta, minoriteti çam u sakrifikua në Konferencën e Ambasadorëve prej disa Fuqive të Mëdha për të kënaqur orekset shoviniste të Athinës. Pavarësisht nga ndryshimet territoriale, çamët duhet të gëzonin të gjitha të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve të garantuara nga e drejta ndërkombëtare dhe legjislacioni grek. Projekti për ndryshimet territoriale në favor të shtetit grek dhe në dëm të popullsisë çame i përpunuar në Kongresin e Berlinit, u zbatua më vonë me fillimin e Luftërave Ballkanike më 1912, me rënien e Janinës, dhe me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për nguljen e vijës kufitare në Kepin e Stillos. Megjithë garancitë e dhëna nga qeveria greke për respektimin e të drejtave, zakoneve, dhe interesave të popullsive të territoreve të fituara prej saj nga Perandoria Otomane, ku përfshihej edhe Çamëria, popullsia e kësaj të fundit iu nënshtrua shpejt një terrori të pashembullt, aq sa hyrja e ushtrisë italiane në Çamëri në qershor 1917 u prit si çlirim i mirëfilltë. Në atë kohë patriotët shqiptarë bënë çmos për vendosjen e Çamërisë nën administrimin afatgjatë italian ose të një fuqie tjetër të painteresuar, si dhe zgjidhjen e çështjes çame me plebishit, domethënë në përputhje me vullnetin e lirë të banorëve të saj. Inkorporimi përfundimtar i Çamërisë në shtetin grek pas Luftës së Parë Botërore dhe konsolidimi gradual i shtetit shqiptar e sollën çështjen çame në kuadrin e të drejtave të minoriteteve, tê marra në mbrojtje nga Lidhja e Kombeve.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe pas shpërnguljes së dhunshme të popullsisë çame të besimit mysliman, synimi i lëvizjes çame ishte kthimi në shtëpitë e tyre dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të minoritetit çam ortodoks në Çamëri. Dokumentet e përmbajtura në arkivat amerikane tregojnë se diplomacia amerikane ka patur njohuri dhe është ndeshur qysh herët me problemin çam. Në përputhje me rrethanat historike të momentit, çështja çame iu paraqit diplomatëve amerikanë fillimisht, sikurse edhe Kosova, si problem i mirëfilltë i tërësisë territoriale. Qeveria amerikane, për arsye të rolit të kufizuar të SHBA-të arenën ndërkombëtare në fillimet e Shekullit XX, nuk ishte palë në tratativat e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të vitit 1912-1913. Interesimi amerikan për çështjen çame fillon vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore. Dokumentet tregojnë përpjekjet e patriotëve çamë, por edhe atyre në Shqipëri dhe diasporë, për përfshirjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes çame. Ideja për vendosjen e Shqipërisë nën administrimin e përkohshëm amerikan dhe zgjidhjen e çështjes çame me referendum – e hedhur qoftë nga patriot shqiptarë, dhe qoftë nga ndonjë diplomat amerikan – synonte korrigjimin e vendimeve të Londrës dhe rikthimin e Çamërisë. Dokumentet vërtetojnë se, pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria amerikane mbajti qëndrim neutral, dhe nuk vendosi të ndërhyjë për ndryshimin e kufijve të “Shqipërisë së Londrës”. Ndryshe nga qeveria angleze, me të cilën pati herë-herë divergjenca, qeveria amerikane nuk ka mbështetur ndryshime të kufirit jugor Shqipëri-Greqi përtej atij ekzistues në vitin 1939.
Siç u theksua më sipër, pas Luftës së Dytë Botërore çështja çame mori karakter humanitar dhe të të drejtave të njeriut. Po ashtu, dokumentet tregojnë se qeveria amerikane e pa me shqetësim të madh spastrimin e dhunshëm etnik ndaj minoritetit çam të besimit mysliman në Çamëri të vitit 1944-1945. Sa i takon së sotmes, ndryshe nga pretendimet e disa qarqeve në Greqi për “mosekzistencën” e saj, çështja çame është gur prove në ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Zgjidhja e çështjes çame kërkon para së gjithash vullnetin e mirë, të munguar deri më sot nga qeveria greke. Për më tepër, ajo nuk ka – dhe as ka pasur – karakter ngushtësisht dypalësh. Fakti që edhe vetë UNRRA u angazhua seriozisht në vitin 1945 për të furnizuar me ndihma humanitare refugjatët çame në Shqipëri tregon karakterin ndërkombëtar të çështjes çame në një moment kyç të evoluimit të saj. Si çështje e të drejtave të njeriut, çështja çame nuk mund të injorohet më tej, dhe as të lihet jashtë objektit të organizatave ndërkombëtare apo shumëpalëshe si Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë apo edhe vetë OKB. Po ashtu, duke qenë se pjesëtarët e minoritetit çam janë de facto qytetarë të Bashkimit Evropian dhe shtetas të Greqisë, ata dhe pasardhësit e tyre nuk mund të diskriminohen për shkak të vendlindjes, prejardhjes etnike apo besimit dhe atyre nuk mund t’u mohohen të drejtat e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë brenda BE-së, dhe as e drejta e kthimit në shtëpitë e tyre në Greqinë evropiane.